Lajm9 Jan 2017

Kuvendi hap procedurat për zgjedhjen e 10 anëtarëve të KLGJ dhe KLP

Kuvendi i Shqipërisë fton të interesuarit për pozicionet e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë të aplikojnë deri më 16 janar, duke startuar zbatimin në praktikë të reformës në drejtësi.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duartrokasin pasi miratuan me 140 vota paketën e ndryshimeve kushtetuese të Reformës në Drejtësi.

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duartrokasin pasi miratuan me 140 vota paketën e ndryshimeve kushtetuese të Reformës në Drejtësi.

Kuvendi i Shqipërisë hap procedurat për zgjedhjen e 10 anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke startuar zbatimin në praktikë të reformës në drejtësi. Përmes një deklarate për shtyp, Kuvendi njoftoi të gjithë të interesuarit për pozicionin e KLGJ dhe KLP që të depozitojnë pranë Sekretarit të Përgjithshëm aplikimet e tyre brenda datës 16 janar 2017.

“Të interesuarit… duhet të depozitojnë një kërkesë ku shprehin interesin për të kandiduar si dhe një kopje të dokumentacionit që kërkohet për rivlerësimin, sipas ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë,” thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë dy institucione kyçe të sistemit të ri të drejtësisë, të cilat parashikohet të funksionojnë prej muajit prill 2017. Secili prej këtyre institucioneve do të ketë nga 11 anëtarë, 6 prej të cilëve do të zgjidhen nga korpusi i gjyqtarëve ose i prokurorëve dhe pesë anëtarë për secilin Këshill nga Kuvendi.

Kushtetuta e re i jep Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të drejtën që të hapë procedurat për zgjedhjen e anëtarëve jo-gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Sipas saj, dy anëtarë për secilin këshill do të zgjidhen nga radhët e avokatëve, dy të tjerë nga trupa e pedagogëve të fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës dhe një anëtar nga radhët e shoqërisë civile.

Dhjetë ditë pasi kandidatët dorëzojnë aplikimet e tyre, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit verifikon nëse kandidatët plotësojnë kushtet e parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji, si dhe vlerëson kriteret profesionale e morale për secilin prej kandidatëve Gjyqësor dhe përgatit listën.

“Në rast se kandidatët nuk i plotësojnë kushtet dhe kriteret për t’u zgjedhur, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit nuk i përfshin emrat e tyre në listë,” thuhet në Kushtetutë.

Tre ditë pas paraqitjes së listave me kandidatët, Komisioni i Ligjeve në Kuvend ngre një nënkomision me 3 anëtarë të mazhorancës dhe dy anëtarë të opozitës. Kandidaturat për KLGJ dhe KLP i kalojnë për shqyrtim këtij nënkomisioni.

Katër nga pesë anëtarët e këtij nënkomisioni mund të vendosin që të përfshijnë në listë një kandidat të skualifikuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. Secili prej kandidatëve duhet të sigurojë gjithashtu 4 vota që të quhet i kualifikuar.

Nëse nënkomisioni dështon të sigurojë shumicën, Kushtetuta parashikon që përzgjedhja të bëhet me short. Lista me 10 kandidatët e suksesshëm duhet të votohet në Kuvend me 2/3 e votave. Nëse kjo shumicë nuk arrihet për tre raunde votimesh radhazi, kandidatët e përzgjedhur emërohen automatikisht.