Blog3 Nov 2020

Live Blog: Zgjedhjet presidenciale në SHBA

Amerikanët i drejtohen kutive të votimit të martën për të zgjedhur presidentin e SHBA-së. Ndiqni nëpërmjet blogut të përditësuar të Reporter.al lajmet e fundit për garën elektorale midis Donald Trump dhe Joe Biden.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Republikanët mobilizojnë 60 milionë dollarë për betejat ligjore

16:10 Komiteti Kombëtar i Partisë Republikane po punon për të grumbulluar 60 milionë dollarë me urgjencë për të financuar sfidat ligjore në lidhje me zgjedhjet presidenciale, bën të ditur Reuters duke cituar burime konfidenciale nga kjo parti.

Fushata e Trump ka dorëzuar padi në shumë shtete në lidhje me zgjedhjet e së martës ndërsa kandidati demokrat Joe Biden i është afruar fitores me avantazhe të ngushta në disa shtete fushëbetejë.

Përmasat e shumës së kërkuar për beteja ligjore janë sugjeruese për përmasat e betejave ligjore të pritshme.

Keqinformimi në gjuhën spanjolle dëmtoi demokratët, thotë Reuters

15: 57 – Ndërsa kompanitë e medias sociale ndërhynë fort në redaktimin e postimeve që mund të përmbanin të pavërteta apo keqinformime rreth zgjedhjeve, postimet në gjuhën spanjolle që shënjestruan spanjishtfolësit në SHBA ishin të shumta, raporton Reuters duke cituar ekspertë mbi dizinformimin në gjuhën spanjolle. Postimet në fjalë vunë në pikëpyetje besueshmërinë e votimit me postë ndërsa në mënyrë të pavërtetë e përshkruan kandidatin demokrat për president Joe Biden si socialist.

Postime të tjera nxitën teoritë e komplotit të njohur si QAnon në spanjisht, përfshirë pretendimet se Presidenti Donald Trump po lufton “shtetin e thellë”, trafikantët e qenieve njerëzore si dhe që përshkruanin Biden si “predador seksual” apo “pedofil.”

Reuters vëren gjithashtu se shumë nga postimet e kësaj natyre në Facebook, Twiter and Alphabet vijojnë të jenë online ndryshe nga postime të ngjashme në anglisht, të cilat etiketohen si të pavërteta apo fshihen. [Linku në anglisht te Reuters]

13:26 – Xhorxhia dhe Pensilvania janë dy nga shtetet ku gara është ende e ngushtë për të projektuar një fitues. Të dy shtetet mund të shkojnë drejt rinumërimit të votave, po si funksionon ai? Në Xhorxhia nuk mund të ketë rinumërim automatik të votave. Rinumërimin mund ta kërkojë një kandidat, pas certifikimit të rezultatit.

Por ja si funksionon procesi:

1-Kontetë duhet të certifikojnë rezultatin e tyre deri më 13 Nëntor.

2-Më pas, shteti bën një “audit të kufizimit të rriskut”.

3-Shteti duhet të certifikojë rezultatin deri më 20 Nëntor.

4-Kushdo që del në vend të dytë –Trump ose Biden –mund të kërkojë rinumërimin, por vetëm nëse rezultati është me diferencë deri në 0.5% .

Në Pensilvani mund të ketë rinumërim automatik të votave, nëse diferenca mes kandidatëve është në masën 0.5% ose më pak.

Kujtesë: Në historinë e Shteteve të Bashkuara është shumë e rrallë që rinumërimi të ndryshojë rezultatin. Mund të ketë dhjetra ose disa qindra vota që ndryshojnë, por ideja se janë me mijëra vota për të përmbysur rezultatin nuk ka gjasa të ndodhë.

10:37 – Kjo është harta elektorale në zgjedhjet presidenciale ndërsa sfidanti demokrat Joe Biden i afrohet 270 votave elektorale të nevojshme për tu zgjedhur presidenti i 46-të i SHBA-së.

10:30 – Rezultatet e fundit nga zgjedhjet presidenciale në SHBA: Joe Biden vazhdon të udhëheqë në shtetet kyçe që do i siguronin mjaftueshëm vota elektorale për tu zgjedhur president. Në Pennsylvania ai ka një avantazh prej +28,883 votash me 98 % të votave të numëruara, në Nevada ka një avantazh pre +22657 votash me 93 % të votave të numëruara, në Arziona Biden udhëheq me +29,861 vota me 97 % të votave të numëruara, ndërsa në Georgia ai ka +7842 vota me 98 % të votave të numëruara.

