Reportazh21 Jun 2021

Kukësi hap flatrat drejt së ardhmes me aeroportin e ri

Hapja e aeroportit ‘Flatrat e Veriut- Zayed’ e ka bërë emergjente nevojën për investime në infrastrukturë dhe hoteleri, megjithatë autoritetet vendore mbeten optimiste se kërkesa për fluturime me kosto të ulët drejt Kosovës do të shërbejë si katalizator për turizimin dhe vende të reja pune.

Autor: Bashkim Shala BIRN Kukës
Printo

Aeroporti i Kukësit “Zayed, Flatrat e Veriut”

Eskavatorët dhe automjetet e tonazhit të rëndë vazhdojnë punën në brendësi të pistës së aeroporti të Kukësit, tre javë përpara nisjes së fluturimeve drejt Zyrihut dhe Stambollit.

“Në aeroport po kryhet  dora e fundit e punimeve siç janë sistemimi i dherave në anë të pistës, asfaltimi i rrugëve dytësore që do të shërbejnë për doganat, magazinat, shërbimin zjarrfikës, si dhe përfundimi i plotë i sistemit të ndriçimit në aeroport,” shpjegoi Korab Axhami, shef i sektorit juridik në aeroportin ndërkombëtar ‘Flatrat e Veriut- Zayed’ në Kukës.

Axhami ishte i vetmi përfaqësues i administratës që gjendej në mjediset e aeroportit javën e shkuar, pasi drejtuesit e tjerë – përfshirë edhe drejtorin e përgjithshëm Altin Progonati, ndodheshin prej ditësh në Tiranë për të shoqëruar stafin në trajnime për nisjen e fluturimeve me 15 korrik – datë e cila u njoftua nga kryesministri Edi Rama nëpërmjet rrjetit social ‘Facebook’.

“Se ç’ishin ca miq që thoshin Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit ishte sa për fushatë, po unë s’bëj asgjë sa për fushatë dhe çfarë bëj e them e çfarë them e bëj,” shkroi Rama duke iu përgjigjur kritikëve dhe duke i ftuar ndjekësit të udhëtojnë më çmimet e ulëta të ofruara nga kompania ajërore e ‘Air Albania.’

Aeroporti i Kukësit synon të ofrojë fluturime me kosto të ulët për pasagjerët nga Shqipëria dhe Kosova drejtë Zvicrës dhe Gjermanisë, dy vende me një diasporë të madhe shqipfolëse me origjinë nga të dyja anët e kufirit që ndan shqiptarët në dy shtete në Ballkan.

Fillimi i fluturimeve ka rritur kërkesat nga investitorë të mundshëm për sipërmarrje në hoteleri dhe turizëm, por autoritetet vendore paralajmërojnë se më emergjentet janë projektet në infrastrukturë që lidhin aeroportit e ri me qytetin e Kukësit dhe zonat me potencial të zhvillimit të turizmit malor.

Ata shpresojnë aeroporti do të sjellë së bashku me trafikun e shtuar ndërkombëtar vende pune si dhe të ardhura shtesë në buxhetin e bashkisë Kukës, një nga rajonet më të varfëra të Shqipërisë.

“Fillimisht do të jenë 300-400 të punësuar, ndërsa kur të fillojë aeroporti me kohë të plotë do të ketë rreth 1 mijë të punësuar,” tha kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici.

Ish hotel-turizmi I Kukesit , i ndertuar ne fund të viteve 80-të të shekullit kaluar, asokohe ka qenë krenaria e turizmit shqiptar, tashmë I shndërruar në germadhë dhe i braktisur

Krybashkiaku i tha BIRN se hapja e aeroportit të ri pritet të shoqërohet në një valë investimesh në infrastrukturë. Mes projekteve të rëndësishme ai përmendi rrugën Kolesian-Laku i Tejës, e cila do të lidhet edhe me fshatin malor të Shishtavecit dhe ka një vlerë prej 3 miliardë lekësh (25 milionë euro), si dhe rrugën e Bjeshkëve. Gjeci gjitashtu theksoi se ka filluar faza e prokurimit me një vlerë prej 2.5 milionë euro për muzeun nëntokesor të Kukësit, ku do të ndërtohen lokale verëtarie dhe të pijeve të tjera të zonës. Ai gjithashtu shtoi se do të ndërtohen bujtina druri për turistët në Shishtavec, në shtegun që vjen nga Dragashi i Kosovës, në afërsi të pikë-kalimit kufitar midis dy vendeve.

Duke i paraprirë rritjes së interesit për investime, më 23 dhjetor Këshilli Bashkiak i Kukësit rriti taksën e ndikimit në infrastrukturë nga 4 për qind në 6 për qind, një vendim që u kritikua nga shoqatat e biznesit.

Megjithatë, kryebashkiaku Gjici e motivoi këtë vendim me hapjen e  aeroportit dhe ndikimin që pritet të kenë investimet e reja në infrastrukturën e qytetit. Gjici theksoi se kërkesa për investime në hoteleri ishte rritur.

“Ka kërkesa për investime në sektorin e hotelerisë, por në radhë të parë duhet të ndryshojë plani rregullues për t’i hapë rrugë investimeve në sektorin e hoteleri-turizmit,” theksoi ai.

Mes strukturave që shihet me interes nga investitorët është dhe ish-ndërtesa e shkatërruar hoteleri turizmit, e cila është mbajtur peng për një kohë të gjatë nga konflikti mbi pronën mbi të cilën është ndërtuar.

I ndërtuar në fund të viteve 80’ në vendin më piktoresk të qytetit, në një sipërfaqe të gjelbëruar dhe me një numër të madh drurësh dekorativ, ky hotel që asokohe ka qenë një nga krenaritë e turizmit shqiptar, tashmë është thuajse i shndërruar në një germadhë.

“Trualli ku është ndërtuar hoteli ka pronarë “de facto”, por këto pronarë nuk kanë asnjë lloj dokumentacioni që i vërteton ato si të tillë,” shpjegoi Gjici.

“Një investitor kuksian me aktivitet në Durrës ka kërkuar që ta blejë hotelin dhe ta vejë atë në funksion, por ka hasur në pengesë nga të ashtëquajturit  pronarë të truallit,” shtoi ai.

Projekti i ndryshuar për bypass-in e aeroportit të Kukësit

Ndërtimi i aeroportit ndërkombëtar dhe fillimi i fluturimeve, përveç të mirave ka sjellë edhe telashe për kuksianët. Për të lidhur aeroportin me Rrugën e Kombit është ndërruar projekti i ‘bypass’-it, duke i detyruar mjetet të udhëtojnë deri në Gostil për të hyrë në qytet. Më parë ka qenë planifikuar që hyrja dhe dalja për në Kukës të bëhej permes një rrethrrotullimi në hyrje apo dalje të urës së madhe që po ndërtohet mbi liqenin e Fierzës.

Projekti i ndryshuar i hyrjes së qytetit ka ngritur shqetësimin e banorëve të Kukësit, shoqërisë civile, bizneseve, duke e shtyrë pushtetin vendor të apelojë qeverinë dhe kompaninë koncesionare të autostradës Milot-Morinë për zgjidhje.

“Si bashki i kemi dërguar shkresa zyrtare kryeministrit Rama, Ministrisë Infrastrukturës, Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe koncensionarit për ndërtimin e bypass-it që do të mundësojë hyrjen e mjeteve në qytet nga ura e vjetër mbi Drinin e zi, që njihet si ura e Mamëzit,” tha kryebashkiaku Safet Gjici, i cili shtoi se shqetësimi i banorëve dhe bizneseve “është i drejtë.”