Liderët e lëvizjes “Greva e Grave” përballen me dënimet më të ashpra me deri në 8 vjet burg për veprimet e tyre vitin e kaluar në mbrojtje të të drejtave të grave, megjithëse rreth 4,000 qytetarë polakë u gjobitën ose u nxorën para gjykatave për organizim ose pjesëmarrje në protesta.
Ishte 17 nëntori i vitit të kaluar, dy javë pas një demonstrate të mëparshme për të drejtat e grave në sheshin kryesor në qytetin polak të Krapkowice dhe në prag të një proteste tjetër, kur dy oficerë policie u shfaqën në derën e shtëpisë së Maciej Rauhut.
Njëri prej tyre ishte me uniformë, tjetri me rroba civile. Nëna e Maciej hapi derën dhe u tha atyre se Maciej ishte në dhomën e tij, duke marrë pjesë në një mësim online.
Marrëdhënia e Maciej me sistemin shkollor nuk ishte e lehtë; ai ishte shpesh i sëmurë dhe mungonte shumë në mësime, por në provimet përfundimtare kishte dalë mirë. Ëndrra e tij është të studiojë drejtësi në Universitetin Jagiellonian – diçka që ai e vuri në rrezik kur doli në rrugë për herë të parë në jetën e tij vitin e kaluar për të demonstruar së bashku me 2,500 njerëz nga qyteti i tij mbi një vendim të Gjykatës Kushtetuese në tetor 2020 që praktikisht e shpallte të jashtëligjshëm abortin në vend.
“Te dera, ata i thanë mamasë time se mund të rrezikoja deri në tetë vjet burg për shkak të ‘veprimtarisë së paligjshme’ të vërejtur në profilin tim në Facebook”, thotë 18-vjeçari. “U informova se ndarja e një eventi që kishte lidhje me Strajk Kobiet (Grevën e Grave) përbënte nxitje për të kryer një vepër penale, pra pjesëmarrje në një tubim të paligjshëm. Më urdhëruan të mos merrja pjesë në protestë të nesërmen.”
“U thashë se nuk isha fajtor për asnjë krim. Shpërndarja e një postimi nuk është e barabartë me nxitjen për të kryer një krim. Dyzet minuta më vonë, policët erdhën në shkollën time dhe i thanë drejtorit se unë isha organizator i një tubimi të paligjshëm. M’u desh të shpjegoja gjithçka nga e para”, thotë Maciej.
Kur Maciej e përshkroi në Facebook takimin e tij me policinë, protesta e planifikuar për të nesërmen u anulua. Adoleshenti u shfaq me një grup shokësh përpara komisariatit, i shoqëruar nga gazetarë që punonin për kanalin e pavarur të lajmeve TVN24.
“Kur policët e kuptuan se kishte një prezencë mediatike përpara stacionit të tyre, ata thjesht panë nga dritaret dhe u fshehën pas perdeve”, thotë Maciej.
Megjithatë, në të njëjtën ditë, policia e referoi çështjen e Maciej në një gjykatë familjare me akuzën e “demoralizimit të të miturve duke i nxitur ata të marrin pjesë në një tubim përmes Facebook-ut”. Një javë më vonë, më 25 nëntor, gjykata e hodhi poshtë çështjen, duke cituar mosgjetjen e bazave të duhura për të filluar procedura të tilla. Maciej dhe nëna e tij kanë dorëzuar një kallëzim për sjelljen e policëve.
“Deri atë ditë, kisha shumë respekt për policinë polake. Unë besoja se punonjësit e policisë kishin një mision për t’i shërbyer shtetit dhe qytetarëve të tij. Tani shoh që policia është në shërbim të vetëm një qytetari – Jaroslaw Kaczynski”, thotë ai, duke iu referuar liderit të partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS), partia qeverisëse konservatore-populiste që ka zaptuar në mënyrë të paligjshme Gjykatën Kushtetuese duke e mbushur atë plot me aleatë si presidentja aktuale e gjykatës, gjyqtarja Julia Przylebska.
Maciej nuk është vetëm. Shumë polakë janë dekurajuar gjithnjë e më shumë nga sistemi i tyre i drejtësisë penale, pasi qeveria i udhëzoi prokurorët dhe oficerët e policisë të ndëshkonin pjesëmarrësit e protestave mbarëkombëtare kundër ligjit kundër abortit që u përhapën në të gjithë vendin gjatë vitit të kaluar.
