Të paktën 6 persona, përfshi një ish-oficer policie, akuzohen nga Prokuroria për Krimet e Rënda për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal në kultivimin e kanabisit në zonën e Vlorës. Grupi u godit një vit më parë, kur u arrestua 11 persona, por një pjesë e tyre po hetohen nga Prokuroria e Vlorës vetëm për kultivim, ndërsa dy të tjerë për akuzën e moskallzimit të krimit
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon nisjen e gjykimit për një grup prej 6 personash, përfshi edhe një ish-oficer policie, të cilët akuzohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe kultivues të hashashit në zonën e Vlorës. Grupi u godit nga policia një vit më parë pas hetimeve të prokurorisë, kur u sekuestruar edhe mbi 7500 rrënjë kanabis, 11 persona u arrestuan ndërsa u shpall në kërkim oficeri i policisë Renaldo Avdylaj.
Prej 11 të arrestuarve Prokuroria për Krimet e Rënda ngriti akuzë për 8 prej tyre, ndër të cilët 6 përfshi oficerin e policisë Avdylaj dhe Taulant Haxhiraj që është cilësuar si kreu i grupi, akuzohen për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, ndërsa dy të tjerë akuzohen për moskallëzim krimi. Çështja ndaj katër persona të tjerë të akuzuar vetëm për kultivim të narkotikëve është veçuar dhe i ka kaluar Prokurorisë së Vlorës.
Në një njoftim për mediat prokuroria bën me dije se për “kryerjen e veprave penale “Kultivimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Pjesëmarrjes në grupin e strukturuar kriminal”, “Kryerjes së veprave nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, akuzohen shtetasit: Taulant Haxhiraj, Renaldo Avdyli, Shkëlqim Koçiaj, Xhovalin Baço, Reshat Radhima, Marjus Bajrami”.
Për dy persona të tjerë kërkohet gjykimi për mos kallëzim krimi. Sipas Prokurorisë për Krime të Rënda grupi drejtohej nga Haxhiraj dhe ish-oficeri i policisë Avdylaj i shpallur në kërkim. “Në krye të grupit të strukturuar kriminal qëndronte shtetasi Taulant Haxhiraj, i cili, bashkëpunonte ngushtë me punonjësin e Policisë, Renaldo Avdylaj, si edhe me disa persona të tjerë. Këta të fundit kishin për detyrë marrjen e masave konkrete për kultivimin, magazinimin dhe më tej, shpërndarjen e lëndës narkotike”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Prokuroria thitë se ka provuar dhe ka mbledhur të dhëna, “për aktivitetin kriminal të disa grupeve” në zonën e Vlorës. Nga hetimet ajo po ashtu ka znuluar se “një grup personash (të akuzuarit), gjatë muajve Prill dhe Maj, pasi kanë siguruar me parë sipërfaqe toke, në pyll, kullota, tokë në pronësi shtet ose në pronësi dhe posedim të personave privat, që ndodhet në territorin e zonës Administrative Vlorë, kanë filluar kultivimin e sasive të mëdha të bimëve narkotike të llojit canabis sativa”.