Gjykata e Tiranës ka miratuar kërkesën e prokurorisë për të ndryshuar masën e sigurisë për 4 persona, të arrestuar në qershor 2018 si pjesë e një grupi kriminal që po transportonte nëpërmjet portit të Durrësit 3.4 milionë euro.
Lirimi i 4 të dyshuarve, Agim Çeka, Alban Mollaymeri, Edi dhe Klevis Lika ka ardhur pas shpalljes së moskompetencës lëndore për çështjen nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda dhe transferimit të hetimit tek Prokuroria e Tiranës.
Sipas avokatit mbrojtës, Samir Vishaj çështja ndaj 4 të dyshuarve është transferuar tek Prokuroria e Tiranës pasi prokurorët Ened Nakuçi dhe Dolores Musabelliu, kanë riklasifikuar veprën penale nga pastrim parash në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal në mosdeklarim i të hollave në kufi – një vepër që cilësohet si kundërvajtje penale dhe dënohet deri në 2 vjet burgim.
Pas transferimit të çështjes tek Prokuroria e Tiranës, kjo e fundit i ka kërkuar gjykatës të rishikojë masën e sigurisë detyrim paraqitje për Alban Mollaymeri, Edi Lika dhe Klevis Lika, si dhe arrest shtëpie për shtetasin Agim Çeka, ndaj të cilit rëndon dhe akuza armëmbajtje pa leje për shkak se gjatë kontrollit të banesës i është bllokuar dhe një pushkë automatike Kallashnikov.
Ndërkohë gjyqtari i gjykatës së Tiranës, Lazër Sallaku ka vendosur t’i lirojë të gjithë të pandehuri duke i vendosur masën detyrim paraqitje. Sipas kreut të Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj ndaj të pandehurve kishin mbaruar afatet e paraburgimit.
Bllokimi i sasisë së konsiderueshme të parave në portin e Durrësit në qershor 2018, prodhoj akuza të ashpra nga kreu i opozitës Lulzim Basha, sipas të cilave qeveria shqiptare ishte e lidhur me trafikun e drogës. Basha paralajmëroi disa ditë përpara bllokimin e parave dhe akuzoi Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Ballën, si garantues të marrëveshjeve me krimin e organizuar.
Balla iu përgjigj duke e hedhur në gjyq për shpije Bashën dhe në Janar 2019 lideri i Partisë Demokratike u dënua nga Gjykata e Tiranës për shpifje me 50 mijë lekë gjobë.