Sipas vlerësimeve të lëvizjes që nxiti ato protesta, Ogolnopolski Strajk Kobiet (Greva e Grave në gjithë Poloni), rreth 4,000 njerëz në të gjithë Poloninë kanë vuajtur në duart e organeve ligj zbatuese polake pas serisë së protestave në mbrojtje të të drejtave të grave.
Lideret e protestave presin gjyqin
Marta Lempart, drejtuese e Grevës së Grave, thotë për BIRN se që nga tetori 2020 ajo ka parë një duzinë procedimesh të nisura kundër saj dhe të tjerëve me akuzën e organizimit të tubimeve të paligjshme.
“U akuzova për ofendim të një oficeri policie, thyerje të rregullave anti-COVID, zaptim të paligjshëm të një korsie trafiku dhe hedhje mbeturinash. Në korrik, prokuroria ngriti akuza kundër grave të tjera që organizonin Grevën e Grave dhe mua, duke na akuzuar për ‘shkaktim të një ngjarjeje që rrezikon jetën ose shëndetin e shumë njerëzve’ dhe ‘shkaktimin e një rreziku epidemiologjik… duke organizuar dhe udhëhequr demonstrata në tetor, nëntor dhe dhjetor 2020 në rrugët e Varshavës”, tregon Lempart.
“Ne mund të dënohemi me tetë vjet burg. Po presim datën e gjyqit”, shton ajo.
Sipas mendimit të Lempart, qeveria po angazhohet në një represion të hapur duke përdorur oficerët e zbatimit të ligjit për të ndëshkuar dhe penguar organizatorët dhe pjesëmarrësit e protestave, pavarësisht se pretendon publikisht në media se demokracia polake është në gjendje të mirë, se kushdo mund të dalë në rrugë për të protestuar.
“Pjesëmarrësit e protestave antiqeveritare mund të përballen me pasoja serioze. Arrestimet, ndalimet në komisariatet pa qasje tek avokatët, akuza absurde dhe paraqitja në gjykata e mocioneve për dënime që nuk janë veçse një shtypje e hapur – këto masa kanë për qëllim të pengojnë publikun e gjerë nga pjesëmarrja në tubime dhe protesta kundër qeverisë”, thotë ajo për BIRN. “Kjo kufizon mundësinë e protestës.”
Aktet më të rënda që synojnë parandalimin e ushtrimit të të drejtave dhe lirive civile të garantuara me kushtetutë, thotë ajo, kanë të bëjnë me përdorimin e oficerëve të zbatimit të ligjit për të kërcënuar dhe gjuajtur adoleshentët. “E vetmja gjë që ka rëndësi për këtë qeveri është nënshtrimi i plotë i shoqërisë”, thotë ajo.
Më shtynë në makinë
Një nga ata adoleshentë është 17-vjeçare Daria Chetnik. Në qytetin verior polak të Olsztyn, më 16 nëntor të vitit të kaluar, nën qiellin me re dhe në mot me shi, u nis një “marshim spontan” në qendër të qytetit kundër ligjit kundër abortit, ku morën pjesë jo më shumë se 30 persona.
“Deri atëherë, kisha marshuar në shenjë proteste vetëm në mënyrë sporadike, por vendimi i Gjykatës Kushtetuese më acaroi vërtet. Atë ditë, asgjë nuk mund të më ndalonte të isha atje”, thotë adoleshentja për BIRN. “Jemi mbledhur në orën 17:00. Dy makina policie po prisnin tashmë përpara bashkisë në Olsztyn. Ne mbajtëm distancimin e detyrueshëm social. U po mbaja flamurin e Grevës së Grave.”
Dy policë iu afruan asaj. Daria u tregoi kartën e saj të përkohshme të identitetit dhe u kërkoi atyre të deklaronin arsyet ligjore dhe faktike për ndërhyrjen e tyre. Ajo vuri në dukje se policët nuk bexha me emra. Si baza ligjore për ndërhyrjen e tyre, policët përmendën nenin 54, pra shkeljen e rregullores së rendit. Një nga oficerët e policisë i fotografoi kartën e identitetit për “qëllime dokumentimi”.
