Kryetarja e Partisë Socialiste Bullgare Korneliya Ninova mendon se demokracia i ka marrë popullit bullgar “kujdesin shëndetësor, arsimin dhe sigurinë”, duke shkaktuar tallje dhe zemërim mes popullsisë.
Bullgarët reaguan me zemërim dhe tallje përmes rrjeteve të medias shoqërore ndaj një deklarate elektorale të kryetares së Partisë Socialiste të vendit Korneliya Ninova, e cila u duk se kritikoi demokracinë për të gjitha problemet e vendit.
Duke kritikuar rivalët e vet politikë gjatë fushatës për zgjedhjet e 26 marsit, Ninova nxiti ndjekësit e saj të marrin pas “lirinë, komoditetin dhe dinjitetin”.
“Demokracia mori shumë gjëra nga ne. Na mori kujdesin tonë shëndetësor, arsimin, sigurinë, por na dha ne lirinë për të menduar,” tha ajo sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të partisë së saj. “Ky burrë,” shtoi ajo duke folur për kryeministrin Boyko Borissov të partisë së djathtë GERB, “na mori edhe lirinë”.
“Korneliya është tallur me gjeneratat e bullgarëve që dhanë jetën e tyre për një vend të lirë dhe demokratik… një vend ku partia e saj varrosi lirinë dhe demokracinë për gjysmë shekulli,” komentoi ish-ministri i jashtëm i vendit Nickolay Mladenov në Facebook, duke i bërë thirrje udhëheqëses socialiste të kërkonte ndjesë. Partia Socialiste e Bullgarisë është trashëgimtare e Partisë Komuniste të Bullgarisë.
“Kjo qe goditja e fundit… Çfarë arogance pa kufi. Këta njerëz nuk kanë as turp e as moral,” deklaroi Victor Stoyanov, muzikant dhe kandidat për deputet nga partia e re liberale “Po, Bullgaria”, ndërsa postimi i tij u shpërnda me shpejtësi të dielën.
Të tjerë u tallën me kryetaren socialiste, duke rikujtuar se para demokracisë kishte gjithashtu rradhë të gjata për të blerë ushqime, ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, frikë dhe cenzurë, gjëra që demokracia ia ka marrë bullgarëve që nga rënia e komunizmit në vitin 1991.
Ninova, e cila e ka rritur mbështetjen për partinë e saj që kur u bë gruaja e parë kryetare e një partie majin e kaluar, i hodhi poshtë kritikat duke sugjeruar se fjalët e saj qenë nxjerrë nga konkeksti.
“Demokratë falsë, mjaft qatë,” u përgjigj ajo, duke këmbëngulur se partia socialiste qe e vetmja parti që ka mbrojtur parimet e demoracisë gjatë qeverisjes së GERB.
Sipas sondazheve, ditët e fundit të fushatës për zgjedhjet e parakohëshme në Bullgari do të luajnë një rol vendimtar në përcaktimin e fituesit.
Sondazhi më i fundit i Gallup International Bullgari, i publikuar të dielën, i dha Partisë Socialiste një avantazh të vockël prej 0.4 për qind të votave. Sipas sondazhit, Socialistët mund të marrin 30,3 për qind, ndërsa GERB mund të marrë 29.9 për qind.