Analize15 May 2019

Leksione demokratike nga BE-ja

Sistemet politike shumë të centralizuara në Poloni dhe në vende të tjera krijojnë një dinamikë të rrezikshme ku një fitues i vetëm ka pushtet absolut. Ndryshe nga kjo, sistemi i qeverisjes së Bashkimit Europian ofron një model praktik joshës për vendimmarrje demokratike më të decentralizuar.

Autor: Maciej Kisilowski, Wojciech Przybylski Project Syndicate Varshavë
Printo

Foto ilustruese Pixabay.

Kritikimi i institucioneve të Bashkimit Europian dhe kërkimi që ato të reformohen është një mënyrë e njohur për të kaluar kohën. Por ashtu siç e ka bërë të qartë edhe fronti i bashkuar i BE-së në negociatat e pafundme të Brexit, institucionet europiane janë jashtëzakonisht efektive në menaxhimin e diversitetit politik. Sado e çuditshme mund ti duket disave, shtetet-kombe mund të mësojnë nga Europa përsa i takon trajtimit të deficiteve të tyre demokratike.

Mangësi të tilla janë sidomos të dukshme në Poloni, ku një sistem politik shumë i centralizuar krijon një dinamikë të rrezikshme të një fituesi të veteëm. Për shkak se partia në pushtet mbështetet në një shumicë të shpejtë, ajo ka një nxitje të fortë për t’i mbyllur arritjet e saj legjislative nëpërmjet mashtrimit të kushtetutës. Kjo e ka lënë elektoratin shumë të polarizuar dhe Poloninë të zhytur në një krizë politike gjithnjë e më të thellë, për shkak të mungesës së konsensusit lidhur me institucionet themelore.

Ne të dy jemi kundërshtarë të hapur të asaj që ne besojmë se ka qenë një marrje antikushtetuese e institucioneve të pavarura nga partia qeverisëse e Polonisë Ligj dhe Drejtësi (PiS). Por ne gjithashtu pranojmë mbështetjen e vërtetë popullore që PiS vazhdon të gëzojë.

Në përpjekje për të ndihmuar në zbutjen e tensioneve politike, ne bashkë-themeluam një nismë jo-partiake për të reformuar sistemin e qeverisjes së Polonisë. Rreth 100 nga ekspertët e politikës publike të vendit kanë zhvilluar tashmë një propozim që kërkon të decentralizojë sistemin politik duke përfshirë elementët më të mirë të strukturave vendimmarrëse të BE-së.

Ky debat i decentralizimit nuk është aspak i kufizuar në Poloni. Në një letër drejtuar popullit francez në janar, presidenti Emmanuel Macron pyeti në mënyrë të qartë nëse shteti i famshëm i centralizuar duhet t’i japë më shumë kompetenca vendimmarrëse qeverive nën-kombëtare. Në Gjermaninë më të decentralizuar, ndërkohë, Ministri i Bavarisë, Markus Söder, i cili gjithashtu drejton partinë e krishteeë të Bashkimit Social (CSU), ka paralajmëruar qeverinë qendrore kundër zhdukjes së mëtejshme të kompetencave të Bundesländer-it të vendit.

Lideri i Partisë opozitare Laburiste të Britanisë, Jeremy Corbyn, ka thënë se një qeveri Laburiste do të merrte në konsideratë zëvendësimin e Dhomës së Lordëve me një senat të zgjedhur federal. Dhe Partia Demokratike në Shtetet e Bashkuara, e përballur me një Gjykatë të Lartë gjithnjë e më konservative, papritmas po ngroh idenë e të drejtave të shteteve.

Ne besojmë se një formë e decentralizimit mund ta ndihmonte Pololinë – dhe ndoshta edhe demokracitë e tjera – që të menaxhojnë më mirë konfliktin politik dhe që ajo të bëhet më pak e polarizuar. Dhe këtu, sistemi i qeverisjes së BE-së ofron një model praktik joshës.

