Kryeministri i Maqedonisë i paraqiti parlamentit të martën riorganizimin e propozuar të qeverisë në një përpjekje për të rritur shumicën e tij duke shtuar dy pari të vogla etnike shqiptare në koalicionin e tij qeverisës.
Riorganizimi i propozuar nga kryeministri Zoran Zaev të martën është i pari që nga zgjedhja e qeverisë së tij vitin e kaluar dhe do të shohë dy parti të vogla etnike shqiptare që do t’i bashkohen koalicionit qeverisës, duke rritur mbështetjen e saj në kuvend.
Partia Demokratike e Shqiptarëve, PDSH, e cila ka dy deputetë në parlament, do të marrë një post ministror dhe një zëvendësministër.
Bardhyl Dauti i PDSH-së do të emërohet ministër pa portofol përgjegjës për investimet e huaja ndërsa Musadik Beqiri do të emërohet zv/ministër i transportit.
Një tjetër parti e vogël, BESA – aktualisht më e madhja e dy fraksioneve të BESA në parlament, e cila ka tre nga pesë deputetët e BESA – do të marrë kryesimin e Ministrisë së Kulturës.
Asaf Ademi i BESA do të jetë ministri i ri i kulturës, duke zëvendësuar Robert Alagjozoski i cili vjen nga radhët e socialdemokratëve qeverisës të Zaevit.
BESA do të ketë edhe postet e zv/ministrir në Ministrinë e Jashtme dhe në Ministrinë e Punës.
Riorganizimi i propozuar parashikon gjithashtu ndryshime në Ministrinë e Arsimit ku ministrja aktuale nga radhët e Social Demokratëve, Renata Deskoska, do të kalohet për të udhëhequr Ministrinë e Drejtësisë.
Ministri i ri i propozuar për arsimin do të jetë zëvendësi i saj aktual, Arbr Ademi nga Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet.
Më herët këtë javë, Zaev tha për mediat se ai shpreson që riorganizimi i qeverisë do të miratohet në parlament deri në fund të këtij muaji.
Riorganizimi, i cili do të sjellë pesë deputetë të tjerë për të mbështetur qeverinë, do të lehtësojë presionin mbi shumicën e brishtë të Zaevit në parlament, ku që nga zgjedhja e tij në prill 2017 ai ka pasur mbështetjen e vetëm 61 prej 120 deputetëve dhe me raste mbështetjen nga disa deputetë të tjerë të cilët më parë ishin të afërt me opozitën.
Riorganizimi vjen në një kohë kur Zaevi përballet me një reagim të mundshëm nga kundërshtarët e tij për një marrëveshje të mundshme me Greqinë në lidhje me çështjen e emrit të Maqedonisë, të cilin Athina dëshiron të ndryshojë para se të heqë kundërshtimin e saj ndaj anëtarësimit të Shkupit në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Burimet e BIRN-it brenda shumicës qeverisëse kohët e fundit thanë se pas riorganizimit të qeverisë, administrata po planifikon gjithashtu ndryshime në rreth 30 për qind të posteve drejtuese në institucionet dhe kompanitë publike, të cilat do të bazohen në performancën e kaluar të menaxherëve.