Në protestat më të mëdha të historisë së tyre të kohëve të fundit, shumë kubanët demonstruan kundër qeverisë së tyre dhe keqmenaxhimit të pandemisë nga ana e saj, vetëm për t'u përballur me shtypjen e një regjimi sklerotik.
Për herë të parë në mbi 60 vjet, mijëra kubanë, në më shumë se 20 qytete në të gjithë ishullin, dolën në rrugë duke thirrur “liri” dhe “poshtë diktatura”.
Presidenti Miguel Díaz-Canel doli drejtpërdrejtë në televizionin kombëtar dhe i bëri thirrje ndjekësve të tij të dilnin në rrugë për t'u “përballur” me demonstruesit, të cilët i etiketoi si “mercenarë”.
“Urdhri për të luftuar është dhënë; revolucionarët të dalin në rrugë! ” tha ai. Diaz-Canel ka fajësuar për krizën aktuale të Kubës armikun e saj të zakonshëm: SHBA-në. Embargoja tregtare prej dekadash me SHBA-në u shtrëngua edhe më shumë nga administrata Trump, gjë e cila çoi në mungesa të mëdha në ushqime dhe ilaçe. Administrata Biden nuk e ka rishikuar ende politikën e SHBA-së mbi Havanën.
Qeveria i është përgjigjur ashpër protestave duke arrestuar me qindra njerëz. Në rrjetet sociale janë postuar video të shumta ku duken forcat e sigurisë teksa ushtrojnë dhunë ndaj demonstruesve.
Protestat janë historike, pasi në vend operon një sistem njëpartiak dhe kundërshtimi ndaj qeverisë, të tilla si protesta në shkallë të gjerë, nuk lejohet.
Atëherë, çfarë i shkaktoi demonstratat e paprecedente kundër regjimit? Në vazhdim do të kemi pesë pikat kryesore që shpjegojnë protestat e paprecedente në Kubë.
Larg Havanës
Protestat filluan në San Antonio de los Baños në provincën Artemisa dhe Palma de Soriano në provincën Santiago. Të dy janë qytete të vogla dhe relativisht larg nga kryeqyteti i vendit, Havana. Ata ishin të parët që thyen tabunë dhe organizuan protesta që janë ndër më të mëdhatë që nga revolucioni Kuban i vitit 1959.
Sipas gazetarëve lokalë, të cilët kanë postuar video dhe fotografi në rrjetet sociale, qindra kubanë dolën në rrugë në të dy qytetet të dielën më 11 Korrik, për të thirrur “Liri, liri!”. Lajmet dhe pamjet e asaj që po ndodhte në San Antonio de los Baños dhe Palma Soriano shpejt mbërritën në pjesë të tjera të vendit përmes rrjeteve sociale.
Ndoshta përmasat e vogla dhe largësia relative e këtyre dy qyteteve nga Havana, qendra e pushtetit autoritar, ishin një faktor përcaktues për kubanët e zakonshëm, lodhja e të cilëve ka qenë prej kohësh e dukshme, por që ende nuk kishin ndërmarrë hapin e guximshëm për t'u përballur me regjimin.
Koronavirusi dhe problemet e tij
Protestat vijnë ndërsa Kuba vuan shpërthimin e saj më të keq të pandemisë, me një valë të tretë infektimesh të përqendruar në Havana. Më 10 korrik, ishulli raportoi shifrat më të larta ditore të infektimeve dhe vdekjeve për shkak të COVID-19: 6,923 të infektuar dhe 47 vdekje.
Ka pasur ankesa për nën-raportim të numrit aktual të të sëmurëve dhe të vdekurve pas një krize shëndetësore ashpërsinë e së cilës qeveria refuzon ta pranojë. Regjimi është zotuar se ka krijuar një vaksinë që do të ishte krenaria e kujdesit shëndetësor kuban.
Ishulli e mbajti pandeminë nën kontroll muajt e parë të 2021, por tani po sheh valën e tij më të keqe që kur COVID-19 mbërriti në Amerikën Latine dhe Karaibe. Javën e kaluar, ishulli theu rekordet e tij ditore sa i takon numrit të infektimeve dhe vdekjeve, duke bërë që shërbimet shëndetësore të kolapsojnë. Ka pasur gjithashtu raste kur pacientët vdesin nga COVID-19 ose sëmundje të tjera në shtëpi sepse spitalet janë plot.
Mijëra protestues kanë postuar fotografi të spitaleve në rrjetet sociale. Presidenti Díaz-Canel theksoi më 11 korrik se kjo ishte hera e parë që Kuba përjetonte një krizë shëndetësore të kësaj shkalle. Ai gjithashtu theksoi se vendi kishte krijuar vaksinën e tij, Abdala. Ajo nuk është testuar nga studiuesit dhe nuk është aprovuar për përdorim jashtë Kubës.
Kriza ekonomike
Ishulli varet kryesisht nga turizmi, i cili është goditur rëndë nga pandemia, me efekte të thella në ekonominë tashmë të dobësuar të Kubës.
