Më shumë se vetëm një shans për të thënë lamtumirë, udhëtimi i fundit i Angela Merkel në Ballkan si kancelare gjermane dha disa mesazhe të rëndësishme.
Vizita dy-ditore e kancelares gjermane Angela Merkel në Serbi dhe Shqipëri më 13 dhe 14 shtator ishte e një rëndësie të madhe politike dhe strategjike për Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian.
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor aspirojnë të anëtarësohen në BE. Gjatë dy dekadave të fundit është bërë progres relativ; megjithatë, rajoni është ende i mbushur me pasiguri dhe mungesë pajtimi të plotë.
Kjo ishte një vizitë lamtumire në një rajon ku Merkel investoi shumë kohë dhe energji gjatë 16 viteve të saj në pushtet. “Zemra ime rreh për këtë rajon, edhe pse nuk do të jem më në detyrë”, tha Merkel gjatë një konference për shtyp në Tiranë.
Besueshmëria e Gjermanisë ishte gjithmonë e lartë në Ballkanin Perëndimor, shumica prej saj për shkak të Merkelit, Gjermania e së cilës ka qenë vendimtare në formësimin e debatit mbi zgjerimin e BE-së në rajon.
Megjithatë, për të ruajtur këtë besueshmëri, qeveria e ardhshme gjermane do të duhet të përshtatet me sfidat dhe rrethanat e reja që kanë të bëjnë me rajonin.
Kështu, Merkel shfrytëzoi rastin për të vizituar rajonin për herë të fundit dhe për të dërguar një mesazh të fortë, jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për qeverinë e ardhshme gjermane dhe partnerëve të Gjermanisë në BE.
Këtu janë katër përfundime të rëndësishme nga vizita e saj:
- Angazhimi i Gjermanisë vazhdon edhe pas Merkel
Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve federale gjermane këtë muaj, kancelari i ri gjerman ka të ngjarë të mbetet i përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor. Ky ishte mesazhi i parë që Merkel donte të përcillte gjatë vizitës së saj.
“Pavarësisht se si dalin zgjedhjet gjermane, çdo kancelar/e i ri/e re gjermane do ta ketë në zemër rajonin”, tha Merkel gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Gjermania, theksoi ajo, do të vazhdojë të mbështesë bashkëpunimin dhe integrimin rajonal.
Merkel e di se pritshmëritë e lidershipit gjerman janë të mëdha, sidomos pasi besueshmëria e BE-së në rajon është minuar nga mungesa e progresit në bisedimet e pranimit me Serbinë dhe Malin e Zi, vonesat e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe mungesa e liberalizimit të vizave për Kosovën.
- Procesi i Berlinit është i pazëvendësueshëm
Merkel e bëri të qartë se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë aspiratat e rajonit në BE dhe se ky angazhim do të vazhdojë përmes Procesit të Berlinit, nismës diplomatike të nisur në vitin 2014 nga vetë Merkel me qëllim ruajtën e dinamikës së integrimit në BE në rrugën e duhur.
Në vitin 2019, liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë prezantuan nismën Mini-Shengen (Ballkani i Hapur) për të rritur bashkëpunimin rajonal në rajon. Kjo përpjekje shihet kryesisht se po shkon paralelisht me Procesin e Berlinit, por ende i mungon mbështetja e qartë e BE-së dhe sigurisht e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Mendimet e ndryshme mbi nismën janë shndërruar në mosmarrëveshje të tensionuara, veçanërisht midis Shqipërisë dhe Kosovës. E para ka qenë një përkrahëse e fortë e nismës, ndërsa e dyta e sheh atë si një rrugë drejt dominimit serb në rajon.
Merkel nuk e komentoi drejtpërdrejt nismën Ballkani i Hapur, por tha se Procesi i Berlinit ishte “qendra”.
E pyetur se cila nismë duhet të mbizotërojë, Merkel u përgjigj: “Procesi i Berlinit, nëse mund ta them, është natyrisht është thelbi. Disa nga projektet në Procesin e Berlinit mund të zbatohen nga disa vende më shpejt dhe të tjerë më ngadalë, por kjo nuk e zëvendëson Procesin e Berlinit. Përkundrazi, pyetja është: a mund të ecim përpara brenda procesit të Berlinit.”
- Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa zgjidhur marrëdhëniet me Kosovën
Merkel ia bëri shumë të qartë Serbisë se nuk do të ketë anëtarësim në BE pa arritur një marrëveshje me Kosovën. Gjatë një konference për shtyp me presidentin Aleksandër Vuçiç, ajo deklaroi se “nuk ka kuptim të flasim për përfundimin e procesit të integrimit në BE para zgjidhjes së çështjes Kosovë-Serbi.”
Vuçiç duket se e kuptoi mesazhin. “Nëse pyetja është nëse jemi të vetëdijshëm se nuk do të hyjmë në BE para se të zgjidhim çështjen e Kosovës – kjo është absolutisht e qartë”, tha ai.
Gjermania ishte ndër të parat që e njohu Kosovën si shtet sovran pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 dhe që atëherë ka qenë një mbështetëse e fuqishme e shtetësisë së vendit dhe integrimit ndërkombëtar.
Kështu që, pa një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, shanset për anëtarësim në BE të Serbisë janë pothuajse inekzistente.
- Integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor është i një rëndësie gjeostrategjike
Merkel tha se BE-ja kishte një interes të konsiderueshëm gjeostrategjik për të parë që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor të pranoheshin në bllok dhe paralajmëroi për ndikimet e mundshme nga vendet e tjera, nëse BE-ja nuk vepronte mjaft shpejt në situata të caktuara. Ajo nuk e përmendi Kinën ose Rusinë me emër, por kjo ishte e qartë.
“Ne evropianët, të cilët tashmë jemi anëtarë të Bashkimit Evropian, duhet të kemi gjithmonë parasysh se ekziston një interes absolut gjeostrategjik për ne që t'i pranojmë vërtet këto vende në Bashkimin Evropian dhe ne e shohim kur ju thatë se ka hapa prapa, se ka gjithashtu ndikim nga shumë rajone të tjera të botës”, tha Merkel në Beograd.
Ndikimi i Kinës është rritur në mënyrë dramatike në rajon gjatë viteve të fundit. Pekini ka investuar miliarda, veçanërisht në Serbi, në infrastrukturë dhe mbikëqyrje. Serbia është bërë gjithashtu një qendër prodhimi për vaksinën Sinopharm të Kinës, si dhe Sputnik V. të Rusisë.
Kancelari/rja i ardhshëm gjerman ka të ngjarë të vazhdojë të mbështesë Ballkanin Perëndimor; megjithatë, do të jetë shumë e vështirë që ai/ajo të zërë vendin e Merkelit. Niveli i angazhimit në rajon do të varet nga rezultati i zgjedhjeve në Gjermani.
Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.