Zyrtarët e lartë të Ballkanit kanë dënuar shpërthimin në Mançester që i mori jetën 22 personave dhe plagosi 59 të tjerë, ndërsa bënë thirrje për paqe dhe një të ardhme larg terrorizmit.
Liderët e vendeve të Ballkanit kanë nisur të dërgojnë mesazhe mbështetjeje te Britania e Madhe pasi një sulmi i dyshuar si terrorist vrau 22 persona, ndër ta edhe fëmijë, si dhe la 59 të plagosur pas ngjarjes në një koncert në Mançester të hënën në mbrëmje.
Ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati tha se ai ishte “i trishtuar nga sulmi i tmerrshëm i Mançesterit”.
“Mendimet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre. Ne qëndrojmë të bashkuar për të luftuar terrorizmin”, shkroi Bushati në Twitter.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e quajti sulmin shokues dhe mizor në adresën e tij zyrtare në Twitter.
“Kosova i gjendet pranë qeverisë dhe njerëzve të Britanisë kundër sulmit”, tha Thaçi.
Kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markoviç, i shprehu ngushëllimet kryeministres britanike Theresa May. Qeveria malazeze tha se ishte, “e tmerruar nga krimi i urrejtjes”, në Mançester.
Kryeministri bullgar Bojko Borisov i dërgoi “ngushëllime të përzemërta” atyre që humbën të dashurit e tyre nga sulmi, duke shtuar se “mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre”.
Presidenti i Rumanisë Klaus Iohannis tha se ishte i tronditur nga “lajmet e tmerrshme” dhe shprehu solidaritet me Britaninë.
Kryeministri i Serbisë dhe i zgjedhur së fundmi si president, Aleksandër Vuçiç, i dërgoi një telegram kryeministres May duke ofruar ngushëllimet e tij.
“Viktimat e pafajshme të këtij akti çnjerëzor na paralajmërojnë se urrejtja dhe dhuna mund të ndodhin kudo dhe në çdo kohë. Ne duhet të bashkohemi për të mbrojtur vlerat e qytetëruara nga forcat e errëta, për të arritur një kauzë fisnike – një të ardhme pa frikë nga terrorizmi”, tha Vuçiç.
Kryeministri i Federatës së Bosnje-Herzegovinës, Fadil Novaliç, i dërgoi ngushëllimet e tij ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Bosnje, Edëard Alexander De Poulton Ferguson.
“Ky nuk është vetëm një sulm ndaj Britanisë së Madhe, por ndaj të gjitha vendeve demokratike dhe popujve paqedashës,” tha Novaliç.
Policia britanike konfirmoi vdekjen e 22 personave dhe tha se kishte 59 të plagosur nga një shpërthim në Mançester Arena, ku u zhvillua një koncert i këngëtares pop Ariana Grande.
Sipas policisë, sulmuesi veproi vetëm dhe vdiq në vendngjarje pas shpërthimit të një “eksplozivi të improvizuar”. Një hetim po kryhet për të zbuluar nëse sulmuesi ishte pjesë e një rrjeti më të gjerë.
Mbështetësit e organizatës terroriste të Shtetit Islamik e festuan sulmin në rrjetet sociale.