Ekspertët shprehen se retorika nacionaliste në Kroaci, Serbi dhe Bosnjë është një manovrim nga disa politikanë për të fituar vota në zgjedhjet e ardhshme dhe nga të tjerë për të tërhequr vëmendjen nga problemet ekonomike.
Përshkallëzimi këtë verë i shkëmbimeve të nxehta nacionaliste midis zyrtarëve nga Kroacia, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ka qenë një kujtim i pakëndshëm për retorikën e viteve të luftës jugosllave.
Por, ndërsa potenciali i dhunshëm i nacionalizmit në Ballkan nuk mund të neglizhohet, ekspertët thonë se retorika nxitëse është thjesht një metodë që elitat politike po përdorin për të manipuluar publikun në avantazhin e tyre.
Fakti që zgjedhjet parlamentare në Kroaci po afrojnë ka shtyrë liderin e Partisë Social Demokrate, Zoran Milanoviç, drejt ekstremizmit nacionalist ndërsa kërcënimet për mbajtjen e referendumit të bëra nga Milorad Dodik, presidenti i entitetit me shumicë serbe në Bosnjë, Republika Srpska, janë mënyra e tij për të mbuluar problemet e brendshme politike me narrativën klasike se mbijetesa e Republikës Srpska është në rrezik, u shprehën ekspertët për BIRN.
Ata pohojnë gjithashtu se Serbia “nuk është e pafajshme” në këto mosmarrëveshje, pasi zyrtarët e saj ishin të përfshirë thellë në shkëmbimin e fjalëve të ashpra dhe akuzave të ndërsjella me Bosnjën dhe Kroacinë, duke sugjeruar se kryeministri serb Aleksandër Vuçiç përdori qëllimisht ministrat e tij për të shprehur armiqësi në mënyrë që ai të mund ta paraqiste veten si një forcë për paqe dhe stabilitet në rajon.
Stefan Aleksiç, një analist politik nga Beogradi, shprehet se narrativa nacionaliste është përdorur nga të gjitha elitat politike post-Jugosllave që në fillim të viteve nëntëdhjetë.
“Elitat politike i kanë mbajtur vazhdimisht qytetarët e tyre në një gjendje konstante tensionesh nacionaliste për dekada me radhë,” tha Aleksiç për BIRN.
“Në një farë mënyre, ky është mekanizëm “i gatshëm” kur ata nuk kanë asgjë tjetër pë të ofruar,” tha ai.
Një trekëndësh i mundimshëm
Ky cikël akuzash filloi dhjetorin e kaluar, kur qeveria kroate, në atë kohë e udhëhequr nga Milanoviç, mbylli kufirin me Serbinë pas një debati mbi rrugën që duhet të marrin refugjatët nga Lindja e Mesme drejt BE-së.
Lideri i Partisë Social Demokrate nuk u tregua i kujdesshëm me gjuhën e tij kur foli për Serbinë në atë kohë. Ai ishte edhe më pak i kujdesshëm disa javë më pas, kur u dëgjua në një përgjim ta përshkruante Serbinë si “një tufë njerëzish të mjerë” dhe Bosnjën dhe Hercegovinën si “një hale të madhe”, duke shkaktuar reagime si në Beograd ashtu edhe në Sarajevë.
Milanoviç gjithashtu u zotua se Kroacia “nuk do t’i linte kroatët vetëm me boshnjakët në Bosnjë dhe Hercegovinë” nëse serbët e Bosnjës në Republikën Srpska do të shkëputeshin me referendum, siç kanë kërcënuar se do të bëjnë.
Disa analistë e krahasuan këtë me një deklaratë nga presidenti kroat i kohës së luftës Franjo Tuxhman në vitet 1990, në të cilën ai u shpreh se do të mbështeste integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës, por shtoi se Kroacia do të donte një pjesë të saj nëse Serbia konfiskonte tokë boshnjake.
Davor Gjenero, një analist politik nga Zagrebi, sugjeroi se nëse Milanoviç kthehet në pozicionin e kryeministrit pas zgjedhjeve të muajit të ardhshëm, ai mund të dëmtojë pozicionin e vendit në BE.
“Milanoviç është një politikan tepër i papërgjegjshëm. Ai është një pasues tipik i retorikës së Franjo Tuxhmanit,” tha Gjenero për BIRN.
“Është një retorikë anti-europiane nga një person që nuk i kupton parimet themelore të BE-së dhe që flet nga një pozicion nacionalist që mbivlerëson vlerën e traditës së vetë individit dhe të njëjtën kohë nënvlerëson të gjithë të tjerët,” tha ai.
Gjatë verës, Beogradi dhe Zagrebi shkëmbyen disa nota proteste diplomatike dhe u bënë gjithashtu edhe deklarata të tjera që nga pala tjetër u konsideruan si tepër ofenduese.
Marrëdhëniet u përkeqësuan edhe më tej pasi sistemi gjyqësor kroat rrëzoi vendimin që dënonte me burg ish-gjeneralin Branimir Glavas për krime lufte kundër serbëve dhe kur autoritetet e Zagrebit miratuan ngritjen e një monumenti në nder të Miro Baresiç, i cili ishte dënuar nga gjykatat suedeze për vrasjen e ambasadorit jugosllav Vladimir Roloviç në Stokholm në vitin 1971.
