Analize11 Jan 2017

Kurthi Kindleberger

Charles Kindleberger, një nga intelektualët arkitektë të Planit Marshall, argumentoi se dekada shkatërrimtare e viteve 1930 qe pasojë e dështimit të Shteteve të Bashkuara për të ofruar të mirat publike botërore pasi ky vend zëvendësoi Britaninë si fuqia dominuese botërore. Sot, ndërsa fuqia e Kinës rritet, a do të bëjë ky vend të njëjtin gabim?

Autor: Joseph S. Nye, Jr. Project Syndicate Kembrixh
Printo

Muri i madh i Kinës Në këtë foto të 15 marsit 2010 turistët po ecin në Murin e Madh të Kinës të mbuluar nga dëbora në veri të Pekinit. Në vitin 220 Para Erës Sonë, Kina bashkoi muret dhe fortifikatat e ndërtuara përgjatë shekujve me shpresën që do të mbronte veten nga “barbarët’ e veriut. (AP Photo/Vincent Thian, File)

Muri i madh i Kinës. (AP Photo/Vincent Thian, File)

Ndërsa Presidenti i Zgjedhur i SHBA-së Donald Trump përgatit politikën e administratës së tij kundrejt Kinës, ai duhet të shqetësohet për dy kurthe të mëdha që historia ka ngritur për të. “Kurthi i Thuciditit” cituar nga Presidenti i Kinës Xi Jinping, i referohet paralajmërimit të historianit antik grek se një luftë kataklizmike mund të shpërthejë në rastet kur një fuqi ekzistuese (si Shtetet e Bashkuara) bëhen tepër të frikësuara ndaj një fuqie në rritje (si Kina). Por Trump duhet të shqetësohet gjithashtu edhe për “Kurthin Kindleberger”: një Kinë që duket tepër e dobët në vend që të duket tepër e fortë.

Charles Kindleberger, një intelektual arkitekt i Planit Marshall, i cili më vonë u bë profesor në MIT, argumentoi se dekada shkatërrimtare e viteve 1930 u shkaktua kur SHBA zëvendësoi Britaninë si fuqia më e madhe botërore por dështoi të zëvendësojë Britaninë në rolin e ofrimit të të mirave publike botërore. Rezultati i kësaj qe kolapsi i sistemit botëror në depresion, gjenocid dhe luftë botërore. Sot, ndërsa fuqia e Kinës rritet, a do të ndihmojë ky vend duke ofruar të mira botërore publike?

Në politikat e brendshme, qeveritë prodhojnë të mira publike të tilla si polici apo mjedis të pastër, nga të cilat të gjithë qytetarët mund të përfitojnë dhe askush nuk është i përjashtuar. Në nivel botëror, të mirat publike – të tilla si klimë e qëndrueshme, stabilitet financiar apo liri të lundrimit detar – ofrohen nga koalicione që udhëhiqen nga fuqitë më të mëdha.

Vendet e vogla kanë shumë pak incentiva për të paguar për të mira të tilla publike. Për shkak se kontributet e tyre të vogla bëjnë pak diferencë mbi faktin nëse këto vende përfitojnë apo jo nga rendi botëror, është e arsyeshme për ta që të përdorin të mirat publike botërore falas. Por fuqitë më të mëdha mund të shohin efektin dhe të ndjejnë përfitimin nga kontributet e tyre. Për ta është racionale që vendet më të mëdha të udhëheqin. Por kur këta nuk veprojnë, të mirat botërore publike mungojnë. Kur Britania u bë tepër e dobët për të luajtur këtë rol pas Luftës së Parë Botërore, SHBA-ja izolacioniste vijoi të përfitojë falas, me pasoja shkatërrimtare.

Disa vëzhgues shqetësohen se ndërsa fuqia e Kinës rritet, ajo do të zgjedhë të përfitojë nga rendi botëror të cilin nuk e ka krijuar, në vend që të kontribuojë në të. Deri tani, aktiviteti i Kinës është i përzjerë. Kina përfiton nga sistemi i Kombeve të Bashkuara, në të cilin ka një veto në Këshillin e Sigurisë. Kina është tashmë financuesi i dytë më i madh i forcave paqëruajtëse të OKB-së dhe ka marrë pjesë në programet e OKB-së në lidhje me Ebolën dhe ndryshimet klimaterike.

