Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë përshëndeti miratimin e ligjit për konsultimet publike si një hap përpara drejt një qeverisje më të hapur.
“Qëllimi kryesor i këtij ligji është të inkurajojë pjesëmarrjen e publikut dhe grupeve të interesit në vendimmarrje dhe qeverisje, dhe të rrisë dobinë, transparencën dhe përgjegjësinë e autoriteteve publike kundrejt publikut,” tha Soros në një deklaratë pasi parlamenti miratoi ligjin të enjten.
“Ky ligj hap rrugën për dialog dhe përmirëson politikat dhe veprimtaritë ligjore,” shkruhej në të.
Ligji u adoptua pas një fushate tre-vjeçare nga organizatat e shoqërisë civile në kuadër të përgjegjësisë së Shqipërisë e cila është anëtarësuar në iniciativën ndërkombëtare të quajtur Partneriteti i Qeverisjes së Hapur (Open Government Partnership).
Si pjesë e Partneritetit të Qeverisjes së Hapur, qeveria i ngarkoi vetes detyrën në vitin 2012 të promovonte transparencën, të luftonte korrupsionin dhe të shfrytëzonte teknologjitë e reja për të forcuar qeverisjen.
Përgjegjësitë i drejtohen tri parimeve kryesore të iniciativës: rritjes së integritetit publik, përmirësimit të shërbimeve publike dhe menaxhimit më efiçent të burimeve publike.
Ligji i ri institucionalizon konsultimet publike në procesin e hartimit dhe miratimit të ligjit, të strategjive kombëtare ose vendore si dhe politikat që janë në interes të publikut.