Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe presidenti Hashim Thaçi po fajësojnë njëri-tjetrin për përhapjen e koronavirusit në veriun e Kosovës me shumicë serbe, mbi të cilin autoritetet e Kosovës kanë pak kontroll.
Raportet për një përhapje rastesh të reja me COVID-19 në veriun me shumicë serbe të Kosovës kanë shkaktuar debate midis politikanëve në Kosovë dhe akuza për neglizhencë.
Të dielën, spitali kryesor në qytetin e ndarë të Mitrovicës konfirmoi 26 raste në tre komunat veriore të Mitrovicës së veriut, Zveçan dhe Leposaviq.
Kryeministri Albin Kurti, qeveria e të cilit së fundmi u rrëzua pas një mocioni mosbesimi, fajësoi për përhapjen e virusit një ceremoni martese të mbajtur në Zveçan.
Presidenti Hashim Thaçi të shtunën akuzoi qeverinë e udhëhequr nga Kurti për “pakujdesi dhe papërgjegjësi”, duke e cilësuar të papranueshme situatën në komunat veriore.
“Qeveria nuk mund t’i lejojë komunat veriore të funksionojnë jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës dhe organeve përkatëse për parandalimin e pandemisë COVID-19, duke krijuar kështu hapësirë të paligjshme për autoritetet serbe brenda territorit të shtetit tonë”, tha Thaçi. “Si president i Kosovës, po ndjek me shumë shqetësim situatën në veri”, shtoi ai.
Një problem me të cilin përballen institucionet e Kosovës në pandeminë aktuale është se, 21 vjet nga lufta për pavarësi nga Serbia, shëndetësia dhe sistemet e tjera në komunat me shumicë serbe në veri vazhdojnë të drejtohen de facto nga Serbia.
Sistemi shëndetësor paralel i financuar nga Beogradi në veri i ka dërguar në Serbi rezultatet e testit COVID-19, për shembull, me shumë pak ose aspak bashkëpunim me institucionet e veta të Kosovës.
Duke anashkaluar institucionet shëndetësore të Kosovës, sistemi paralel shëndetësor, me qendrat e veta shëndetësore dhe spitalet, duke ndjekur rregullat e vendosura nga Serbia, po shkakton vështirësi në menaxhimin e pandemisë.
Kurti tha se ishte në dijeni të ndërhyrjes serbe. “Ne e dimë që Serbia ka ambicie për shtetin tonë të pavarur, të cilin ajo nuk e njeh. Ne e dimë që Serbia ndërmerr veprime kundër institucioneve tona, veçanërisht në veri”, tha ai.
“Ne po i raportojmë të gjitha këto te KFOR-i dhe komuniteti ndërkombëtar. Po sillemi me kujdes, veçanërisht në këtë kohë kur shëndeti publik është mbi të gjitha përparësitë e tjera”, tha Kurti.
Duke folur për kritikën specifike të Thaçit, Kurti tha se politikanët si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë donin konflikt në Kosovë, sidomos në veri, për qëllimet e tyre dhe për të lehtësuar një shkëmbim të mundshëm territorial, një politikë që Kurti e ka kundërshtuar prej kohësh.
“Ata duan tensione sepse duan incidente. Projekti i tyre për një shkëmbim territorial, i cili nëse ndodh do të shkaktonte konflikte dhe gjakderdhje të reja, ka dështuar. Tani ata duan konflikte dhe gjakderdhje në terren për t’iu rikthyer shkëmbimit territorial, përkatësisht ndarjes së Kosovës”, tha Kurti.
Kurti humbi një votim mosbesimi në parlament më 25 mars. Me zgjedhjet e reja të pamundura në mes të pandemisë, vazhdon kërkimi për një qeveri të re të përbërë nga partitë aktuale në parlament.