Analize26 Mar 2021

‘Ligj me dy standarde’: Tubimet politike në fushatë rrisin riskun e përhapjes së COVID-19

Ekspertët paralajmërojnë se shkelja e masave kundër përhapjes së COVID-19 gjatë tubimeve politike dhe takimeve elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, rrezikon ta përkeqësojë epideminë në vend.

Autor: Erjola Azizolli, Geri Emiri, Jerola Ziaj, Dhorjela Çule BIRN Tiranë. Durrës, Korçë, Vlorë
Printo

Mbështetës të shumtë në mitingun hapës të PD, me flamuj dhe qindra makina, për nisjen e fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike, në Sheshin “Nënë Tereza” për zgjedhjet e 25 prillit | Foto : LSA

Në 21 mars 2020, kur në Shqipëri kishte vetëm 76 raste me COVID-19, asnjë të vdekur dhe vendi ishte në karantinë totale, me urdhër të qeverisë një duzinë blindash të llojit ‘Humve’ me ushtarë të armatosur me mitralozë të rëndë patrulluan në rrugët e zbrazëta të Tiranës.

Një vit më vonë dhe 2184 të vdekur më shumë, e vetmja prezencë e masave shtrënguese kundër koronavirusit janë policët e patrullës së përgjithshme – shpesh me maska nën hundë, të cilët gjobisin në rrugë qindra qytetarë në ditë për mosmbajtje maske.

Deri më 17 mars, numri i gjobave ka arritur në 68 mijë, ose sa 12 për qind e të gjithë testeve të diagnostikimit të raportuar nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat përfshijnë në një pjesë jo të vogël edhe testet e paguara prej vetë qytetarëve privatisht.

Por ndërsa qytetarët gjobiten dhe i kanë të ndaluara dasmat e funeralet, të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se partitë politike dhe kandidatët për deputetë prej javësh janë në fushatë, duke shkelur rregullat për grumbullimet si dhe duke vënë në rrezik mbështetësit e tyre.

Edhe pse këto mbledhje janë publike dhe shpesh reklamohen në rrjetet sociale, policia ka gjobitur vetëm 7 politikanë për shkeljen e masave kundër COVID-19.

Nga këto vetëm një gjobë ka shkuar për një përfaqësues të Partisë Socialiste, ndërsa të tjerat janë për përfaqësues të dy partive kryesore në opozitë- PD dhe LSI, që i kanë kundërshtuar gjobat si politike.

E pyetur mbi rrezikshmërinë e këtyre takimeve mbi shëndetin e pjesëmarrësve, Silva Bino, shefe e departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik u përgjigj shkurt.

“Po e vë në rrezik,” tha ajo.

Po ashtu, doktori epidemiolog, Ilir Alimehmeti i tha BIRN se të gjitha grumbullimet duhej të shmangeshin.

“Në varësi të shkallës së mosrespektimit, do të kemi një përpjesëtim të drejtë riskun,” shpjegoi ai.

Të pyetura nga BIRN, tre partitë kryesore në vend, ajo Socialiste në qeverisje, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, nuk iu përgjigjën kërkesës për koment dhe as pyetjes nëse tubimet e tyre po rrezikonin pjesëmarrësit.

Kandidati i PD në Korçë, Edmond Spaho – i cili u gjobit fillimisht nga policia në Devoll me një gjobë prej 5 milionë lekë tha se gjoba ishte ‘politike’ dhe mohoi të kishte shkelur rregullat, duke theksuar se kishte qenë në kafene. Sipas Spahos, gjoba ishte anuluar më vonë nga Drejtoria e Policisë në Korçë.

Ngjashëm edhe pronari i një bar-kafeje në Kuçovë që u gjobit së bashku me ministrin e Mjedisit, Blendi Klosi, mohoi të ishte mbajtur një takim elektoral.

“Atë ditë minstri Klosi erdhi dhe ishte ulur jashtë për të pirë një kafe me disa persona  që e shoqëronin,” tha Krenar Hysenbelliu.

“U grumbulluan dhe disa njerëz të tjerë dhe kaq,” theksoi ai, ndërsa shtoi se gjoba do ankimohej.

