Lajm16 Feb 2019

Lanë të lirë të kërkuarin, arrestohet një punonjës i policisë, shefi i komisariatit në kërkim

Një punonjës i policisë së Kukësit u arrestua, ndërsa prokuroria ka kërkuar edhe arrestimin e shefit të komisariatit dhe masë sigurie detyrim paraqitje për 2 efektivë të tjerë. Ata akuzohen se lanë të lirë Naser Gashin i dënuar për trafik droge.

Autor: Elton Qyno BIRN Tiranë
Printo

Prokuroria e Kukësit. Foto:Bashkim Shala

Prokuroria e Krimeve të Rënda shpalli në kërkim shefin e komisariatit të Kukësit ndërsa gjykata miratoi arrestimin e një efektivi të kësaj policie, ndërkohë ndaj dy të tjerëve caktoi masë sigurimi detyrim paraqitjeje.

Shefi i komisariatit Agim Basha dhe tre vartësit e tij akuzohen se lanë të lirë Naser Gashin, një shqiptar i Kosovës i dënuar për trafik narkotikësh nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Prokurori i çështjes Ened Nakuçi tha se prokuroria ka hapur një hetim për akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës ndaj 4 efektivave të Drejtorisë së Policisë Qarkut Kukës, pasi dyshohen se kanë liruar nga qelia Naser Gashin, i cili ishte person në kërkim nga drejtësia Shqiptare.

Gashi u arrestua nga policia e Kukësit në pikën e kalimit kufitar në Morinë. Ai tentoi të kalonte kufirin duke përdorur një dokument të falsifikuar, por policia e ndaloi atë. Megjithatë prokurorja e çështjes e cilësoi arrestimin e paligjshëm dhe urdhëroi lirimin e Gashit sa i përket asaj akuze, nëse ai nuk mbahej në qeli për ndonjë akuzë tjetër.

Nga ana e saj policia nuk e referoi të plotë çështjen dhe ekzekutoi lirimin e Gashit pavarësisht se ndaj tij kishte ndërkohë një vendim të formës së prerë prej Gjykatës së Krimeve të Rënda me 7.4 vjet burg.

Zv/drejtori i hetimit në Drejtorinë e Policisë së Kukësit Shkëlqim Pepkola denoncoi rastin, por pretendoi se nuk u dëgjua nga eprorët ndërsa më pas u pezullua nga detyra për shkelje të etikës.

Menjëherë pas lirimit të Gashit, prokuroria nisi hetimet dhe 3 muaj më vonë ka kërkuar arrestimin e shefit të Komisariatit në Kukës Agim Basha dhe vartësit të tij Kujtim Spahiu.

Gjatë ekzekutimit të vendimit të gjykatës së Krimeve të Rënda, efektivët e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave mundën të arrestojnë vetëm efektivin e komisariatit Kujtim Spahiu. Ndërsa shefi i komisariatit Agim Basha nuk është gjetur.

“Momentalisht është arrestuar vetëm efektivi i komisariatit të Kukësit Kujtim Spahiu. Ndërsa dy policët e kufirit që shërbenin në pikën e kalimit Morinë, Ferdinand Gjeta dhe Shkëlzen Ibaj nuk janë arrestuar, por u është komunikuar masa e sigurisë detyrim paraqitje”-tha prokurori Nakuçi. As shefi i komisariatit të Kukësit nuk është ndaluar nga policia. Ai nuk ndodhet në detyrë pasi ka marë lejen e zakonshme dhe nuk dihet se ku ndodhet momentalisht.