Lajm23 Apr 2020

Kryeministri pranon se ka tërhequr padinë për shpifje në Gjermani

Kryeministri Edi Rama deklaroi të Mërkurën në Twitter se është tërhequr nga padia që kishte ngritur për shpfije kundër gazetës gjermane BILD pas publikimit të saj të audiopërgjimeve që tregonin zyrtarë socialistë në bashkëpunim me rrjetet kriminale të vendit për të manipuluar zgjedhjet.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kryeministri Edi Rama duke folur në Kuvend më 5 Mars 2020. Foto: Malton Dibra/LSA

Afro një vit pas publikimit të një serie audiopërgjimesh në të cilat, zyrtarë të ndryshëm socialistë dëgjohen duke diskutuar një larmishmëri krimesh elektorale me elementë të krimit të organizuar, kryeministri Edi Rama, i cili i kishte shpallur publikimet si shpifje dhe kishte ngritur padi në Gjermani, pranoi se ai e ka tërhequr padinë.

Rama aludoi se shkaqet e tërheqjes ishin një miqësi që ai kishte krijuar me redaktorët e tabloidit gjerman BILD. Gazeta nuk e ka tërhequr materialin e publikuar dhe as nuk ka kërkuar ndjesë ndaj Ramës.

Rama njoftoi më 25 qershor 2019 vendimin për të hedhur në gjyq gazetën si dhe faktin që kishte kontraktuar një prej avokatëve më të famshëm dhe më të shtrenjtë në Gjermani.

“Sapo i kam dhënë prokurën avokatit gjerman Matthias Prinz, për nisjen e procesit gjyqësor mbi publikimet e BILD! Gjykatat gjermane le ta vendosin kush ka të drejtë e kush ka faj në këtë mes. E bëj sepse shqiptarët meritojnë ta dinë të vërtetën nga drejtësia e atij vendi pa hije”, deklaroi ai në Tëitter.

Por një vit më pas, Rama deklaroi: “U njoha me shefat editorialistë të BILD gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih dhe kaluam aq bukur sa nuk pata më motiv për ta vazhduar gjyqin. Njerëzore!”

Kostot e aventurës ligjore të Ramës në Gjermani nuk bëhen të ditura. Prinz është një avokat i specializuar në çështje të cënimit të reputacionit dhe shpifjes dhe numëron disa korporata dhe një familje mbretërore në listën e klientëve.

Opozita politike deklaroi gjatë ditëve të fundit në mënyrë të përsëritur se fakti që Rama është tërhequr nga pretendimet se ndaj tij është shpifur, tregon se skandali i publikuar te BILD është i vërtetë.

Skandali i përgjimeve të prokurorisë filloi në tetor të vitit 2018 kur pas një hetimi katërvjeçar, prokuroria urdhëroi arrestimin e disa dhjetëra personave si pjesë e një organizate të madhe të trafikut të drogës. Organizata kishte qenë në përgjim që nga viti 2016. Por ndërsa merreshin me aktivitetin e tregtisë së drogës, elementë të ndryshëm të organizatës dukej se kishin aktivitet anësor grumbullimin e votave përmes blerjes apo shantazhit për llogari të Partisë Socialiste si dhe trafikun e influencës në zona të ndryshme të Shqipërisë qendrore dhe në Lezhë. Hetimet mbi këtë grup zbuluan më pas dyshime për korrupsion dhe falsifikim dokumentesh. Gjithsesi, prokuroria duket se zvarriti hetimet për krimet elektorale duke ndarë dosjen mënjanë.

Në qershor të vitit 2019, gazeta gjermane BILD zbuloi disa nga këto përgjime.

Rama ka aktualisht një numër të konsiderueshëm procesesh gjyqësore në Shqipëri për shpifje apo për cënim imazhi. Së fundmi ai hodhi në gjyq në Kosovë edhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj. Ky i fundit iu përgjigj duke thënë se teknika e hedhjes në gjyq duket se përdoret nga Rama si një mjet dizinformimi.