Arkitekti Dejan Ivanovski thotë se ekipi i tij ka në plan të lirojë disa nga hapësirat publike të zëna nga projekti “Shkupi 2014”. Tani duhet vetëm që qeveria ta vërë në zbatim këtë plan.
“Kjo është tani kartolina kryesore e Shkupit. Kur Shkupi shfaqet në televizorët e huaj, kjo është ajo që mund të shihet,” thotë arkitekti maqedonas Dejan Ivanovski, duke qëndruar te Ura e Gurtë e Shkupit, përballë një sërë godinash të ndërtuara kohët e fundit në bregun e lumit Vardar.
Më pranë Urës së Gurit është Muzeu Arkeologjik me kolonat e tij të larta neoklasike. Një linjë ndërtesash të ngjashme që krijojnë një lloj muri përgjatë lumit shtrihet për disa qindra metra deri te Ministrinë e Jashtme, fasada e të cikës është zbukuruar me dhjetëra statuja.
Ivanovski është një nga autorët e një projekti që Maqedonia prezantoi në bienalen arkitekturore në Venecia në maj të vitit të kaluar për të ndrequr këtë arkitekturë që të bën me dhimbje koke.
Titulli, “Hapësirat e lira”, ishte tepër i goditur për një vend si Maqedonia, ku hapësira publike është kapur vazhdimisht për interesa private.
Qendra e Shkupit u bë shembulli kryesor i këtij uzurpimi nën ish-qeverinë e krahut të djathtë të Nikola Gruevskit.
Rreth vitit 2011, qeveria nisi një projekt për të rindërtuar masivisht kryeqytetin, “Shkupi 2014”, i cili synonte të mbulonte qendrën e qytetit me ndërtesa dhe monumente të frymëzuara nga stili klasik.
Pavarësisht kundërshtimit të arkitektëve dhe shumë banorëve të qytetit, deri në kohën kur qeveria e Gruevskit ra në vitin 2017, ishin ngritur dhjetëra ndërtesa madhështore dhe qindra monumente dhe statuja.
Shumica e tyre mbulonin atë që dikur kishte qenë hapësirë publike, ose parqe të vogla.
Kjo frymëzoi Ivanovskin, në bashkëpunim me Filip Jovanovskin, Sanja Avramoskën, Valbona Feizën dhe Miroslav Pejovskin, me idenë e “çlirimit të hapësirës”.
“Janë hedhur shumë ide, por ne jemi të parët që nxjerrim zgjidhje konkrete për të trajtuar trashëgiminë e ‘Shkupit 2014’, në mënyrë që të mund të lirojmë hapësirën”, thotë ai.
“Do të ishte një mëkat që ky plan të mbetej vetëm në letër për shkak se 100 mijë euro u investuan në projekt dhe në prezantimin e tij në bienale,” shton Ivanovski.
Ministria e Kulturës mbuloi pjesën më të madhe të kësaj, mbi të gjitha shpenzimet e prezantimit të projektit në Venecia.
Disa nga shpenzimet u mbuluan nga fonde të tjera dhe një pjesë nga vetë autorët. Puna dhe koha që u desh për vizatimin ishin gjithashtu investimi i tyre.
“Bienalja ka kaluar dhe kemi projektin. Por jo vetëm që askush nga autoritetet nuk na ka pyetur për vënien në zbatim të tij, por ne nuk shohim as ndonjë gatishmëri serioze nga ana e tyre që të merren me këtë trashëgimi nga ‘Shkupi 2014’,” ankohet arkitekti.
Nuk është në plan shkatërrimi i plotë
Ivanovski fillon të shpjegojë projektin e tij nga mesi i Urës së Gurit.
Në bregun e djathtë të Vardarit është një hapësirë e dukshme midis rreshtit të parë të ndërtesave dhe lumit, e mbushur me gjelbërim, hapësirë për këmbësorë dhe kafene.
Por në bregun e majtë, i cili pa ndërtime të rënda si pjesë e “Shkupit 2014”, pesë ndërtesa të reja të larta formojnë një lloj muri që është shumë më afër lumit. Mes tyre ka vetëm kalime të vogla.
“Kjo nuk mund të shkatërrohet. Edhe pse ka ide të tilla, është e gabuar të mendosh se mund të hiqet lehtë. Puna do të kushtonte shumë dhe do të ishte shumë e vështirë. Do të duhej shumë kohë dhe do të shkaktonte shumë zhurmë dhe ndotje. Do të mbushnim të gjithë Drislan (landfillin e Shkupit) me mbeturina dhe ne do të kishim nevojë edhe për akoma më shumë hapësirë për mbeturinat,” thotë arkitekti.
Projekti i tyre parashikon ridizenjimin e të gjithë zonës me ndërhyrje shumë më të vogla.
Ideja kryesore është të hiqen të gjitha fasadat dekorative dhe të gjithë elementët e tjerë të panevojshëm që rrisin vëllimin e ndërtesave për lirimin e një hapësire, kryesisht në katin e parë, pa e shqetësuar punën e institucioneve dhe punonjësve të tyre.
Siç vë në dukje Ivanovski, disa nga këta njerëz punonin në kushte të rëndomta më parë, në zyra të ndryshme administrative, dhe nuk duhet t’i rikthehen asaj gjendjeje.
Projekti fokusohet në ndreqjen e katër zonave, njëra prej të cilave është ky rresht me ndërtesa të larta. Një tjetër është ndërtesa e qeverisë, dikur një ikonë moderniste e mbuluar me xham, por tani e mbuluar me dekore të stilit barok si pjesa tjetër e “Shkupit 2014”.
Zona e tretë në fokus ndodhet gjithashtu përgjatë bregut të lumit dhe është selia e postës së Shkupit.
