Pasi fitoi terren përgjatë vitit të kaluar si pasojë e shpenzimeve të pakta buxhetore, leku njohu një rënie të shpejtë përgjatë ditëve të para të janarit duke humbur 1.3 për qind të vlerës në krahasim me dhjetorin.
Leku shqiptar e filloi vitin me një nënçmim të shpejtë kundrejt Monedhës së Përbashkët Europiane, Euro, kryesisht si pasojë e rritjes së shpenzimeve buxhetore. Euro kushtoi rreth 135.3 lekë gjatë muajit dhjetor 2016 ndërsa më 13 janar kushtoi 137 lekë, sipas kursit mesatar të publikuar nga Banka e Shqipërisë.
Kundrejt dollarit, leku ka qëndruar pak a shumë në të njëjtat kuota dhe monedha amerikane kushton aktualisht 128.7 lekë.
Leku qe forcuar me rreth 1.7 për qind përgjatë vitit 2016 ndërsa aktorët e tregut raportuan për “prani të lartë të euros”. Media të ndryshme sugjeruan se prania e lartë e euros mund të qe pjesërisht pasojë e sasisë së paprecedent të kanabisit të kultivuar në Shqipëri gjatë vitit të kaluar, por një faktor i rëndësishëm duket se qe edhe mungesa e ndjeshme e shpenzimeve publike përgjatë të gjithë vitit. Qeveria qe autorizuar nga Kuvendi të realizonte një deficit prej 35 miliardë lekësh përgjatë vitit 2016 por për arsye të panjohura, qeveria e shtrëngoi dorën duke mbajtur suficit prej dhjetëramilionë eurosh përgjatë të gjithë vitit deri në muajin dhjetor.
Në fund të dhjetorit, qeveria vendosi të shpenzojë para duke shpërndarë shpërblime për pensionistët apo duke kryer shpenzime të tjera, të cilat duket se ndryshuan edhe balancën e kërkesë-ofertës në tregun valutor.
Afrimi i fushatës zgjedhore dhe rritja e pritshme e shpenzimeve buxhetore për shkak të fushatës pritet të vendosë në presion të mëtejshëm lekun shqiptar gjatë muajve të ardhshëm.