“Ata morën të dhënat e mia personale dhe u larguan”, tregon Daria. “Isha ende me një grup miqsh në shesh, kur pak minuta më vonë na u afrua një polic tjetër i cili na kërcënoi se do të paraqiste një kërkesë në gjykatë për të vendosur gjobë, nëse nuk do të largoheshim nga zona. “Bëje”, iu përgjigja. “Do ta bëj”, u përgjigj ai dhe thirri kolegët e tij. Më tha të hipja në makinën e policisë me ta. Kisha frikë. Ata po bëheshin më agresivë.”
Andrzej Jurkun nga Shtabi i Policisë në Olsztyn thotë për BIRN se oficerët, ndër ligje të tjera, po vepronin mbi bazën e Ligjit për Procedime në Çështjet kundër të Miturve dhe të Rregullores së Shtabit të Policisë Kombëtare mbi “metodat dhe mënyrat e kryerjes së detyrave nga punonjësit e policisë për të luftuar demoralizimin dhe veprimtarinë kriminale mes të miturve dhe veprimet e ndërmarra në dobi të të miturve”.
Ai nuk pranoi të përgjigjej se përse dhe me çfarë akuze policët e kapën dhe e futën me forcë vajzën në makinën e policisë.
Në të njëjtën demonstratë mori pjesë edhe Monika Falej, deputete e partisë së majtë në Olsztyn. Kur vuri re tensionin në rritje mes policëve dhe 16-vjeçares së atëhershme, ajo u tha policëve se ishte kujdestare ligjore e vajzës dhe se do ta shoqëronte ajo në shtëpi. Policët nuk e besuan deputeten dhe e futën Darian me forcë në makinën e policisë.
Daria vazhdon: “Ata ishin agresivë – më shtynë dhe më tërhoqën disa herë, më pas më futën në një makinë policie. Brenda saj ishin tre burra me rroba civile. Nuk e dija kush ishin sepse asnjëri prej tyre nuk u prezantua. Më çuan në shtëpi. Një nga policët i tha nënës sime se ata po e dërgonin çështjen time në gjykatë me arsyetimin e “demoralizimit”.
“Kur mbërrita në shtëpi e humba. Për disa orë me radhë, isha e shqetësuar dhe qava në krevatin tim”, pranon ajo.
Daria shkoi në një tjetër protestë vetëm dy javë më vonë, edhe pse demonstratat atëherë zhvilloheshin çdo disa ditë. “Gjatë demonstratës, ndenja në pjesën e pasme të marshimit. Kur policia bllokoi marshimin, unë u largova nga turma dhe i pashë ato që po ndodhnin nga një distancë e sigurt, sikur të më vinte turp nga parullat që bërtisja me kaq krenari”, thotë ajo. “Kjo njihet si ‘efekti i ngrirjes’.”
Prokurori i shtetit i përfshirë në represalie
Mediat vendase dhe të huaja kanë treguar një sërë rastesh kur policët polakë shpërdoruan pushtetin e tyre gjatë këtyre protestave në mbrojtje të të drejtave të grave.
Arsyetimi kryesor i policisë për shtypjen e demonstratave ishte se ato ishin të paligjshme. Si bazë për veprimet e tyre, ata fillimisht cituan një ligj dhe më vonë një akt të parlamentit në lidhje me masat anti-COVID-19, sipas të cilit ndaloheshin tubimet.
Shumë avokatë e kundërshtuan këtë ndalim, duke pretenduar se ai cenonte të drejtat dhe liritë e garantuara me kushtetutë. Qeveria mund t’i kufizonte ata vetëm duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, gjë që nuk e kishte bërë. Ky qëndrim u mbështet nga shumica e gjykatave para të cilave pjesëmarrësit e protestave u gjykuan më vonë.
Policia përdori gjithashtu taktika të rënda si përdorimi i gazit lotsjellës kundër protestuesve. Pavarësisht se kanë treguar mjetet e tyre të identifikimit dhe gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, deputetet Magdalena Biejat dhe Barbara Nowacka ishin spërkatur gaz lotsjellës në fytyrë.