Kompleksi i disa ndërtesave atje ishin ikonat e lëvizjes brutaliste të viteve 1960 dhe 1970.
Tani shumica e tyre janë të mbuluara me kolona të gjata dhe hapësira midis tyre, e projektuar për këmbësorë, është e zënë nga parkimet e reja shumëkatëshe për makinat, të cilat, çuditërisht, janë të zbukuruara edhe ato me fasada të stilit barok.
Zona e katërt është dyqani NA-MA i Shkupit, një ndërtesë e vjetër me pamje nga sheshi kryesor i qytetit, Sheshi Maqedonia. Fasada e saj e re, e projektuar ëe t’i përshtatej “Shkupit 2014”, zuri disa metra nga vetë sheshi.
Hapja e hapësirës në vend të shembjes
Ne vazhdojmë shëtitjen tonë përgjatë Urës së Qytetërimeve, në të cilën dhjetëra statuja bronzi të figurave historike formojnë një rresht përgjatë gardhit kuazi-barok.
“Ura përfundon direkt në një ndërtesë (Muzeu Arkeologjik) gjë s’është normale. Në të majtë dhe të djathtë ka kalime të ngushta, kështu që kur duhet të kalojë një grup i madh, bëhet trafik,” vëren ai.
“Lëvizja me biçikletë është e pasigurt. Dhe brenda, një holl i tërë është i papërdorur. Kolonat janë 1.40 metra të gjera, kështu që ne parashikojmë heqjen e të gjithë dekorit, që do t’i ulte shtyllat deri në 70 cm gjerësi, vetëm themelet e betonit, ndërsa holli do të hapet si një kalim përmes ndërtesës për të dalë në anën tjetër,” shpjegon Ivanovski.
Ai dhe ekipi i tij morën projektet origjinale për ndërtesat dhe, mbi këtë bazë, si dhe në bazë të hulumtimeve të tyre në terren, hartuan idetë e tyre.
Tani po ecim drejt ish-selisë së Bankës Tregtare të Maqedonisë, e cila tani është e rrethuar dhe është lënë në hije nga ndërtesat e “Shkupit 2014”.
Fillimisht, nga tarraca e saj trekëndore, shikuesit mund të shihnin lumin. Por tani struktura e gjatë dhe e ngushtë që formon selinë e re të Agjencisë për Komunikime Elektronike, AEC, ka hyrë midis saj dhe lumit, duke bllokuar plotësisht pamjen dhe duke e bërë tarracën të papërdorshme.
Për ta bërë akoma më të zymtë pamjen, ndërtuesit e ndërtesës së re i lanë zyrat që ndodhen përballë kësaj tarrace pa asnjë dritare.
“Pse duhet të lihet e papërdorur një hapësirë si kjo, kur në vend të kësaj, ajo mund të hapet të paktën në katin përdhes dhe të shndërrohet në një hapësirë publike të mbuluar, e cila do të jetë në dispozicion për t’u përdorur për të pushuar në rast shiu, vape e rastesh të ngjashme? shton Ivanovski.
Memento i një epoke të harruar
Megjithatë, një objekt duhet të shkatërrohet, thotë ai – kolonada masive e quajtur “Maqedonia e Pavarur”, e cila është zbukuruar me luanë të mëdhenj prej bronzi dhe me statuja të muzave të arteve, e vendosur midis ndërtesës së AEC dhe të Zyrës së Prokurorit Publik.
Ivanovski thotë se ajo është një pengesë midis dy hapësirave të hapura, bregut të lumit dhe sheshit pas rreshtit të ndërtesave të reja, sepse është bërë në një mënyrë të tillë saqë kalimi midis shtyllave dhe statujave është shumë i vështirë; ato duhet të anashkalohen.
“Këtu mund ta lidhim të gjithë hapësirën me shkallët që të zbresin në lumë, si një amfiteatër ku mund të organizohen evente. Këtu kemi institucione si Opera dhe Baleti maqedonas, Filarmonia dhe shkolla e muzikës dhe një hapësirë e tillë me siguri do të përdorej,” thotë ai.
Statujat, shton ai, nuk kanë pse të hidhen. Një pjesë e parkut të madh nëntokësor të ndërtuar nën këto ndërtesa mund të jepet me qira dhe statujat të vendosen atje, si kujtesë e një plani për të ridizenjuar qytetin, si Muzeu Memento në Budapest, ku mbahen statujat që janë hequr nga epoka komuniste nga hapësirat publike.
Më tej, një tjetër urë për këmbësorë, Ura e Arteve, përfundon gjithashtu direkt në një ndërtesë, në Prokurorinë Publike.
Edhe pse ai nuk ka marrë planimetritë e kësaj ndërtese për arsye sigurie, Ivanovski thotë se mund të shihni se sa hapësirë boshë ka në katin e parë. Kjo mund të hapet edhe për publikun duke ndjekur të njëjtin parim.
Ideja për Ministrinë e Jashtme fqinje është e ngjashme. Amfiteatri që tani është i mbyllur në katin përdhes mund të shndërrohet në një hapësirë të disponueshme ku mund të bëhen video projeksione dhe evente të tjera.
Tani për tani, këto projekte janë vetëm koncepte.
Nëse autoritetet i vënë ato ndonjëherë në zbatim, do të nevojitet më shumë punë për detajet derisa të fillojë puna e vërtetë në terren.
Arkitekti thotë se nuk ka rëndësi nëse dikujt i pëlqen apo jo stili arkitekturor i këtyre ndërtesave. Ajo që ka rëndësi është që ato zunë dhe bllokuan shumë hapësirë dhe se duhet të bëhet çdo përpjekje e mundshme për ta liruar atë hapësirë.