Propozimi ynë për reformimin e Polonisë frymëzohet nga dy institucione kryesore të BE-së: Këshilli Europian, ku krerët e shteteve ose qeverive vendosin drejtimin e përgjithshëm politik të BE-së, dhe Këshilli i BE-së, ku ministrat e shteteve anëtare vendosin mbi legjislacionin europian. Ky Këshill ministror funksionon kryesisht si një senat i fuqishëm europian – “dhoma e lartë” legjislative që miraton të gjitha ligjet e BE-së.

Ne parashikojmë institucione të ngjashme me ato të Këshillit në dy nivele në Poloni. Senati kombëtar do të bëhej një dhomë që përbëhet nga guvernatorët e zgjedhur të 16 rajoneve të Polonisë, ndërsa senatet rajonale do të përbëheshin nga të gjithë kryetarët e komunave nga një rajon i caktuar. Votat e guvernatorëve dhe të kryetarëve-senatorë do të peshoheshin në përputhje me popullsinë që përfaqëson secili. Për më tepër, si senati kombëtar ashtu edhe senatet rajonale do të kishin fuqinë për të vënë veton ndaj legjislacionit.

Senati kombëtar do të ishte politikisht i larmishëm, duke përfshirë juglindjen konservatore dhe veriperëndimin progresiv të vendit. Senatet rajonalë do të përmbajnë një përzierje të ngjashme, duke pasur parasysh se qytetet e Polonisë priren të jenë më progresive dhe fshatrat më konservatorë. Për më tepër, përgjegjësia ekzekutive e guvernatorëve dhe kryetarëve të komunave do t’u jepte atyre një nxitje për të kërkuar kompromise konstruktive mbi propozimet e rëndësishme politike.

Ashtu si në Këshillin e Europës, anëtarësimi në senatin kombëtar do të ndryshonte vetëm gradualisht, sepse zgjedhjet rajonale do të ishin të përçara. Një vazhdimësi e tillë është sidomos e rëndësishme duke qenë se senati do të konfirmonte anëtarët e institucioneve të pavarura si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe Banka Kombëtare e Polonisë. Prandaj, propozimi ynë do të forconte përgjegjësinë demokratike të këtyre institucioneve duke e lidhur atë me një organ më të qëndrueshëm dhe politikisht më të larmishëm sesa me shumicën mbizotëruese kombëtare.

Edhe qeveria aktuale e Polonisë, e udhëhequr nga PiS, ka arsye të jetë mirënjohës për sistemin e qeverisjes së BE-së. Paaftësia e Komisionit Europian për të vënë në zbatim të ashtuquajturin Neni 7 kundër Polonisë dhe Hungarisë, për shkelje të rënda të pretenduara të vlerave të BE-së, mund të pengojnë mbrojtësit e sundimit të ligjit. Megjithatë, ai gjithashtu tregon se si struktura e BE-së mbron edhe shtetet anëtare shumë polemike nga mbizotërimi politik i shumicës.

Në të njëjtën kohë, BE-ja nuk është e pafuqishme që të veprojë kundër shteteve anëtare që shkelin rregullat e përbashkëta, sepse anëtarët e Këshillit zgjedhin gjyqtarët e Gjykatës së fuqishme Europiane të Drejtësisë. GJED-ja, e cila po dëgjon raste të shumta lidhur me ekseset e pretenduara kushtetuese të qeverisë PiS, është padyshim linja e fundit e mbrojtjes për sundimin e ligjit në Poloni, duke pasur parasysh legjitimitetin e varfër të institucioneve të vendit.

Europa mund të jetë politikisht e polarizuar dhe të vuajë nga deficite demokratike, por sistemi i qeverisjes i BE-së nuk është shkaku kryesor. Përkundrazi, efikasiteti i institucioneve europiane i tregon Polonisë dhe të tjerëve se mund të menaxhojnë më mirë sistemet e tyre politike kombëtare.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Democratic Lessons from the EU