Nils Muiznieks, Komisioneri për të Drejtat e Njeriut pranë Këshillit të Europës tha për BIRN se ndryshimet e reja ligjore të propozuara në Slloveni për uljen e valës së emigrantëve mund të ndiqen edhe nga shtete të tjera të Ballkanit.
Komisioneri për të Drejtat e Njeriut pranë Këshillit të Europës, Nils Muiznieks, i tha BIRN se propozimi i Sllovenisë për Aktin e Të Huajve mund të shkaktojë një “efekt domino” në Ballkan në vendet përgjatë të ashtuquajturit “itinerar i Ballkanit”, ku përfshihen Greqia, Maqedonia, Serbia, Kroacia dhe Hungaria.
“Ka një reagim zinxhir për ndërtimin e mureve përgjatë “itinerarit të Ballkanit”. Kroacia po sheh tashmë me frikë se çfarë do të ndodhi në Slloveni,” tha ai.
“Frika ime është se këto ndryshime, nëse miratohen, mund të sinjalizojnë një garë për standardet më të ulëta në rajon dhe kjo do të çonte në një efekt domino në vende të tjera gjithashtu”.
“Mund të jetë diçka shumë e keqe për refugjatët, rajonin dhe Slloveninë, që mund të nxisë këtë proces,” tha Muiznieks. “Do të sinjalizonte vendet e tjera të bënin të njëjtën gjë”.
Qeveria e Sllovenisë mbështeti një ndryshim në Aktin ekzistues të të Huajve më 5 janar, duke propozuar procedura më të ashpra për azilkërkuesit dhe refugjatët për një periudhë prove 6-mujore – me një mundësi zgjatjeje me gjashtë muaj të tjerë.
Ka gjasa të mbështetet nga parlamenti i vendit në të cilin plani gëzon mbështetje ndërpartiake.
Megjithëse kufizimet nuk do të aplikohen te personat që konsiderohen se kanë jetën në rrezik nëse kthehen në atdhe apo te minorenët e pashoqëruar, parashikimet do t’i japin fuqi policisë të refuzojë hyrjen e shumicës së azilkërkuesve në kufi.
Plani ka tërhequr kritika të forta nga aktivistët dhe ekspertët e krizës së refugjatëve në Kroaci, si dhe mes vetë OJQ-ve në Slloveni.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland, javën e shkuar i shkroi kryeministrit slloven, Miro Cerar, duke shprehur shqetësime se propozimi do të shkaktonte probleme me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, veçanërisht duke theksuar “të drejtën e shqyrtimit, marrjen në konsideratë të rrethanave individuale në përpunimin e aplikacioneve dhe mbrojtjen e të gjithë migrantëve dhe azilkërkuesve kundër keqtrajtimit”.
Muiznieks i shkroi kryetarit të parlamentit slloven, Milan Brglez, të martën duke paralajmëruar se ndryshimet e propozuara “ngrinin çështje serioze për përputhjen me disa standarde europiane dhe ndërkombëtare që Sllovenia i ka pranuar, duke theksuar deportimet në masë, si dhe të drejtat themelore të çdo individi për të kërkuar dhe marrë azil”.
Një nga parimet ndërkombëtare është edhe moskthimi i viktimave të persekutimeve te persekutuesit e tyre, në shumicën e rasteve në shtetet nga të cilat ata vijnë.
Në letër, Muiznieks përmendi një rast të sjellë pranë Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, ku azilkërkuesit u kthyen në Hungari nga Austria dhe kështu “u ekspozuan ndaj një rreziku shumë të lartë të të qenët subjekt i deportimeve në masë në Serbi dhe më pas në atdhe”.
“Shqetësimi im thelbësor është se nuk parashikohen procedura të vlerësimit individual në ligjin slloven, për të vlerësuar nëse individët që bëjnë një kërkesë do të përballen me torturë nëse kthehen në kufi,” shpjegoi ai për BIRN.
Përveç dërgimit të ushtrisë në kufi në tetor 2015, Sllovenia ngriti një gardh me tela me gjemba në nëntor të atij viti.
Kriza e refugjatëve më vonë mori fund në dukje pas mbylljes së kufijve për shumicën e migrantëve në mars 2016.
Ndryshimet e reja të propozuara me gjasa do të kalohen në parlamentin slloven nga partitë qeverisëse dhe opozita, që ka deklaruar se e mbështet.
E përditshmja sllovene Delo raportoi të hënën se sipas një sondazhi telefonik të kryer mbi 500 persona, 64 për qind e tyre vinin në pikëpyetje propozimin e qeverisë.