Lajm13 May 2020

Lehtësimi i masave ndaj COVID-19, shtohen lëvizjet në këmbë

Të dhënat të bëra publike nga kompania ‘Apple’ tregojnë që lehtësimi i masave të distancimit social ka sjellë dhe rritjen e qarkullimit të këmbësorëve, ndërkohë që lëvizja e mjeteve mbetet e kufizuar.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Të dhëna të publikuara nga kompania ‘Apple’ mbi trendin e lëvizshmërisë së popullatës, tregojnë që lehtësimi i masave shtrënguese të lëvizjes  gjatë ditëve të fundit ka sjellë një rritje të qarkullimit në këmbë në Shqipëri.

Të dhënat e ‘Apple Mobility Trends’ tregojnë që në datën 10 maj qarkullimi i këmbësorëve është rritur me 24 %, dukë arritur në vlerë të barabartë me 68.8 % të lëvizjes përpara periudhës së COVID-19.

Ndërkohë të dhënat e qarkullimit me automjeteve, edhe pse kanë pasur një rritje graduale gjatë javës së fundit, vazhdojnë të qëndrojnë në nivelin e 45 % në krahasim me periudhën përpara COVID-19.

Këto të dhëna gjenerohen duke llogaritur numrin e kërkesave të bëra në ‘Apple Maps’ për udhëzime për adresa/destinacione të caktuara në vendet / rajonet dhe qytetet e zgjedhura. Disponueshmëria e të dhënave në një vend / rajon ose qytet të veçantë i nënshtrohet një numri faktorësh, duke përfshirë pragjet minimale për kërkesat e bëra gjatë një ditë.

Duke qenë së numri i kërkesave nga Shqipëria ndaj shërbimit ‘Maps’ të ‘Apple’ janë të kufizuara, të dhënat e publikuara janë në rang vendi.

Që nga shpërthimi i epidemisë së COVID-19 në Shqipëri 880 persona janë infektuar me koronavirusin e ri SARS-CoV-2.

Përveç qarkullimit të automjeteve, ulje drastike gjatë periudhës së COVID-19 ka shënuar dhe transporti ajror. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurocontrol, fluturimet në hapësirën ajrore shqiptare kanë rënë me 90 % krahasuar me një vit më parë, nga më shumë se 600 fluturime brenda një ditë në vitin 2019, në afërsisht 90 brenda një dite në periudhën e COVID-19.