Ndërsa prokurori i Gjykatës Speciale me bazë në Hagë vizitoi Kosovën për herë të parë, kryeministri Ramush Haradinaj tha se kishte një ndjenjë skepticizmi mbi gjykatën e re që do të gjykojë të dyshuarit për krime lufte.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha pasi prokurori special Jack Smith vizitoi Kosovën të martën se Dhomat e Specializuara në Hagë, të cilat pritet të gjykojnë ish-figurat e larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krimet e kohës së luftës, kanë shkaktuar skepticizëm.
“Kosova vërtet ka detyrime ndaj Dhomave të Specializuara pasi ato janë themeluar sipas ligjeve të Kosovës. Megjithatë, bazuar në përvojën e mëparshme, ekziston edhe një ndjenjë skepticizmi rreth këtyre proceseve që përfshijnë drejtësinë ndërkombëtare,” tha Haradinaj për mediat.
Smith u emërua Prokurori i ri Special i Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, pasi paraardhësi i tij doli në pension.
Gjatë vizitës së tij, Smith u takua me Ministrin e Drejtësisë Abelard Tahiri, i cili shprehu gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të përmbushur detyrimet e tyre ndaj Dhomave të Specializuara.
“Ministri Tahiri i kërkoi prokurorit Smith që qytetarët që mund të jenë subjekt i paraqitjes përpara se Dhomave të trajtohen në përputhje me normat dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut dhe duke u bazuar në standardet ligjore më të avancuara ndërkombëtare,” thuhej në një deklaratë nga Ministria e Drejtësisë.
Smith takoi gjithashtu kryetarin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, dhe kryetarin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj.
Ish-figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të akuzohen nga gjykata e re në Hagë për krime të dyshuara të kryera gjatë dhe pas luftës me forcat serbe.
Gjykata e re do të dëgjojë raste që dalin nga raporti i Task Forcës Speciale Investigative të BE-së i vitit 2014, i cili tha se zyrtarë të paidentifikuar të UÇK-së do të përballeshin me akuza për një “fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besohej të ishin bashkëpunëtorë me regjimin e Beogradit.
Krimet e dyshuara përfshijnë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.
Gjykata ka staf ndërkombëtar, por funksionon sipas ligjit të Kosovës.