Në ditën e dytë rradhazi leku u forcua sërish të mërkurën kundrejt të gjitha monedhave kryesore të këmbimit pavarësisht ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë në tregun e këmbimit valutor.
Leku shqiptar u forcua me 0.7% kundrejt monedhës së përbashkët europiane gjatë ditës së mërkurë, kur euro u shkëmbye me 126.15 lekë, 83 qindarka më lirë se sa të martën. Leku u forcua edhe gjatë ditës së martë me rreth 1% në krahasim me të hënën ndërsa kursi mesatar fiks i publikuar nga Banka e Shqipërisë prej 126.15 lekësh është vetëm 1.6% më i ulët se sa rekordi shumëvjeçar i shënuar më 5 qershor në kuotën 124.2 lekë për euro.
Banka e Shqipërisë shpalli ndërhyrje të jashtëzakonshme të mërkurën më 6 qershor për të shmangur forcimin e mëtejshëm të lekut, shpallje që u shoqërua me tre ditë nënçmim dhe me luhatshmëri të konsiderueshme brenda një dite. Ndërhyrja e BSH ishte në dy forma: e para ishte blerja e drejtpërdrejtë e valutës së tepërt në treg, blerje që sipas Guvernatorit Gent Sejko “do të vijojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”. E dyta ishte përmes uljes së mëtejshme të normave bazë të interesit me të cilat BSH jep kredi apo pranon depozita nga bankat e nivelit të dytë. Zakonisht ulja e normave të interesit nga BSH sjell dobësim të lekut në terma afatmesëm, pasi kjo e bën më të lirë marrjen e kredive në lekë dhe më të paleverdisshme mbajtjen e depozitave në lekë. Por efikasiteti i politikës monetare në Shqipëri vlerësohet jo shumë i lartë, duke lënë vetëm blerjen e valutës në treg si masë efektive kundër lekut të fortë. BSH nuk publikon të dhëna mbi përmasat e ndërhyrjeve të saj.