Edhe gazetarët u sulmuan. Një fotografi lajmesh nga Gazeta Wyborcza iu hodh gaz lotsjellës, ndërsa Agata Grzybowska, një bashkëpunëtore në të njëjtën gazetë, u arrestua dhe u akuzua për shkeljen e paprekshmërisë së një oficeri policie për shkak se e fotografoi atë.
Gjatë një proteste tjetër, pjesëtarë të njësisë antiterror të policisë, me rroba civile, depërtuan në një turmë që protestonte në mënyrë paqësore. Në një moment, ata filluan të përlesheshin me një grup demonstruesish. Një nga policët nxori një shkop që zgjatej dhe goditi dy herë një burrë.
Adam Bodnar, komisioneri i atëhershëm polak për të drejtat e njeriut, ose Avokati i Popullit, e kritikoi një brutalitet të tillë policor në shumë raste. Gjatë një debati të organizuar nga senatorët e opozitës, ai theksoi se ishte i shqetësuar nga “kontrollet masive të mjeteve të identitetit të personave që thjesht po ecnin në drejtim të një demonstrate, grupit të demonstruesve, njerëz me makina që janë arrestuar jashtë Varshavës dhe abuzimi me përdorimin e gazit lotsjellës dhe shkopinjve, në veçanti, të shkopinjve që zgjaten”.
Në veçanti, Bodnar kundërshtoi masat e marra nga policia më 18 nëntor, kur njësitë antiterror me rroba civile depërtuan te demonstruesit. “Protestuesit kishin çdo të drejtë të frikësoheshin”, tha Bodnar. Ai gjithashtu kritikoi oficerët se ua kishin vështirësuar punën gazetarëve dhe për sulmet kundër deputetëve që mbështetën “Grevën e Grave”.
Një shqetësim më vete i ngritur nga Bodnar kishte të bënte me incidentet që ndodhën në makinat e policisë dhe qendrat e paraburgimit afatshkurtër. “Përdorimi i gazit lotsjellës, rrahjet, talljet, poshtërimet, madje edhe goditjet në fytyrë dhe stomak – situata ka shkuar shumë larg. Ajo që po ndodh në rrugët e qyteteve polake është alarmante. Policia ka humbur shumë besimin e publikut”, përfundoi ai.
Prokurori i Shtetit Bogdan Swieczkowski, krahu i djathtë i ministrit të drejtësisë, Zbignieë Ziobro, madje u përfshi personalisht në hakmarrjet kundër protestuesve.
Pak ditë pas marshimit të parë protestues të 22 tetorit, ai u dërgoi një letër të gjitha prokurorive të qarqeve duke i detyruar ato ta informonin për çdo procedim të regjistruar lidhur me “Grevën e Grave”
“Prokuroritë ishin të detyruara të raportonin për çdo vendim për hapjen e procedurës paraprake, për çdo refuzim për hapjen e një procedimi të tillë, për akuzat e ngritura dhe për rezultatet e procedurës paraprake. Ky ishte një rast i qartë presioni ndaj prokurorëve. Askush nuk ishte i gatshëm të hapte procedura të tilla, por ne u ndjemë nën presion”, tha një prokuror anonim për Gazetën Wyborcza.
Me kërkesë të prokurorit të shtetit, oficerët e policisë në Szczecin kërkuan zbulimin e të dhënave personale të drejtuesve të Zyrës së Marshallit të rajonit të Pomeranisë Perëndimore, organi që qeveris rajonin, të cilët në fund të tetorit u dhanë punonjëseve të tyre femra një ditë pushim në mënyrë që ato të mund të merrnin pjesë në një demonstrim në mbrojtje të të drejtave të tyre.
Gjykatat japin drejtësi
Gjatë muajve që pasuan pas fillimit të protestave në tetor 2020, protestuesit në të gjithë Poloninë morën thirrje që i urdhëronin ata të paraqiteshin në gjykatë në lidhje me mocionet për gjoba dhe gjoba të paraqitura nga policia ose për akuzat e ngritura kundër tyre nga prokurorët.
Megjithëse shifrat e sakta është e vështirë të dihen, gjykatat kanë zgjedhur të hedhin poshtë mocionet e policisë për vendosjen e gjobave, duke çuar në dyshime se shumica janë paraqitur thjesht si një formë kanosjeje dhe nuk janë një përpjekje e ndershme për të kërkuar drejtësi.