Kandidati i LSI në Korçë, Endrit Braimllari, i gjobitur po ashtu nga policia, mohoi se kishte shkelur rregullat kundër COVID-19 edhe pse u vu përpara një fotoje ku ndodhej me mbi dy dyzina gra e vajza kryesisht pa maska në një ambient të mbyllur.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirlliu, ajo e Marrëdhënieve me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj, që publikuan së fundmi foto në takime masive, nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN mbi takimet në shkelje të urdhrit të vetë Manastirlliut.

Hipokrizi dhe pandëshkueshmëri 

Ministri Arben Ahmetaj gjatë një takimi zgjedhor

Një vit pas shpërthimit të pandemisë, më shumë se 122 mijë persona janë infektuar me COVID-19 në Shqipëri dhe 2184 kanë humbur jetën.

Të ngarkuar me kontrollin e zbatimit të masave kundër COVID-19, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Policia e Shtetit kanë vënë deri në muajin shkurt të këtij viti mbi 1.1 miliardë lekë gjoba për qytetarë dhe biznese të kapura në shkelje të Aktit Normativ nr. 3 të marsit 2020 dhe urdhërit të Ministrisë së Shëndetësisë Nr. 633 të nëntorit 2020.

Në gjithë këtë masë gjobash, vetëm 35 milionë lekë janë për përfaqësues politikë të cilët kanë zhvilluar takime elektorale në salla të mbyllura dhe ambiente të hapura.

Veç ministrit të Mjedisit, Blendi Klosi, të gjobitur janë dy përfaqësues lokalë të PD-së në Durrës, një drejtuese e forumit rinor të PD në Korçë, kandidati për deputet i PD-së në Korçë, Edmond Spaho, kandidati i LSI në Korçë, Endrit Braimllari dhe një shoqatë në Durrës, që organizoi një takim me presidentin Ilir Meta.

Megjithat, monitorimi i fushatës nga BIRN në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë dhe Berat ka zbuluar se kandidatë për deputetë – mes të cilëve edhe ministra, kanë organizuar dhjetëra takime në shkelje të aktit normativ dhe urdhërit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Kryeministri Edi Rama, i cili ka qenë mjaft i zhurmshëm mbi zbatimin e masave të marra, duke lëshuar paralajmërime dhe kërcënime nga faqja e tij në Facebook, drejtoi më 22 mars takimin me kandidatët për Tiranën. E ndërsa organizatorët ishin kujdesur që 34 kandidatët të ishin në një rreth me një farë distance, takimi ishte në shkelje të urdhërit të qeverisë që ndalon çdo tubim me mbi 10 veta- edhe në ambiente të hapura.

Nga ana e tyre, kandidatët për deputetë nuk janë aq të kujdesshëm sa regjia e takimeve të kryeministrit. Të mërkurën me 24 mars, ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj postoi në faqen e tij në Facebook fotot nga një takim me gratë në Njësinë Administrative numër 4 në Tiranë, ku numërohen mbi 50 pjesëmarrës. Takimi është zhvilluar në një sallë të madhe, por fotot i tregojnë pjesëmarrësit të ulur ngjitur me njëri-tjetrin, ndërsa mjaft prej tyre, përfshirë ministrin, nuk kanë maska.

Elisa Spiropali, ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin, i organizoi disa nga takimet e saj zgjedhore në një fushë minifutbolli. Një prej tubimeve, ku duken dhjetëra pjesëmarrës, nga fotot e postuara nga Spiropali me 21 mars, duket se ka një farë kujdesi për distancën; megjithatë, një duzinë syresh qëndrojnë në këmbë ngjeshur me njëri-tjetrin në muret e fushës, si spekatorë.

I djegur nga gjoba e 12 shkurtit, ministri Blendi Klosi ka zgjedhur t’i ‘zvogëlojë’ pjesëmarrësit në takime duke publikuar foto me sfond të mjegulluar. Të tjerë ministra të qeverisë, si Niko Peleshi i Mbrojtjes dhe Blendi Çuçi i Ministrisë së Brendshëme, publikojnë po ashtu foto të prera, në të cilat duken vetëm pak prej pjesëmarrësve në takime.

Në krahun tjetër të spektrit politik, dy drejtuesit e partive opozitare Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi dhe kandidatët e tyre i kanë sfiduar më haptazi rregullat kundër COVID-19. Basha është bërë drejtues i disa mitingjeve në Kavajë dhe qytetet të tjera të vendit.

