Interviste22 Oct 2018

Kufijtë mund të jenë pjesë e bisedimeve Kosovë-Serbi

Ish-ndërmjetësi britanik Robert Cooper thotë se shkëmbimet territoriale nuk duhet të përjashtohen në përpjekjen për një marrëveshje përfundimtare – ndërkohë që paralajmëroi se bisedimet ende “nuk janë mjaftueshëm të detajuara”.

Autor: Maja Zivanovic BIRN Beograd
Printo

Robert Cooper. Foto: Flickr/BSF/Aleksandar Andjic

Serbia dhe Kosova duhet të vazhdojnë me përpjekjet e tyre për të arritur një zgjidhje, ndoshta duke përfshirë edhe shkëmbimet territoriale, pavarësisht nga reagimi ndërkombëtar, tha për BIRN ish-ndërmjetësi britanik në dialogun Beograd-Prishtinë, Robert Cooper.

Cooper, i cili mbikëqyri negociatat teknike midis dy palëve që nga fillimi i tyre në vitin 2011 deri në vitin 2012, tha se të dy vendet duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të arritur një marrëveshje përfundimtare, duke pasur parasysh pasojat për rajonin.

“Mendoj se nëse ia vlen ta bëjnë, atëherë vlen të këmbëngulësh kundër reagimit ndërkombëtar. Në njëfarë mënyre, kjo tregon se jeni seriozë,” tha për BIRN Cooper, i cili tani është anëtar i Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Ai shtoi se nëse presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të dalin me një marrëveshje të mundshme, përpara se ta vënë atë në zbatim, ata duhet të sigurojnë komunitetin ndërkombëtar se i kanë menduar implikimet për rajonin.

“Njerëz të ndryshëm kanë mendime të ndryshme. Nga ana ime, nuk e kuptoj pse ekziston një analogji me Bosnjën. Nëse lidershipi boshnjak i gjithë do të binte dakord për diçka dhe do të thoshte ‘Ne duam të ndryshojmë kufijtë’, mendoj se BE-ja do të ishte e kënaqur,” tha ai.

“Por kufijtë janë gjithmonë të ndjeshëm dhe duhet të jeni të kujdesshëm. Nuk mjafton vetëm që udhëheqësit të bien dakord. Njerëzit më të interesuar – ata që jetojnë atje – duhet të konsultohen gjithashtu,” shtoi Cooper, i cili ka mbështetur perspektivën e një shkëmbimi toke midis Serbisë dhe Kosovës.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Beogradi ka thënë se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e provincës së saj të mëparshme. Megjithatë, një parakusht për suksesin e ofertës së Serbisë në anëtarësimin në BE është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Lidershipi i Serbisë, përfshirë presidentin Vuçiç, mendohet të jetë duke konsideruar një shkëmbim territorial si një mënyrë për të zgjidhur përfundimisht mosmarrëveshjen dhe kështu të ecë përpara me aspiratën e Serbisë për anëtarësimin në BE.

Ideja ka hasur mosmarrëveshje nga opozita serbe, nga shumë serbë dhe shqiptarë të Kosovës dhe nga disa vende të BE-së, si Gjermania.

Megjithatë, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i presidentit të SHBA, Donald Trump, John Bolton, tha në gusht se Uashingtoni nuk do të kundërshtonte domosdoshmërish një shkëmbim territorial nëse Serbia dhe Kosova bien dakord për të.

Cooper, një diplomat britanik, synonte të bindte të dyja palët që të vazhdonin dialogun e tyre në vitin 2011 dhe 2012 për çështje të tilla si telekomunikacioni, energjia, pjesëmarrja e Kosovës në organizatat rajonale dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura më herët në dialog.

“Tani, shumica e marrëveshjeve janë zbatuar,” vuri në dukje ai.

“Unë ende mendoj se mund të bëhet një marrëveshje përfundimtare dhe prandaj jam i kënaqur që presidenti Vuçiç po e bën atë,” tha ai.

I pyetur nëse një marrëveshje përfundimtare midis Beogradit dhe Prishtinës mund të arrihet këtë vit ose vitin e ardhshëm, Cooper theksoi se negociatorët kanë ende në rrugë të gjatë.

“Nuk mendoj se ka një propozim zyrtar për një zgjidhje. Unë nuk mendoj se bisedimet janë bërë mjaftueshëm të detajuara, sepse në momentin që përpiqesh ta shkruash diçka, bëhet më e vështirë. Kështu që mendoj se përpara ka një rrugë mjaft të gjatë,” tha ai.

Ish i dërguari në bisedimet Kosovë-Serbi tha se duhet të kuptohet se bisedimet janë shumë komplekse.

“Nëse jeni duke folur për ndonjë marrëveshje në lidhje me territorin, duhet të vendosni se ku është vija dhe të dyja palët bien dakord pikërisht për atë vijë; ose duhet të bini dakord për një procedurë për të vendosur vijën,” tha ai.

Robert Cooper. Foto: Flickr/BSF/Aleksandar Andjic

Hapi i ardhshëm do të ishin garancitë.

“Kushdo që e bën këtë, duhet gjithashtu të japë garanci shumë të forta dhe me garanci të forta nuk do të thotë vetëm fjalë, e kam fjalën për institucione, nëse është e mundur, institucione të përbashkëta, për trajtimin e duhur të pakicave. Sepse, çfarëdo që të bëni me kufijtë, do të mbeten pakica,” vuri në dukje ai.

Presidenti i Kosovës Thaçi tha më 8 gusht se një marrëveshje mund të arrihet me Beogradin, në të cilën tre komunat me shumicë kryesisht shqiptare në Serbinë jugore, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc të bëheshin pjesë e Kosovës.

Nga ana tjetër, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, tha për mediat kohët e fundit se negociatat mbi të tri komunat nuk ishin një opsion dhe zyrtarët e Kosovës nuk duhet të vazhdojnë t’i përmendin ato.

Ndërkohë, shumë spekulojnë se Serbia dëshiron që qyteti i Mitrovicës në Kosovë të bëhet pjesë e Serbisë.

Cooper tha gjithashtu se, si me çdo negociatë, pjesa më e vështirë e një marrëveshjeje është “shitja e saj tek populli juaj”.

“Për secilën palë, ky është gjithmonë problemi i vërtetë. Problemi nuk është vetëm nëse Vuçiç dhe Thaçi janë dakord. Duhet të ketë një konsensus,” shtoi ai.

Cooper tha gjithashtu se çdo paketë që përfshin njohjen e Kosovës nga Serbia duhet të përfshijë gjithashtu një marrëveshje mbi liqenin strategjik të Gazivodes në veri të Kosovës.

Në shtator, presidenti i Kosovës Thaçi bëri një vizitë të rrallë në veriun e mbizotëruar nga serbët, duke ndalur në qytetin e Zubin Potokut dhe duke bërë një udhëtim me varkë në liqenin e diskutueshëm aty pranë.

Kjo shkaktoi një reagim të ashpër nga zyrtarët serbë. Drejtori i policisë së Serbisë i vuri të gjitha njësitë speciale të policisë në gjendje gatishmërie.

“Zgjidhja është t’i bëjmë gjërat së bashku. Pra, ndoshta liqeni i Gazivodes mund të jetë një vend për bashkëpunim dhe jo për konflikt,” përfundoi Cooper.