Serbia protestoi gjithashtu pasi një gjykatë në Zagreb anuloi dënimin e peshkopit Alojzije Stepinaç, një mbështetës i njohur i regjimit pro-nazist të Kroacisë të kohës së Luftës së Dytë Botërore, gjë të cilën Kroacia e kundërshtoi duke përmendur rehabilitimin e ngjashëm të Draza Mihajloviç, komandant i çetnikëve, forcat serbe që bashkëpunuan me pushtuesit nazistë.
Jovo Bakiç, një sociolog dhe analist politik, tha për BIRN se marrëdhëniet e dobëta midis Kroacisë dhe Serbisë kanë një efekt sekondar në Bosnjë dhe Hercegovinë.
“Kjo atmosferë nuk është aspak e shëndetshme dhe duket si fillimi i viteve 1990. Në Ballkan, nacionalizmi është arma e preferuar politikanëve,” tha Bakiç.
“Tensionet midis Beogradit dhe Zagrebit gjithmonë dëmtojnë gjendjen në Bosnjë,” shtoi ai.
Presidenti i Republikës Srpska i ka shtuar benzinë zjarrit tashmë të ndezur me lajmërimin e vazhdueshëm për mbajtjen e një referendumi në entitet më 25 shtator, i cili do të sfidojë autoritetin e Gjykatës Kushtetuese në nivel shtetëror të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Referendumi synon të tregojë mbështetjen publike midis serbëve të Bosnjës për festimin e Ditës së Republikës Srpska më 9 janar, pasi Gjykata Kushtetuese vitin e kaluar vendosi se festa ishte jo kushtetuese dhe se ishte diskriminuese ndaj jo-serbëve.
Gjenero argumentoi se është e qartë se votimi është një “pararojë për referendumin mbi pavarësinë” – diçka që Dodik ka thënë se do ta marrë në konsideratë.
Aleksiç ndërkohë sugjeroi se Dodik po përpiqej të largonte vëmendjen nga problemet e tij të brendshme politike në qeverisjen e entitetit.
“Duket se Dodik duhet t’i përgjigjet shumë pyetjeve të publikut mbi mashtrimet e biznesit dhe katastrofën ekonomike në Republikën Srpska. Një ditë, banorët do ta kuptojnë atë që po ndodh dhe ai ndoshta s’do të mund të shpëtojë duke u bazuar te nacionalizmi,” tha Aleksiç.
Zëdhënësit e Vuçiçit
Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç është përpjekur të duket i përmbajtur dhe të ketë një sjellje prej burri shteti në deklaratat kundrejt homologëve të tij kroatë apo boshnjakë, por disa nga ministrat e tij kanë përdorur gjuhë agresive e cila ka nxitur debate të tjera.
Ministri i Punës i Serbisë Aleksandër Vulin ka thënë se “Kroacia po zhytet në çmenduri” dhe në disa raste e ka quajtur qeverinë e Zagrebit “fashiste”.
Ministri i Jashtëm Ivica Daçiç ndërkohë së fundmi i ka akuzuar politikanët boshnjakë se janë përgjegjës për sulmin ndaj kryeministrit Aleksandër Vuçiç në përkujtimoren e Srebrenicës në vitin 2015, ndërkohë që gjithashtu shpesh i kujton zyrtarët kroatë për Jasenovacin, kampin e përqendrimit të kohës së Luftës së Dytë Botërore, ku vdiqën rreth 100,000, kryesisht serbë, romë dhe hebrenj.
Aleksiç pohoi se “heshtja e mençur” e Vuçiçit është thjesht një taktikë sepse, duke marrë parasysh natyrën e centralizuar të qeverisë së tij, nuk kishte asnjë mundësi që ministrat e tij po bënin ndonjë gjë pa pëlqimin e tij.
“Ata janë thjesht kukulla që flasin në vend të qendrës së pushtetit – kryeministrit – dhe fjalët e tyre duhet të shihen thjesht si një komponent i retorikës së Vuçiçit, duke qenë se është e vështirë të imagjinohet se ndonjëri prej tyre flet pa lejen e heshtur nga ana e kryeministrit,” tha Aleksiç.
“Puna kryesore e ministrave është të veshin një fytyrë groteske nacionaliste dhe të lejojnë kryeministrin të veshë maskën e një reformatori pro-europian,” shtoi ai.
Megjithatë, Vuçiç u përfshi edhe vetë në debat në gusht, kur ai i shkroi Kryetarit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, shefes së punëve të jashtme të BE-së Federica Mogherini dhe komisionarit për zgjerimin e BE-së Johannes Hahn duke akuzuar Kroacinë për zbatim politikash anti-serbe dhe nxitje nacionalizmi.
Bakiç mendon se vetë problemet ekonomike dhe politike të Europës, të nxitura nga kriza e refugjatëve dhe Brexit, kanë ndikuar shumë në rritjen e retorikës nacionaliste në Ballkan.
“Nëse konteksti do të ishte ndryshe, situata nuk do të përshkallëzohej kështu. Në Europë ka gjithashtu rritje nacionalizmi dhe racizmi në të gjitha vendet. Në Francë kemi ngritjen e Frontit Nacional Le Pen dhe në Gjermani kemi lëvizje raciste si Alternativa për Gjermaninë,” shpjegoi Bakiç.
“Kjo i bën nacionalistët e Ballkanit të thonë: Epo, ne jemi normalë,” tha ai.