Shfaqjet në ambiente të hapura kanë rifilluar në Durrës, por artistë dhe operatorë turistikë theksojnë se mungesa e mbështetjes nga pushteti vendor nuk mundëson një kalendar të plotë aktivitetesh kulturore gjatë sezonit të verës.
Sezoni veror në Durrës është hapur me shfaqjet e komedisë “Martesa”, përshtatje e disa veprave me një akt nga Anton Çehov.
Shfaqja e teatrit “Aleksandër Moisiu” që vjen në skenën e hapur të amfiteatrit ka ngjallur interesimin e qindra spektatorëve, të cilët vazhdojnë të mbushin arenën e lashtë.
Megjithëse komedia është konsideruar edhe si promovuese e këtij sezoni turistik, qytetit i mungon ende një kalendar artistik veror.
Regjisorja Driada Dervishi, tha për BIRN se teatri “Aleksandër Moisiu” ka paraqitur një sërë projektesh të tjerë, të cilët synojnë gjallërimin e zonës historike përmes shfaqjeve dhe koncerteve muzikore.
Por shumë pak prej tyre janë miratuar, pa folur për financimet minimale që janë parashikuar nga bashkia.
Regjisorja e teatrit flet me simpati për ekspozitën e piktores Emjona Stasi, e cila ka sjellë këto ditë në galerinë e arteve pamore rreth 100 tablo, me imazhe nga lagjet e vjetra të Durrësit, rrugicat, porta e kalasë, muret mesjetare, kullën Anzhuine dhe forumin rrethor.
“Janë të shumtë ata që po e ndjekin ekspozitën e Emjonës, por synimi për ti promovuar këto hapësira që po harrohen me anë të videove dhe shfaqjeve të shkurtëra teatrore, përsëri nuk gjeti asnjë mbështetje nga drejtoria e kulturës në bashki,” tha Dervishi.
Një mjek italian në pension, i cili ka ardhur të banojë në qytetin bregdetar, thotë se nuk gjen një kalendar artistik të këtij sezoni apo një guidë-planimetri të Durrësit.
“Për tu ngjitur në kullën anzhuine, nga e cila Durrësi duket si në pëllëmbë të dorës, më është dashur të këkoj ndihmën e kalimtarëve,” tha Michele Palmieri, i cili po përpiqet ta njohë qytetin, duke shfrytëzuar mikpritjen e banorëve që e njohin gjuhën italiane.
“Edhe pranë kullës nuk kam gjetur tabelë me të dhëna më të detajuara për monumentin apo për lidhjen e tij me muret që janë ndërtuar më herët,” shtoi ai.
Mungesa e pikave të informacionit dhe mbyllja e mjaft kioskave të tregtimit të gazetave dhe suvenireve, ka krijuar konfuzion për turistët dhe vizitorët që duan të lëvizin në qytet në mënyrë të pavarur.
Tasim Besho, ekspert i turizmit e quan problem të pazgjidhur mungesën e suvenireve me tema nga Durrësi.
“Një pjesë e dhuratave që tregtohen në dyqanet e specializuara, nuk kanë asnjë lidhje me Durrësin,” thotë Besho, duke shtuar se vetëm suveniret me mozaikun e “Bukuroshes” apo ai me torrën mesjetare të kujtojnë qytetin e lashtë.
Suveniret e pakta të Durrësit prodhohen në qytete të tjera, ndërsa mjeshtrat e pakët që vijojnë të gdhendin drurin apo të punojnë në allçi nuk kanë asnjë mbështetje.
Met Lila, një nga artizanët e hershëm që krijon modele anijesh prej druri, e ka ndërprerë punën që prej disa javësh.
“Kam 3-4 anije ende pa shitur, dhe kam frikë se do të më mbeten në shtëpi – thotë usta Meti, i cili e quan vitin e pandemisë më të vështirin e 20 viteve të fundit.
Familjarët e usta Metit i mban shpresa se këtë vit do të ketë më shumë turistë, të cilët do ta kthejnë kokën nga barkat prej druri me vela, që ustai durrsak i nxjerr në sheshin qendror të Durrësit.
Në plazhin tradicional në jug të qytetit, Dhimitër Kosho, kujton kohën kur në sektorin “Iliria” kishte një kinema verore, ndërsa në periferi instalohej çadra e cirkut të Tiranës.
“Pushuesit e moshave të ndryshme, mund të argëtoheshin përveç filmave, edhe në një shesh të madh lodrash për fëmije,” thekson Kosho, ndërsa i vjen keq që mundësitë e zbavitjes janë shumë më të pakta.
“Këtë vit priten shumë turistë, por përgatitjet për sezonin janë ende shumë të pakta,” shprehet banori i plazhit, sipas të cilit të ardhurat nga turizmi mund të rriten vetëm nëse biznesi dhe institucionet i bashkërendojnë punët..
Koncertet apo shfaqjet në hapësirën e plazheve nga Durrësi deri në Malin e Robit janë harruar prej kohësh, por edhe brenda qytetit ato nuk janë të sigurta.
Koreografi Gjergj Prevazi po përgatitet për edicionin e 17-të të Festivalit të Dancit modern dhe kontemporan, por ai ende nuk ka asnjë njoftim lidhur me miratimin e projektit dhe financimin e tij.
“Vitin e kaluar veprimtaria që u zhvillua përmes ekranit thuajse nuk u financua nga bashkia,” tha Prevazi, i cili kohët e fundit është detyruar ta zhvendosë pjesërisht festivalin në kryeqytet dhe në qytete të tjera brenda vendit, si dhe në Kosovë apo në Maqedoni.
“Shpallja në kohë e listës së projekteve fituese ndikon edhe në marrëveshjet me trupat e huaja, pjesmarrëse në Festival,” shprehet artisti.
Sipas koreografit të njohur, qytetet e Shkodrës dhe Korçës kanë gjetur rrugë alternative të komunikimit me spektatorin, duke bashkërenduar jo vetëm gjini të ndryshme të artit, por edhe figura të letërsisë lokale dhe kombëtare.
“Janë aktivitete që dëshmojnë jo vetëm impenjimin e artistëve, por edhe nxitjen dhe vlerësimin që ato marrin nga organet e pushtetit vendor,” nënvizon Prevazi.
Regjisorja Driada Dervishi thekson se Durrësi ka forca artistike me përvojë, por artistët vetë si dhe idetë e projektet që ato paraqesin nuk vlerësohen nga drejtuesit e kulturës në bashki.
“Trupa e teatrit “Moisiu” ka një veprimtari gjithëvjetore, dhe do të mjaftonte mbështetja e drejtuesve vendor për ti dhënë Durrësit atmosferën dhe gjallërinë që ai meriton edhe në stinën e verës,” përfundoi ajo.