Lajm11 Oct 2018

Ligji për Teatrin zhyt Shqipërinë në paqartësi kushtetuese

Presidenti Ilir Meta vendosi të kthejë për herë të dytë në Kuvendin e Shqipërisë për rishqyrtim ligjin e shumëdebatuar për Teatrin Kombëtar pasi argumenton se parlamenti ka dështuar të shqyrtojë shqetësimet e ngritura në dekretin e parë, pavarësisht se e ka pranuar atë.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Meta duke folur për gazetarët. Foto: Malton Dibra/LSA

Presidenti i Republikës Ilir Meta vendosi të rikthejë për herë të dytë për shqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë ligjin e shumëdebatuar Për Procedurë të Veçantë Negociimi për Teatrin Kombëtar, duke argumentuar se ndryshimi ligjor i shumicës socialiste nuk përbën pranim të dekretit dhe as rishikim të ligjit, por është në vetvete një ligj i ri me të njëjtin numër me të vjetrin.

Meta dekretoi rikthimin e ligjit për herë të dytë të enjten më 11 tetor.

“Në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin,” shkroi Meta në dekretin e tij.

Sipas kushtetutës, presidenti mund ta kthejë ligjin vetëm një herë, por Meta argumenton se loja juridike e ndërmarrë nga socialistët gjatë shqyrtimit të dekretit për kthimin e tij për herë të parë nuk është në përputhje me parimet e shëndosha ligjore dhe se ligji duhet të konsiderohet si i ri pavarësisht se mbart të njëjtin numër me të vjetrin.

Maxhoranca socialiste vendosi dy javë më parë të pranojë dekretin presidencial të kthimit të ligjit për shqyrtim dhe menjëherë pas kësaj i bëri një ndryshim ligjit duke e quajtur procedurën të mbyllur. Opozita dhe zyra e presidentit argumentojnë se maxhoranca socialiste ose do ta pranonte dekretin dhe do ta rishqyrtonte ligjin në tërësi, ose do ta rrëzonte atë dhe do ta linte ligjin të paprekur. Socialistët u bindën të ndryshojnë ligjin për Teatrin për shkak të presionit që i erdhi nga Komisioni Europian, i cili iu përgjigj shqetësimeve të aktivistëve duke argumentuar se dhënia e një të drejte publike dhe një prone publike një kompanie private me ligj parlamentar cënon detyrimin e Shqipërisë për pasjen e një tregu të hapur me të drejta të barabarta mes kompanive të ndryshme. Por socialistët vendosën të shfrytëzojnë dekretin e Metës si një rrugë e shkurtër që nuk humbiste kohë, pasi procedurat normale parlamentare kërkojnë dy javë.

Shqipëria nuk është përballur më herët me ndonjë situatë të ngjashme, kur dy institucione të vendit, parlamenti dhe presidenca, kanë mendime të ndryshme se çfarë është ligj, çfarë është dekret për kthim ligji dhe si mund të veprohet në një situatë të tillë. Zakonisht Gjykata Kushtetuese duhet të japë interpretime të kushtetutës për të imponuar një praktikë uniforme. Problemi është se gjykata kushtetuese aktualisht nuk është në gjendje funksionale pasi procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve solli dorëheqjen e disa prej anëtarëve dhe shkarkimin e disa të tjerëve, duke e lënë gjykatën me vetëm dy nga nëntë anëtarë.

Zëvendësimi i posteve vakante në Gjykatë nuk është i mundshëm për momentin për shkak se infrastruktura institucionale që duhet të kryejë pranimin e aplikimeve dhe renditjen e kandidatëve nuk është funksionale.

Dekreti i parë i Presidentit për kthimin e ligjit argumentonte se ligji në variantin e tij të parë mund të ishte antikushtuetues në përmbajtje dhe se në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, sugjeronte se deputetët duhej ta rishqyrtonin atë në tërësi.

Dekreti i dytë argumenton se ndryshimet e bëra në seancën e 20 shtatorit nuk trajtojnë shumicën dërrmuese të pikëpyetjeve mbi kushtetutshmërinë e ligjit.

Një grup aktivistësh që po protestojnë prej muajsh duke kërkuar mbrojtjen e godinave ekzistuese të Teatrit si trashëgimi kulturore e vendit si dhe mbrojtjen e pronës publike që pritet t’i kalojë një investitori privat në bazë të këtij ligji e përshëndetën dekretin e Metës si fitore.

Shumica parlamentare nuk ka mbajtur ende një qëndrim publik ndaj dekretit të ri.