Kontrolli i Lartë i Shtetit bëri të ditur se Goro dhe 13 zyrtarë të tjerë të bashkisë së Himarës duhet të përgjigjen në prokurori për një numër shkeljesh në prokurimin dhe zbatimin e shtatë projekteve investuese në rrugë, shkolla e sheshe publike në të cilat auditimi zbuloi pagesën e punimeve të pakryera.
Kontrolli i Lartë i Shtetit e kontrolloi Bashkinë Himarë dhe dy ish komunat Horë-Vranisht dhe Lukovë për veprimtarinë e kryer gjatë dy viteve të fundit dhe vendosi në fund të kontrollit të kallëzojë në Prokurori kryebashkiakun Goro dhe 13 zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie, mbi të cilët rëndon akuza se në raste të përsëritura kanë kryer pagesa për disa operatorë ekonomikë për punime që KLSH thotë se nuk ekzistojnë. Disa nga projektet për të cilat akuzohet Goro lidhen me programin e qeverisë “Rilindja Urbane”, në bazë të së cilit buxheti i shtetit i ka dhënë bashkive të ndryshme në të gjithë vendin fonde për punime, kryesisht rregulluese dhe dekorative.
Sipas raportit të KLSH [link] rasti më i madh është projekti “Shëtitotja Buzë Detit Qeparo Faza II”, ku kontrolli zbuloi pagesën e gati 11 milionë lekëve më shumë se sa preventivët e punimeve nga ana e Bashkisë Himarë.
Në objektin “Rikonstruksion i Rrugës në Lagjen Kondraqe-Qendër-Kallam, Dhërmi”, kontrolli doli në konkluzionin se Bashkia ka ndryshuar çmimet e punimeve të kontraktuara si dhe pa paguar një shumë të vogël për punime që nuk janë kryer me dëm të përbashkët prej 1.6 milionë lekësh.
Në objekte të tjera janë regjistruar mbipagesa për kompanitë kontraktore me vlera 200-600 mijë lekë.
Përveç tenderëve, KLSH konkludoi se Bashkia Himarë nuk ka një administrim të rregullt të taksave dhe tarifave vendore dhe nuk ka arkëtuar qiratë për pronat publike për të cilat ka lidhur kontratë, ndërsa procesi i marrjes në dorëzim të të drejtave, detyrimeve dhe aseteve nga dy komunat, Horë-Vranisht dhe Lukovë, pas bashkimit të këtyre të fundit me Bashkinë Himarë në bazë të ligjit të ndarjes së re territoriale është zhvilluar pa dokumentacion dhe në kaos.
“Nga ish Komunat Lukovë dhe Horë-Vranisht se nuk është ngritur komision për marrjen në dorëzim të aseteve, nuk është kryer marrja në dorëzim, kolaudimi, vlerësimi, nuk është kryer inventarizimi kontabël dhe fizik, nuk është aplikuar në ZVRPP për regjistrim, si dhe nuk është kryer inventarizimi i pronave me procesverbale të nënshkruara nga përfituesi i aseteve ish komunave dhe nga institucionet qendrore si dorëzues të aseteve, institucione këto, në pronësi të të cilave kanë qenë pronat dhe asetet, sipas fushave përkatëse të përdorimit të pronës, proces-verbalet duhej të ishin shoqëruar me harta, të dhëna mbi infrastrukturën, sipërfaqen, gjendjen reale të tyre,” shkruhet në raport.