E shtunë 7 nëntor, 2020

17: 07 Ivanka Trump nuk tregon shenja tërheqjeje, pavarësisht raportimeve se ajo mund të ishte personi që do t’i arsyetonte të atit se po bëhej e qartë që Joe Biden ishte drejt fitimit të zgjedhjeve. “Çdo votë e hedhur ligjërisht duhet të numërohet. Çdo votë e hedhur në mënyrë të paligjshme, nuk duhet të numërohet. Kjo nuk duhet të jetë e diskutueshme,” shkrujti Ivanka Trump në Twitter, duke përforcuar qëndrimin e babait të saj.

 

16: 54 –Sekretari i Shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger konfirmoi votat në këtë shtet do t’i nënshtrohen rinumërimit. “Do të ketë rinumërim në Xhorxhia,” tha Raffensperger në Atlanta, ndërsa premtoi transparencën e procesit. Për shkak të diferencës së vogël në vota, rinumërimi në Xhorxhia ishte i pritshëm. Aktualisht, Joe Biden është në avantazh me vetëm 1579 vota ndaj Donald Trump.

 

16:07– Pas përmbysjes së rezultatit në Pensilvani, mbështetësit demokratë kanë dalë në rrugë duke festuar. Biden kryeson me 6737 vota në shtetin kyç të Pensilvanisë -e cila ka 20 vota elektorale.

Biden kalon në avantazh në Pensilvani

15: 01 –Shifrat e fundit nga Pensilvania e vendosën kandidatin demokrat, Joe Biden në një avantazh të lehtë me 5587 vota. Pensilvania është një shtet përcaktues në garën mes Donald Trump dhe Joe Biden, fitorja e së cilës mund ta çojë këtë të fundit drejt e në Shtëpinë e Bardhë. Në Pensilvani kanë mbetur edhe rreth 150 mijë vota për t’u numëruar.

Sytë e amerikanëve kthehen nga Pensilvania

13:46 – Me 95% të votave të numëruara, shteti i Pensilvanisë është kthyer në qendër të vëmendjes të premten më 6 nëntor. Joseph R. Biden Jr. Kapërceu Trump në Xhorxhia mëngjesin e së premtes me një rezultat shumë të ngushtë, por janë zgjedhjet në Pensilvania, ku dalin 20 delegatë, ato që mund të çojnë Biden përtej kuotës së nevojshme prej 270 delegatësh për ta bërë atë president.

Aktualisht Trump udhëheq në Pensilvania me 18 mijë vota por disa dhjetëramijëra vota janë ende në pritje për t’u numëruar dhe i përkasin zonave tradicionalisht demokratike.

Rreth 54 mijë vota janë në Filadelfia, qyteti historik i SHBA-së. Rezultate të mëtejshme pritet të publikohen gjatë ditës së sotme, pasdreke vonë me orën shqiptare.

Punonjësit e numërimit ndaluan procesin shkurtimisht të enjten për shkak të padive të ngritura. Procesi rinisi kur më vonë kur paditë u rrëzuan.

11:20 – Pas përmbysjes së rezultatit në shtetin kyç të Xhorxhias, këngëtari John Legend –një kritik i presidentit Trump, ka reaguar kështu:

 

 

#LajmiiFundit

Joe Biden kapërcen Trump në shtetin kyç të Xhorxhias

11:07 – Votat e numëruara gjatë ditës së fundit sollën përmbysjen e rezultatit në shtetin kyç të Xhorxhias në zgjedhjet presidenciale amerikane. Aktualisht Biden ka 917 vota më shumë sesa presidenti aktual Donald Trump me 98% të votave të numëruara. Rezultati vijon të jetë jashtëzakonisht shumë i ngushtë, por tendenca gjatë ditëve të fundit ka qenë reduktim i vazhdueshëm i avantazhit të Trump në këtë shtet që dërgon 16 delegatë në kolegjin zgjedhor. E premte, 6 nëntor 2020

19:35– Avantazhi i presidentit Trump në shtetin e Xhorxhia ka zbritur në 13,540 vota, ndërsa Sekretari I Shtetit deklaroi se mbeten edhe rreth 50 mijë vota për t’u numëruar.