Kina ka përfituar gjithashtu shumë nga institucionet shumëpalëshe ekonomike të tilla si Organizata Botërore e Tretisë, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Më 2015, Kina themeloi Bankën e Azisë për Investime në Infrastrukturë, te cilën disa e panë si një alternativë të Bankës Botërore; por institucioni i ri ka pranuar rregullat ndërkombëtare dhe bashkëpunon me Bankën Botërore.

Në anën tjetër, refuzimi nga ana e Kinës të gjykimit të Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit vitin e kaluar kundër pretendimeve territoriale të Kinës në Detin e Kinës së Jugut ngre disa pikëpyetje shqetësuese. Deri tani, gjithsesi, sjellja e Kinës nuk ka kërkuar të përmbysë rendin liberal botëror nga i cili përfiton, por që të rrisë ndikimin e vet brenda këtij rendi. Gjithsesi, nëse cytet dhe izolohet nga politika e Trump, a do të bëhet Kina një përfitues pa pagesë dhe trazues që e shtyn botën drejt një Kurthi Kindleberger?

Trump duhet të shqetësohet gjithashtu për Kurthin e Thucididit: një Kinë që duket tepër e fortë në vend që të duket tepër e dobët. Nuk ka asgjë të pashmangshme në këtë kurth dhe efektet e tij shpesh janë të ezkagjeruara. Për shembull, eksperti i shkencave politike Graham Allison ka argumentuar se në 12 nga 16 rastet e vërejtura që nga viti 1500 kur një fuqi ekzistuese është përballur me një fuqi në ngritje, rezultati ka qenë një luftë e madhe.

Por këto shifra nuk janë të sakta, për shkak se nuk është e qartë se çfarë përbën një “çështje”. Për shembull, Britania qe fuqia dominuese botërore në mes të shekullit të nëntëmbëdhjetë, por ajo e lejoi Prusinë të krijojë një perandori të fuqishme të re Gjermane në zemër të kontinentit Europian. Natyrisht, Britania luftoi me Gjermaninë një gjysmë shekulli më vonë, më 1914, por a mund të konsiderohet kjo si një rast përplasjeje të tillë apo dy raste?

Lufta e Parë Botërore nuk qe thjeshtë një çështje e një Britanie të fuqishme që i përgjigjej një Gjermanie në ngrije. Përveç ngritjes së Gjermanisë, Lufta e Parë Botërore u shkaktua nga frika në Gjermani për rritjen e fuqisë së Rusisë, frika e rritjes së nacionalizmit sllav dhe rënies së Austro-Hungarisë, si dhe një morie faktorësh të tjerë shumë të ndryshëm nga kushtet e Greqisë së lashtë.

Sa për analogjitë e kohës sonë, hendeku aktual në fuqi mes SHBA-së dhe Kinës është shumë më i madh se sa qe ai mes Gjermanisë dhe Britanisë më 1914. Metaforat mund të jenë të vlefshme si paralajmërime të përgjithshme, por ato bëhen të rrezikshme kur përdoren për të krijuar ndjesinë e një pashmangshmërisë historike.

Edhe rasti i Greqisë klasike nuk është aq i thjeshtë sa e bëri Thucididi të duket. Ai pretendoi se shkaku i Luftës së Dytë të Peloponezit qe rritja e fuqisë së Athinës dhe frika që shkaktoi kjo gjë në Spartë. Por historiani i Jellit Donald Kagan ka treguar se fuqia e Athinës në fakt nuk qe në rritje. Para se lufta të shpërthente në vitin 431 Para Krishtit, balanca e fuqisë kishte filluar të stabilizohej. Gabimet në politika të Athinës bënë që Spartanët të mendonin se lufta mund t’ia vlente si rrezik.

Rritja e Athinës pati shkaktuar Luftën e Parë të Peloponezit më herët atë shekull, por një armëpushim 30 vjeçar e kishte vënë flakën nën kontroll. Kagan argumenton se që lufta e dytë shkatërrimtare të fillonte, një shkëndijë duhej të binte atë vend ku zjarri nuk qe shuar tamam dhe nga ku flaka u përhap nga zgjedhjet e këqija në politika. Me fjalë të tjera, lufta u shkaktua jo nga forca impersonale, por nga vendime të këqija të ndërmarra në rrethana të vështira.

Ky është rreziku me të cilin Trump përballet me Kinën sot. Ai duhet të shqetësohet për një Kinë që është njëkohësisht tepër e dobët dhe tepër e fortë. Për të arritur objektivat e tij, ai duhet të shmangë keqllogaritjet, keqkuptimet dhe gjykimet e nxituara, të cilat kanë shkaktuar tragjedi përgjatë historisë njerëzore.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Kindleberger Trap