Një takim i tensionuar të enjten në Kosovë midis kryeministrit, presidentit, kryetarit të parlamentit dhe ambasadorit të SHBA-së përfundoi pa një marrëveshje për taksën polemike për importet nga Serbia.
Pas takimit me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, kryetari i parlamentit Kadri Vejseli dhe ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, kryeministri Ramush Haradinaj të enjten mbrojti taksën e lartë të vendosur mbi importet serbe si një “vendim sovran të qeverisë”.
Haradinaj tha se bashkëbiseduesit e tij i kishin thënë atij se heqja e taksës do të ndihmonte vazhdimin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë.
Por kreu i qeverisë tha se nuk e kuptonte se si vendimi i taksës kishte lidhje me dialogun.
“Edhe unë jam për vazhdimin e dialogut, por nuk dua t’i lidh bashkë këto dy tema. Vendimi i taksës është një vendim sovran i qeverisë së Kosovës,” tha Haradinaj për mediat.
Televizioni publik i Kosovës, RTK, njoftoi më parë duke cituar burime të paidentifikuara se ambasadori Kosnett ishte larguar papritmas nga takimi, i mërzitur nga refuzimi i Haradinajt për të pezulluar taksën.
RTK pretendoi se Kosnett “e la takimin në mënyrë demonstrative dhe përplasi derën kur doli”.
Zyra e Haradinajt e mohoi këtë pretendim.
“Nuk dua ta komentoj takimin, por mund të konfirmoj se diçka e tillë nuk ka ndodhur,” tha për BIRN Avni Arifi, shef i kabinetit të Haradinajt. Ambasada e SHBA-së gjithashtu ka heshtur për mosmarrëveshjen e pretenduar.
Haradinaj ka këmbëngulur se taksa 100 për qind mbi mallrat serbe dhe boshnjake do të hiqet vetëm kur Serbia ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur.
Por ndasitë në qeveri po thellohen. Kryetari i parlamentit Veseli, kreu i partisë partnere të koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, ka propozuar pezullimin e saj për 120 ditë. Ai ka paralajmëruar se qeveria mund të bjerë për shkak të kësaj çështjeje.
Veseli tha për një stacion televiziv këtë javë se qeveria do të binte nëse marrëdhëniet me aleatin kryesor të vendit, Shtetet e Bashkuara, do të ndërpriteshin për shkak të kësaj takse.
SHBA-ja ka kërkuar vazhdimisht që Kosova të marrë në konsideratë një “pezullim të menjëhershëm” të taksës.
Haradinaj ka pranuar se qeveria, e cila ka vetëm një shumicë të ngushtë, është në telashe.
“Çdo gjë është e mundur në javët dhe ditët që do të vijnë. Fillimisht duhet të mbyllen disa çështje të rëndësishme siç është buxheti. Nëse mosmarrëveshjet brenda aleancës në pushtet vazhdojnë, ato mund të rezultojnë në vendime të tjera,” tha Haradinaj të enjten.
Raportet e mediave thonë se rezultati i bisedimeve të tensionuara brenda koalicionit qeverisës pritet të bëhet i qartë pas votimit të parlamentit mbi buxhetin të shtunën.
Kosova e imponoi taksën vitin e kaluar në përgjigje të përpjekjeve të Serbisë për të mos e lejuar ish-provincën e saj të anëtarësohet në organet ndërkombëtare.
Serbia tha të enjten se nuk do ta rifillonte dialogun derisa të hiqej taksa.