Lajm21 Mar 2019

Kryeprokurori i Lushnjes, Çlirim Shahini probleme me pasurinë dhe figurën

Drejtuesi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnje, Çlirim Shahini u përball të enjten gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me probleme me pasurinë dhe pastërtinë e figurës.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Çlirim Shahini gjatë seancës së KPK-së | Foto nga : Edmond Hoxhaj

Trupa gjykuese e KPK-së përbëhej nga Brunilda Bekteshi si kryesuese, Xhensila Pine relatore dhe Suela Zhegu anëtare, ndërsa seanca u ndoq nga vëzhguesi ndërkombëtar Branko Hrvatin.

Relatorja e çështjes, Xhensila Pine paraqiti një përmbledhje të shkurtër për gjetjet e konstatuara gjatë hetimit administrativ. Ajo u shpreh se në përfundim, Komisioni kishte vendosur të kryente rivlerësim vetëm për dy krietere, atë të deklarimit të pasurisë dhe pastërtinë e figurës.

Pine pohoi se sipas raportit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, të dorëzuar në KPK, prokurori Çlirim Shahini kishte kryer deklarim të saktë, nuk kishte kryer fshehje të pasurisë apo deklarim të rremë dhe se nuk gjendej në kushtet e konfliktit të interesit.

Megjithatë, KPK kishte ndërmarrë një hetim të pavarur në asetet e prokurorit Shahini dhe vërtetësinë e deklarimeve të tij.

Pine u ndal në një objekt dy katësh + papafingo në Bashkinë e Sarandës të deklaruar nga prokurori Shahini, në vlerën e 10.5 milionë lekëve. Si burim të krijimit të kësaj pasurive, prokurori Shahini kishte deklaruar të ardhurat nga pagat dhe një hua në vlerën e 35 mijë eurove të marrë në vitin 2014, me afat shlyerje 10 vjet. Nga analiza financiare Komisioni kishte konstatuar pamjaftueshmëri financiare të huadhënësit të 35 mijë eurove, që kishin shërbyer për shlyerjen e shpenzimeve për ndërtimin e banesës në Sarandë.

Sipas relatores Pine, Shahini kishte deklaruar se papafingo nuk ishte përfunduar ende dhe se banesa përdorej nga familja. Por, komisioni ka gjetur se apartamentet që zotëronte Shahini jepeshin me qira si shtëpi pushimi në bregdet.

“Nga hetimi është konstatuar se këto apartamente jepen me qira prej pesë vitesh”, pohoi Pine e cila shtoi se kjo gjë vërtetohej edhe me anë të lajmërimeve të kryera në faqe në internet. Gjithashtu, Komisioni ka konstatuar mosdeklarimin në deklaratat periodike të një huaje prej 2.7 milionë lekësh të marrë nga ndërtuesi i vilës.

Më pas, relatorja Pine pasqyroi raportin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK sipas të cilit ishte konstatuar papërshtatshmëria e prokurorit Çlirim Shahini për të vazhduar detyrën. Kjo, pasi ishte konstatuar përdorimi i mjetit të qytetarit A.D., i deklaruar fajtor për veprën penale “dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” në Shqipëri dhe i dënuar për “trafik droge” në Greqi. Sipas Pines, ndaj prokurorit Shahini ishin depozituar tre denoncime për shtyrje të afateve të hetimit dhe shkelje të procedurave të tjera.

Kryeprokurori i Lushnjës, Çlirim Shahini deklaroi se i kishte kërkuar KPK-së kryerjen e rivlerësimit të tij edhe për aspektin profesional. Ndërkohë, ai i kërkoi Komisionit të kryente një hetim më të thelluar për kriterin e pasurisë dhe pastërtinë e figurës. Duke e cilësuar verifikimin e ILDKPKI-së si të hollësishëm, Shahini theksoi se objekti dykatësh + papafingo ishte ndërtuar mbi një objekt egzistues të një të afërmi të tij. Sipas Shahinit, ndërtesa fillestare ishte ndërtuar në vitin 2001. Më tej ai sqaroi se në deklaratën veting kishte pasyqruar se si burim për ndërtimin e dy kateve + papafingo, kishin shërbyer të ardhurat familjare ndër vite dhe huaja. Prokurori Shahini u shpreh se konstatimi i komisionit se ai kishte tentuar të fshihte banesën për periudhën 2011-2013 ishte i pavërtetë, duke argumentuar se në atë kohë nuk mund ta imagjinonte se do të kryhej procesi i vetingut.

