Lajm24 Dec 2020

Ligji për Operën dhe Baletin e Kosovës ende nuk adreson çështjen e sallës

Projektligji i ri i Kosovës mbi Filarmoninë, Operën dhe Baletin kombëtar përsëri nuk arrin të adresojë problemin kryesor, që vendi nuk ka një sallë të duhur koncertesh ose shfaqjesh.

Autor: Xhorxhina Bami, Isa Vatovci BIRN Prishtinë
Printo

Foto ilustruese: Pixabay.

Një projektligj i ri mbi Filarmoninë, Operën dhe Baletin e Kosovës, të cilin BIRN e siguroi nga një zyrtar i Ministrisë së Kulturës – që synon ndryshimin e ligjit të mëparshëm të miratuar nga misioni i sundimit të ligjit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK – nuk arrin të zgjidh problemin kryesor, që është mungesa e një salle të dedikuar për koncerte dhe shfaqje.

“Qëllimi i këtij ligji është të rregullojë organizimin e veprimtarisë dhe funksionimin e institucioneve të Filarmonisë së Kosovës, Operës së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës”, shkruan neni 1 i ligjit, ngjashëm me ligjin ekzistues nga maji 2007. Ndryshimi kryesor është se ligji i ri nuk do të jetë në përputhje me Rregulloren e UNMIK-ut të vitit 2001, por me Kushtetutën e Kosovës.

Ligji i ri specifikon se Opera si dhe orkestrat Filarmonike “përbëhen nga 60-80 instrumentistë profesionistë; kori profesional… me 40 deri në 60 anëtarë prosionistë kori” dhe se “solistët vokalë janë një formacion i përbërë nga të paktën 8 këngëtarë profesionist solo; Trupa e Operës së Baletit është një formacion prej 16 çiftesh balerinësh profesionistë”, ngjashëm me Trupën Kombëtare të Baletit, e cila duhet të ketë minimumi 16 çifte balerinësh profesionistë.

Megjithatë, ligji nuk thotë se ku duhet të bëjnë prova dhe të interpretojnë trupat.

Kosova aktualisht nuk ka një Sallë Kombëtare Opere dhe Baleti dhe duket se ligji i ri i ndryshuar nuk hedh ndonjë dritë të re mbi këtë problem.

Baleti Kombëtar kryesisht performon në Teatrin Kombëtar në Prishtinë. Filarmonia shpesh performon në Sallën e Kuqe të ish-Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, megjithëse ajo nuk është zyrtarisht një sallë koncertesh.

Orkestra Filarmonike performon rreth 30 koncerte dhe aktivitete në çdo sezon koncertesh, pavarësisht mungesës së kushteve të përshtatshme për të bërë prova dhe për të realizuar performanca.