Lajm30 Aug 2021

Kryeministri Kurti thirrje Serbisë të tregojë të vërtetën për të zhdukurit e luftës

Në një ceremoni për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, kryeministri i Kosovës Albin Kurti i bëri thirrje Serbisë që të hapë arkivat e saj shtetërore për të zbuluar se ku janë varrosur personat që vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur që nga koha e luftës.

Autor: Përparim Isufi BIRN Prishtinë
Printo

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë duke bërë homazhe për të zhdukurit. Foto: Presidenca e Kosovës.

Albin Kurti i kërkoi Serbisë të hënën që të hapë arkivat e saj shtetërore që kanë lidhje me luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë, duke argumentuar se “sa u përket personave të zhdukur, përgjigja qëndron atje, në Beograd”.

Kurti po fliste në një ceremoni në Prishtinë për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve. Së bashku me Kurtin, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vendosi lule në një monument kushtuar personave të zhdukur para zyrës së kryeministrit në kryeqytetin e Kosovës.

Gjithsej 1,632 persona janë ende të listuar si të zhdukur nga lufta – shumica prej tyre shqiptarë të Kosovës, por edhe disa serbë.

Kurti tha se “të zhdukurit do të jenë gjithmonë një temë kryesore në marrëdhëniet tona me Serbinë”.

“Ne nuk mund të pretendojmë të kemi një të ardhme të qëndrueshme ose të sigurt, nëse nuk trajtojmë çështjet e së kaluarës”, shtoi ai.

Kosova ka negociuar me Serbinë për dhjetë vjet në një proces dialogu të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që synon normalizimin e marrëdhënieve, por asnjë progres nuk është bërë përsa i takon çështjes së personave të zhdukur.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi vitin e kaluar se Beogradi do të hapte arkivat e tij ushtarake nëse Prishtina do të reagonte duke hapur dosjet e kohës së luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Por zyrtarët e Kosovës kanë argumentuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte arkiva të tillë, sepse ajo ishte një forcë guerile dhe se Kosova nuk ishte shtet në atë kohë.

Pesë varre masive janë gjetur në Serbi që nga rënia e presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç në vitin 2000, pak më shumë se një vit pasi NATO-ja e detyroi atë të tërhiqej nga Kosova. Mbetjet mortore të më shumë se 900 shqiptarëve të Kosovës janë gjetur, por askush në Serbi nuk është mbajtur përgjegjës për përpjekjen sistematike për të fshehur provat e krimeve të luftës.

Gjithashtu të hënën, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP, i cili ka luajtur një rol të madh në ndihmën për gjetjen e atyre që u zhdukën gjatë luftërave të viteve 1990 në Ballkan, publikoi një udhëzues praktik për familjet e të zhdukurve që janë ende në kërkim të të dashurve të tyre.

“Udhëzuesi shpjegon praktikat dhe parimet e zbatuara në vendet e ish-Jugosllavisë në përpjekjet e tyre për të llogaritur personat e zhdukur si rezultat i konfliktit të viteve 1990. Ai është produkt i përvojës shumëvjeçare nga ana e stafit të ICMP-së dhe i komunikimit intensiv me familjet e të zhdukurve, shkencëtarë, studiues dhe profesionistë nga institucionet vendase”, tha ICMP.

ICMP vuri në dukje se 40,000 njerëz u zhdukën gjatë luftërave të viteve 1990, por deri më tani, më shumë se 70 për qind e tyre janë gjetur.