Shembujt përfshijnë dy aktiviste Zuzanna Kozak – e cila po jepte provimet e fundit të shkollës së mesme atë vit – dhe shoqja e saj më e madhe Aleksandra Filipiak – të cilat dolën para një gjykate në Poznan në qershor 2020.
Ndërsa bërtiste me një altoparlant, Zuzanna i tha një turme protestuesish të mbledhur në Poznam: “Më 13 dhjetor 2020 bëhen 39 vjet që nga vendosja e ligjit ushtarak në Poloni. Kam një ndjenjë të çuditshme se ajo që mësuam në mësimet e historisë po bëhet realiteti ynë. Unë e gjej komentin se “Gjenerali Wojciech Jaruzelski futi ligjin ushtarak në Poloni dhe Jaroslaw Kaczynski është në luftë me qytetarët e tij” mjaft të përshtatshëm. Ai po bën luftë kundër kujtdo që nuk ndan të njëjtat mendime me të, në fakt, kundër çdo qytetari.”
Për shkak se Zuzanna foli në fillim dhe në fund të protestës, policia arriti në përfundimin se ajo duhet të ketë qenë organizatore. Të njëjtën akuzë kanë ngritur edhe ndaj shoqes së saj Aleksandrës. Gjatë marrjes në pyetje në stacionin e policisë, asnjëra prej tyre nuk e pranoi fajin. Policia më pas i paraqiti gjykatës një mocion për të vendosur një gjobë prej 200 zloty për secilën prej tyre.
Gjykata i ndërpreu procedurat me arsyetimin se rregullat kundër COVID-19 për tubimet kishin mangësi. “Gjykata është e mendimit se vendosja e çdo kufizimi në lirinë e tubimit mund të vihet në zbatim vetëm me akt parlamentar. Një akt që ndalonte tubimet nuk ishte në fuqi në atë kohë. Gjykata dyshon nëse ndalimi i tubimeve të vendosura me rregullore ishte i detyrueshëm në atë kohë. Të pandehurit kishin të drejtë të besonin se po merrnin pjesë në një tubim të ligjshëm”, shpjegoi gjyqtari Lukasz Kalaëski në vendimin e tij.
Amelia Wieczorek, një 17-vjeçare nga Barlineki në rajonin e Pomeranisë Perëndimore, u soll para gjykatës me të njëjtat akuza. Policia e akuzoi atë për organizimin e tre demonstratave. Gjatë marrjes në pyetje në komisariat, një oficer policie sugjeroi mbylljen e çështjes së saj me një paralajmërim zyrtar, por 17-vjeçarja nuk do ta pranonte një dënim të tillë. Policia e referoi çështjen në gjykatë, e cila e ka pushuar procedimin.
Në fakt, BIRN mundi të gjente vetëm një rast të një gjykate që dënoi një qytetare femër për organizimin e një proteste të paligjshme – dhe madje edhe ky vendim u pushua përfundimisht. Gjykata e qarkut në Limanowa, në rajonin e Polonisë së Vogël, në janar të këtij viti dënoi 17-vjeçare me një qortim zyrtar nën dyshimin se organizoi një protestë në këtë qytet. Dënimi u dha pas procedurës pa pjesëmarrjen e palëve. Vajza apeloi, gjë e cila çoi në procedim të plotë gjyqësor. Pas seancës, gjykata e ndërpreu procedurën. Policia e ka apeluar dënimin, por Gjykata e Apelit ka dhënë vendim të formës së prerë duke e liruar nga akuzat 17-vjeçarën.
Çdo dyshim përfundimtar për këtë çështje u zgjidh nga Gjykata e Lartë, e cila vendosi më 1 korrik se ndalimi i tubimeve ishte vendosur në vitin paraardhës pa bazën e duhur ligjore, me anë të një rregulloreje në vend të një akti parlamentar dhe kundër kushtetutës, e cila garanton lirinë e tubimit.
Megjithatë, disa nga rastet kundër protestuesve janë ende në pritje. Dhe rastet më të rënda, ato të tre drejtuesve të lëvizjes dhe organizatorëve të protestave, të cilët përballen me deri në tetë vjet burg, priten të mbahen ende.
Për Maciej, Daria, Amelia dhe të tjerët makthi mund të ketë përfunduar. Por për të tjerë si Marta, ky është vetëm fillimi.