Më tej, Shahini shpjegoi se në gjysmën e përfunduar të papafingos ka jetuar nëna e të afërmit D.P. që kishte ndërtuar katin e parë, pasi ndaj tij ndihej borxhli. Prokurori pohoi para Komisionit se kati i parë dhe ai përdhes zotërohej nga i afërmi i tij dhe se e kishin hyrjen në pjesën perëndimore të ndërtesës. Ndërsa pjesa e tij e kishte hyrjen në pjesën lindore.

Lidhur me burimin e të ardhurave të të afërmit të bashkëshortes D.P., Shahini sqaroi se ai kishte punuar në Greqi deri në vitin 2000 dhe më pas ishte vendosur në qytetin e Sarandës, duke shitur edhe shtëpinë që kishte pasur në fshat. Prokurori Shahini shtoi se D.P. i kishte dhënë ambientet që zotëronte në katin e parë me qira, por kundërshtoi gjetjen e KPK-së se që edhe ai vetë ti kishte dhënë me qira apartamentet e tij për vite me radhë.

Lidhur me burimin e investimit prej 10.5 milionë lekësh në këtë ndërtesë, prokurori Shahini shpjegoi se 5.8 milionë lekë ishin kursime nga pagat e tij e të bashkëshortes dhe pensioni i nënës dhe huaja e marrë. Ndërsa lidhur me huanë 2.7 milionë lekë të marrë nga ndërtuesi, Shahini pohoi se i kishte shlyer gjatë viteve 2015-2016. Ndryshe nga relatimi i Komisionit, prokurori Shahini u ndal më gjerësisht në gjetjet e hetimit për rivlerësimin e tij.

Ai pasqyroi shitjet e mjeteve që kishte pasur në zotërim familja e tij. Shahini pohoi se në vitin 2014 kishte shitur një autoveturë tip Benz në vlerën e 479 mijë lekëve, të cilin e kishte blerë në shumën e 140 mijë lekëve. Më pas shtoi se veç shumës së blerjes kishte shpenzuar të tjera para për siguracionin, dokumentet dhe gomat që i kishte ndërruar mjetit. Për makinën e dytë, tip Benz të blerë në shumën e 1500 eurove në vitin 2014, ai pohoi se burim i këtyre parave ishin të ardhurat e përfituara nga shitja e makinës së parë. Edhe si burim të vlerës së përdorur për makinën e tretë ai deklaroi se ishin të ardhurat e përfituara nga shitja makinës tjetër.

Lidhur me konstatimin për pastërtinë e figurës, prokurori Çlirim Shahini i kërkoi Komisionit një hetim më të thelluar. Ai shpjegoi se e kishte marrë një herë mjetin e shtetasit A.D. për një udhëtim në Greqi për një hall familjar, por theksoi se nuk kishte pasur njohje me këtë person. Sipas Shahinit, në vitin 2013 i kishte kërkuar një miku të tij makinën dhe ai i kishte thënë se nuk kishte siguracion. “Ai më tha se mund të më gjente një makinë tjetër dhe më dha makinën e të njohurit të tij A.D.”, pohoi Shahini. Ai shpjegoi se nuk ka pasur njohje me këtë shtetas dhe se nuk e dinte që ai kishte qenë i proceduar dhe i dënuar. Ndërkohë, pohoi se vetëm pasi ishte kthyer nga Greqia, e kishte përshëndetur një herë nga larg edhe në shenjë falënderimi pse i kishte përdorur makinën, por se nuk kishte pasur asnjë lloj lidhje tjetër me të.

“Këto mendoj se janë bërë me keqdashje nga Shërbimi Informativ”, tha prokurori, i cili pyeti se përse dosja nuk kishte mbërritur sipas procedurave të SHISH.

Në fund të seancës drejtuesi i prokurorisë së Lushnjës, Çlirim Shahini kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. Vendimi do të shpallet më datë 26 mars, ora 13:00