Lajm14 Jun 2018

Liderët e qeverisë bullgare refuzojnë të takojnë presidentin maqedonas

Kryeministri dhe ministrja e jashtme maqedonase kanë refuzuar të takojnë presidentin e Maqedonisë në Sofje, duke treguar pakënaqësinë e tyre për refuzimin e tij të marrëveshjes së “emrit” me Greqinë.

Autor: Martin Dimitrov BIRN Sofje
Printo

Kryeministri bullgar, Boyko Borissov | Foto: Facebook

Kryeministri bullgar Boyko Borssov dhe ministrja e jashtme Ekaterina Zaharieva nuk do të takohen me presidentin maqedonas Gjorge Ivanov, ndërsa ai është në një vizitë zyrtare dy-ditore në Sofje. Ivanov po takon sot homologun e tij bullgar, presidentin Rumen Radev.

Gazeta lokale 24 Hours njoftoi lajmin të enjten, të cilin zyrat e shtypit të kryeministrit dhe ministres së jashtme e konfirmuan BIRN në mesditë.

Vendimi vjen pas deklaratës së Ivanov të mërkurën se nuk do të mbështesë asnjë marrëveshje me Greqinë që kërkon që Maqedonia të ndryshojë kushtetutën e saj.

Sipas marrëveshjes së rënë dakord së fundmi me Greqinë, Maqedonia pranoi të ndryshojë emrin e saj në “Republika e Maqedonisë Veriore” dhe të ndryshojë kushtetutën e saj.

“Takimet janë refuzuar. Ne nuk duam të ndërhyjmë në çështjen e brendshme të fqinjit tonë. Ne kemi një qëndrim parimor dhe të qartë, të ngjashëm me atë të komunitetit ndërkombëtar. Pozita e presidentit të Republikës së Maqedonisë është gjithashtu e qartë,” tha për BIRN zyra e shtypit e kryeministrit bullgar.

“Qeveria bullgare nuk do të përdoret në debatet e brendshme në Shkup. Integrimi në BE dhe NATO i fqinjit tonë është vendimtar dhe nuk duhet të vihet në rrezik,” vazhdoi i njëjti mesazh.

Një zëdhënës nga Ministria e Jashtme gjithashtu konfirmoi se Ekaterina Zaharieva nuk do të takohet me Ivanovin, për arsye të ngjashme.

“Ne nuk kemi asgjë për të diskutuar me të. Ne e mbështesim marrëveshjen dhe perspektivat euroatlantike të Maqedonisë,” shtoi zëdhënësi.

Zaharieva e informoi presidentin bullgar për qëndrimin e qeverisë të enjten, përpara se ai të takonte Ivanovin.

Qeveria e Bullgarisë të mërkurën e përshëndeti përzemërsisht përparimin në debatin e emrit me Greqinë, duke vënë në dukje se kjo “hap rrugën e integrimit euroatlantik të fqinjit tonë” dhe i jep “një mundësi të vërtetë që deri në fund të Presidencës Bullgare të BE-së të ketë një progres për fillimin e negociatave të pranimit në BE”.

Sofja shtoi se ndryshimi i emrit nuk duhet të interpretohet si bazë për të pretenduar një ndryshim në territorin, gjuhën, kulturën, historinë dhe identitetin e asnjërit prej fqinjëve të saj.

Megjithatë, në një intervistë më 16 shkurt me stacionin televiziv Alsat-M të Maqedonisë, presidenti Radev tha se Bullgaria nuk do të mbështesë asnjë marrëveshje mbi emrin për Maqedoninë që përfshin një emërues gjeografik që mund “të kërcënojë interesat bullgare” apo që “i referohet pjesëve të Bullgarisë”.

Radev nuk e ka deklaruar ende publikisht një pozicion për marrëveshjen e emrit.