Analize27 Apr 2021

Kukësi nuk impresionohet nga aeroporti, voton thellë Partinë Demokratike

Qarku në të cilin kryeministri Edi Rama investoi personalisht duke ulur një avion në aeroportin e palicencuar të zonës, i dha atij humbjen më të thellë që PS ka pësuar në Kukës që nga vendosja e sistemit të proporcionalit rajonal 12 vjet më parë.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Qarku i Kukësit, i cili është më i vogli në Shqipëri me tre mandate, i dha dy mandate Partisë Demokratike në opozitë si zakonisht dhe 1 mandat Partisë Socialiste por ajo që bie në sy është që PS, pavarësisht se kontrollon të treja bashkitë e qarkut që nga viti 2019 dhe pati pretenduar të marrë dy mandate për herë të parë në këtë qark, ka marrë edhe më pak vota se sa katër vjet më parë ndërsa PD ka marrë pothuajse po aq vota sa më 2009 me një pjesëmarrje shumë më të ulët.

Kuksianëve duket se nuk i ka bërë përshtypje inaugurimi për herë të disatë i Aeroportit Ndërkombëtar të Kukësit dhe as qeverisja e socialistëve përgjatë dy viteve të fundit në Bashkinë Kukës me biznesmenin Safet Gjici.

Në zgjedhjet e së dielës, vetëm 41 mijë nga 83 mijë banorë të qarkut morë pjesë në votime ose 49%. Kjo është pjesëmarrja më e ulët në historinë e zgjedhjeve pluraliste.

Nga të 41 mijë votat e hedhura, socialistët morën më pak se 14 mijë ose 36% ndërsa demokratët morën 24 mijë ose 62%. Lëvizja Socialiste për Integrim mori vetëm 64 vota.

Katër vjet më parë, PS dhe PD ishin fare pranë njëra-tjetrës në qark me një avantazh prej vetëm 1500 votash për PD-në. Kjo, si dhe fakti që socialistët kontrollojnë pushtetin vendor apo kanë investuar politikisht me premtimin e hapjes së Aeroportit të Kukësit, sugjeroi se një përmbysje për herë të parë në historinë e pluralizmit nuk ishte e pamendueshme.

Zgjedhjet e së dielës treguan se banorët e zonës nuk janë bindur nga aeroporti.

Deputetët e ardhshëm të Kukësit do të jenë: Gerta Duraku, Flamur Hoxha dhe Isuf Çelaj.

Gerta Duraku, 37 vjeç, është e bija e Shyqyri Durakut, biznesmen në fushën e naftës prej viteve ’90. Ajo ka ka studiuar ekonomi dhe në karrierën e saj profesionale ka punuar si administratore apo anëtare bordi në disa nga bizneset e të atit. Shyqyri Duraku është gjithashtu një ish-deputet i Partisë Socialiste, i zgjedhur me balotazh në vitin 2001 në Kukës.

Gerta Duraku ka lindur në Kukës, por ka banuar në Tiranë së paku që nga viti 1999 ku jeton edhe sot. [Link CV] Ajo vetë është aksionere e një kompanie ‘pikë karburanti’ me pakicë të quajtur Drini Petrol sh.p.k, ndërsa babai i saj rezulton pronar i disa kompanive, EURODRINI – DP, Vila Duraku, ColJoy Technology, Linza Resort e të tjera.

Flamur Hoxha, 53 vjeç, i cili njësoj si Duraku, ka lindur në Kukës, por jeton në Tiranë.

Sipas CV-së së tij [Link], ai ka qenë anëtar i grupseksionit të Partisë Demokratike në Durrës që nga viti 1991 dhe kandidat për deputet në zonën Kamëz-Paskuqan në vitin 2017. Hoxha është pronar i kompanive KLER të prodhimit fason si dhe i kompanisë së ndërtimit FB-ART.

Fabrika e tij është e profilizuar në prodhim këmishash për eksport. Ai është larguar nga administrimi i kompanisë në vitin 2007 dhe kompania është sot është nën pronësinë 100% të Ermira Hoxhës.

Isuf Çelaj, i cili gjithashtu jeton në Tiranë, ndërsa ka lindur në Tropojë. Çelaj, 57 vjeç, është diplomuar për veterinari dhe për drejtësi (me korrespondencë), dhe aktualisht është i punësuar si menaxher në kompaninë Gener 2. Ai ka punuar më herët si drejtor në Ministrinë e Brendshme dhe në kompani private dhe u zgjodh deputet i PD-së në Kukës në vitin 2017. Ai dha dorëheqjen nga mandati më 2019. [Link CV]

Votat pëlqyese nuk janë numëruar ende të tëra por Flamur Hoxha i PD rezulton deputeti më popullor në qark ndërsa Gerta Duraku ka marrë më shumë vota pëlqyese nga votuesit socialistë.