Shtoji kësaj inflacionin në rritje, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe mungesat e ilaçeve dhe produkteve ushqimore bazike, të cilat po bëjnë që njerëzit të mbajnë radhë për orë të tëra. Flitet për uri në një ishull që gjithmonë ka pretenduar se revolucioni do të sillte bukë, arsim dhe shëndet për të gjithë.
Në fillim të vitit 2021, qeveria propozoi një paketë reformash ekonomike, të cilat rritën pagat, por gjithashtu bënë që çmimet të rriteshin shumë. Viti gjithashtu nisi me zhvlerësimin e pesosit dhe lejimin e përdorimit të dollarit amerikan që ishte ndaluar që nga viti 2004. Kthimi te përdorimi i dollarit, plus mungesa e likuiditetit të monedhës së huaj, bëri që qeveria të lejojë “dyqanet e dollarit”, ku mund të blihen gjëra të domosdoshme me një monedhë ndryshe nga ajo me të cilën paguhen shumica e pagave të popullsisë.
Ilaçet, përveç vaksinave të prodhuara në Kubë, janë në mungesë dhe në farmaci ose qendra mjekësore nuk ka qetësues dhimbjesh. Situata u bë aq serioze muajin e kaluar, saqë qeveria vendosi të pranojë dollarë cash. Fluksi i remitancave nga jashtë është një litar shpëtimi, burimi i tretë më fitimprurës i të ardhurave për qeverinë, por një që megjithatë i jep fund idesë së supozuar të barazisë socialiste.
Internet falas
Ndërsa Fidel Castro ishte në pushtet, qasja në internet në Kubë ishte pothuajse plotësisht e kufizuar. Ishte vëllai i tij, Raul, i cili hapi rrugën për një hapje graduale duke lejuar internetin në ishull.
Që atëherë, kubanët kanë përdorur rrjetet sociale për të denoncuar gabimet dhe abuzimet e regjimit dhe kanë detyruar autoritetet të përgjigjen. Sot, një pjesë e madhe e popullsisë, veçanërisht kubanët e rinj, kanë qasje në Twitter dhe Facebook, të cilat, siç kanë treguar protestat në Kolumbi dhe Kili, mund të mobilizojnë një mbështetje të madhe. Të dy këto rrjete sociale janë bërë forume të zgjedhura për kubanët të cilët nuk besojnë më në prononcimet zyrtare të gazetës Granma të stilit sovjetik. Deri vonë, Granma ishte i vetmi burim informacioni në ishull.
Në nëntor të vitit 2020, në Kubë u organizua një tjetër demonstratë tërësisht në rrjetet sociale, pasi policia sulmoi shtëpinë e artistëve të rinj. Më 11 korrik, rrjetet sociale shkaktuan edhe një herë protesta kombëtare pasi San Antonio dhe Palma Soriano morën kryesimin.
Protestat aktuale nuk do të ishin të mundura pa pushtetin e internetit, të cilin regjimi e shkëputi në rreth 60% të ishullit. Qarkullimi i lirë i informacionit është një kërcënim për një regjim që nuk mund t'i shpëtojë historisë së tij të autoritarizmit.
Abdala
Vaksina e zhvilluar në Kubë nuk është aprovuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nuk i është nënshtruar provave klinike të verifikueshme. Pavarësisht kësaj, Qendra Shtetërore Kubane për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore (Centro Estatal de Medicamentos Equipos y Dispositivos Médicos de Kuba) pretendon se Abdala ka 92% efikasitet.
Problemi me vaksinën kubane është se ajo nuk është verifikuar në nivel ndërkombëtar dhe se shpërndarja e saj ka qenë mjaft e kufizuar deri më tani. Kjo do të thotë që, pas Haitit, ishulli ka një nga shifrat më të ulëta të njerëzve të vaksinuar në hemisferën perëndimore, me implikime potencialisht katastrofike duke marrë parasysh shtimin e pranisë së variantit delta të COVID-19.
Kubanët po ngrihen, për herë të parë në dekada, për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tyre që u janë mohuar prej kohësh. Shumë liderë në të gjithë rajonin janë bashkuar me Bashkimin Evropian teksa ky i fundit i bën thirrje SHBA-së të heqë embargon ndaj Kubës dhe të lejojë tregtinë e lirë. Nëse vaksinat e miratuara ndërkombëtarisht për COVID-19 lejohen në Kubë, ky mund të jetë hapi i parë përgjatë rrugës së një tranzicioni drejt demokracisë. Kjo do të dukej se ishte mënyra e vetme për t'u ballafaquar me sistemin politik të Kubës.
Një pjesë e së majtës së Amerikës Latine dhe asaj evropiane refuzon të njohë provat: Kuba është një diktaturë që ka zgjatur shumë. Qeveria Díaz-Canel tani duhet të largohet nga logjika e saj, të shpërfillë hijen e Kastros, të shmangë tundimin për të shtypur protestat dhe t'i japë kubanëve një mundësi të dytë për të qenë të lumtur dhe të lirë.