Kryemadhi ndërkohë nuk para i ndjek masat parandaluese dhe në fotot e takkimeve zgjedhore të postuara ne mediat sociale, pjesëmarrja mbi numrin e lejuar është e dukshme. Po ashtu, një pjesë e mirë e pjesëmarrësve nuk mbajnë maska.

I gjobitur për shkelje të masave kundër COVID-19, Edmond Spaho – kandidat për Partinë Demokratikë në Korçë, i tha BIRN se e konsideronte masën administrative si politike.

Spaho deklaroi se ai po pinte një kafe në një lokal të fshatit Menkulas dhe se nuk kishte pasur takim, ndërsa shtoi se gjoba ndaj tij ishte anuluar më vonë nga policia në Korçë. Megjithatë ai kërkoi fleksibilitet për kohën e fushatës, duke nënkuptuar se masat duhej të zbuteshin.

“Janë më shumë se strikte. Do pak fleksibitet,” tha ai, ndërsa shtoi se qeveria po i përdorte masat për “luftë politike”.

Kandidati i LSI në Korçë, Endrit Braimllari po ashtu tha se nuk i kishte shkelur rregullat edhe pse kishte postuar foto që sugjeronin të kundërtën.

“Gjoba ndaj meje ishte politike,” tha Braimllari dhe pretendoi se ata po bënin një fushatë ndryshe.

Ekspertët të alarmuar

Foto e mjegulluar e një takimi të ministrit Blendi Klosi

Mjeku Erion Dasho, drejtor i Shëndetit dhe Inovacionit në kompaninë e konsulencës për projektet ndërkombëtare të shëndetit M4h, i cili është një nga kritikët më të ashpër të masave të qeverisë ndaj COVID-19, tha se situata dhe lehtësia me të cilën po shkeleshin rregullat e vendosura nga Komiteti i Ekspertëve ishte e rrezikshme.

“Këto situata janë shumë të rrezikshme dhe favorizojnë përhapjen e virusit,” tha Dasho, ndërsa referoi edhe takimin elektoral të Arben Ahmetaj, të cilin e denoncoi edhe në faqen e tij në Facebook.

Dasho tha se mitingjet, nëse nuk mbaheshin nën masa dhe nën kontroll, do të sillnin përkeqësim të situatës.

“Siç e kemi parë nga Kosova, menjëherë pas fushatës pati një përkeqësim të gjendjes së epidemisë,” tha ai.

Në të njëjtën linjë është edhe doktori tjetër, Ilir Alimehmeti.

“Rregulli kyç është evitimi i grumbullimeve dhe mbajtja e distancës,” tha Alimehmeti për BIRN.

Ai shtoi se nëse rregulli shkelej, pasojat do të dalloheshin me dy-tre javë vonesë.

“Vlerësimi i situatës vjen gjithnjë me dy-tre javë vonesë dhe vetëm atëherë mund të vërtetohet,” tha ai, duke iu përgjigjur një pyetje mbi ndikimin që tubimet do kishin në përhapjen e sëmundjes.

Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i organizatës “Qëndresa Qytetare”, e cila ka monitoruar sjelljen e policisë dhe masat e marra për COVID-19, thotë se rregullat që nuk vlejnë për politikanët, po përdoren për të parandaluar protestat dhe aktivizimin e shoqërisë civile.

“Komiteti Teknik i Ekspertëve u shpreh se dallimi mes protestave qytetare dhe tubimeve partiake – të cilat lulëzonin ndërkohë, ishte se në protesta kishte spërkla dhe përhapej më shpejt virusi,”, tha ai duke ironizuar qëndrimin e Komitetit. “Argument i pabazuar ne asnjë të dhënë studimore apo shkencore,” theksoi Xhemollari.

Ai theksoi se ishte e qartë që ligji po zbatohej me dy standarde.

“Standardi për qytetarët, të cilët çdo ditë gjobiten në rrugë e kudo për maskat dhe standardi i politikës, ku me afrimin e fushatës kemi çuditur Europën e cila është në karantinë – me tubime aspak normale për një vend nën pandemi,” përfundoi Xhemollari.

Takimi në calceto i ministres Elisa Spiropali