Lajm30 Aug 2021

Liderët e Kosovës mirëpresin refugjatët e parë afganë

Presidentja, kryeministri dhe ambasadorët perëndimore përshëndetën një grup prej 111 refugjatësh afganë që mbërritën në Kosovë të dielën - i pari nga rreth 2,000 në total - të cilët do të sistemohen përkohësisht në vend për rreth një vit.

Autor: Xhorxhina Bami BIRN Prishtinë
Printo

Grupi i parë i afganëve të mbërritur në Prishtinë të dielën në mbrëmje.

Refugjatë që po i largohen kontrollit të talebanëve në Afganistan mbërritën në aeroportin e Prishtinës të dielën në mbrëmje, ku iu nënshtruan kontrolleve mjekësore para se të dërgoheshin në qytetin e Ferizajt.

Ata do të qëndrojnë në një ish-kamp të ndërtuar nga kompania amerikano-turke Bechtel Enka, i ndodhur përballë bazës ushtarake amerikane Bondsteel.

Ministri i brendshëm i Kosovës Xhelal Svecla njoftoi se gjithsej 111 persona kishin mbërritur nga Kabuli.

“Numri i shtetasve afganë që janë këtu sot është 111, gra, fëmijë dhe të moshuar që janë të afërm të bashkëpunëtorëve të NATO-s në Afganistan”, tha Svecla, duke shtuar se pjesa tjetër e grupit të pranuar do të vazhdojnë të mbërrijnë në vend nga e hëna e në vazhdim.

Svecla njoftoi se ata do të vaksinohen kundër COVID-19.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, si dhe ambasadorët e vendeve Kuintit në Kosovë ishin në aeroport për të mirëpritur grupin e parë të refugjatëve.

“Sot ne tregojmë para të gjithëve se nuk kemi hapur vetëm dyert, por edhe zemrat tona, sepse si njerëz që vijnë nga një sundim gjenocidal, ne e kuptojmë shumë mirë se çfarë do të thotë të detyrohesh të largohesh nga shtëpia jote”, tha Osmani, duke iu referuar traumës së shqiptarëve të Kosovës nën sundimin e ashpër të Serbisë në vitet 1990.

“Kur bëhet fjalë për çështje humanitare dhe kur bëhet fjalë për partnerë dhe aleatë si SHBA-ja dhe NATO-ja, pyetja nuk është pse, por si. Pra, të gjitha çështjet për refugjatët që po diskutojmë janë të një natyre teknike dhe logjistike”, shtoi kryeministri Kurti.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnet, tha në aeroport se, “duke pritur përkohësisht afganët gjatë rrugës së tyre për në shtëpitë e përhershme diku tjetër, Kosova jo vetëm që po shpëton jetë, por u jep afganëve një mundësi për të ndërtuar jetë të reja”.

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, i cili ishte gjithashtu i pranishëm, shprehu mirënjohjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën për pritjen që iu bë refugjatëve afganë përmes një postimi në Facebook disa orë pas mbërritjes së refugjatëve.

“Ndihem i nderuar që jam në aeroportin e Prishtinës këtë mbrëmje, pasi takova të evakuuarit e parë nga Afganistani që mbërritën në Kosovë. Mirënjohës për mikpritjen kosovare”, shkroi Abbott.

Media në Kosovë raportuan se pas kontrolleve mjekësore, dy fëmijë afganë u dërguan për trajtim në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Kosova do të presë rreth 2,000 refugjatë afganë, njoftoi Blerim Vela, kreu i stafit të presidentes në Twitter më 25 gusht.

Kosova ka miratuar mbrojtjen e përkohshme për qytetarët afganë që punuan me forcat amerikane dhe ato të NATO-s dhe familjet e tyre. Ata kanë thënë se refugjatëve do t’u ofrohet strehim i përkohshëm deri në një vit.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende të tjera që pranuan refugjatë afganë në rajon. Autoritetet shqiptare kanë përgatitur disa qendra akomodimi në Tiranë, Durrës dhe Berat, duke përfshirë hotele dhe konvikte studentësh, ku afganët që pritet të vijnë do të qëndrojnë për disa javë.