18: 20 – Një gjyqtar në Xhorxhia rrëzoi padinë e fushatës së Trump për votat përmes postës në këtë shtet. Ekipi për rizgjedhjen e Presidentit u përpoq të argumentonte se administrate zgjedhore po përpiqej të numëronte vota të pavlefshme në Xhorxhia. Kur iu kërkuan prova për pretendimet, fushata e Trump nuk arriti t’i dorëzonte ato. Fushata e Trump ka ndërmarrë një sërë betejash ligjore në shtetet e lëkundura, por deri më tani, paditë nuk duket se kanë meritë.

18: 12 – Ekipi i Trump mbajti një konferencë në Florida, duke ngritur akuza të pabazuara për mashtrim në shtetin ku Biden kryeson me një diferencë të vogël. Kur reporti i MSNBC i kërkoi këshilltarit Ric Grennell të tregonte provat, ai u largua pa thënë asgjë.

 

15:36 –Presidenti Donald Trump bëri një reagim të fundit në stilin e tij në Twitter: “Ndaloni numërimin”! Reagimi vjen pasi zyrtarët elektoralë shprehën vendosmërinë për të numëruar çdo votë të vlefshme të qytetarëve amerikanë.

 

15:31Ndonëse pritet që kandidati demokrat, Joe Biden të mbledhë së shpejti 270 votat e domosdoshme elektorale, kjo nuk do t’i japë fund procesit zgjedhor në Shtetet e Bashkuara. Më poshtë lexoni një listë me betejat ligjore të mbledhura së bashku nga agjencia Reuters.

Lufta e numërimit të votave në Miçigan

Fushata e Trump tha të mërkurën se kishte ngritur padi në Miçigan për të ndaluar zyrtarët që të numëronin votat. Padia e dorëzuar në Gjykatën e Ankesave në Miçigan kërkon ndalimin e numërimit derisa të caktohet një inspektor për çdo bord numërimi të votave të dorëzuara me postë. Stafi i Trump kërkoi gjithashtu që të rishikonte votat e hapura dhe të numëruara pa praninë e një inspektori.

Beteja gjyqësore në Pensilvani

Republikanët paditën të martën zyrtarët zgjedhorë të kontesë Montgomery në kufi me Filadelfian, duke i akuzuar ata për numërim ilegal të votave me postë para kohe si dhe dhënien e mundësisë për rivotim të atyre që kishin dorëzuar vota me defekte. Gjatë një dëgjese të mërkurën, gjyqtari Timothy Savage në Filadelfia u shfaq skeptik ndaj këtyre akuzave si dhe ndaj pretendimeve se integriteti i zgjedhjeve mund të cënohej.

Në një padi të dytë, fushata e Trump kërkoi ndalimin e numërimit në Pensilvani me pretendimin se Republikanëve u ishte ndaluar në mënyrë të paligjshme aksesi për të vëzhguar procesin.

Ndërkohë, Republikanët në Pensilvani i kanë kërkuar Gjykatës Supreme që të rishikojë një vendim të gjykatës më të lartë të shtetit që lejoi numërimin e votave të postuara ditën e zgjedhjeve dhe që mund të mbërrinin deri me 6 Nëntor. Të mërkurën, fushata e Trump dorëzoi një mocion për të ndërhyrë në çështje.

Procesi gjyqësor i Shërbimit Postar

Një gjyqtar tha të mërkurën se drejtuesi i postës, Lois DeJoy duhet t’u përgjigjet pyetjeve se pse Shërbimi Postar i Shteteve të Bashkuara dështoi që të zbatonte një urdhër gjykate për spastrimin e votave të padorëzuara në një duzinë shtetesh përpara skadimit të afatit të martën pasdite. Gjyqtari Emmet Sullivan është gjithashtu duke shqyrtuar një padi të bërë nga Vote Forward, NAACP [Shoqatës Kombëtare për Avancimin e Njerëzve me Ngjyrë] dhe komunitetit hispanik, të cilët i kanë kërkuar shërbimit postar që t’i dorëzojë votat në kohë për t’u numëruar.

Konflikti i votave në Xhorxhia

Fushata e Trump dorëzoi një padi të mërkurën në mbrëmje në gjykatën e kontesë Chatham në Xhorxhia. Ndryshe nga aksioni në Pensilvani dhe Miçigan, padia nuk i kërkon gjyqtarit që të ndalojë numërimin e votave. Ekipi i Trump pretendoi se kishte informacione që votat e mbërritura me vonesë ishin ngatërruar me votat e vlefshme dhe i kërkoi gjyqtarit që të ndërhynte me një urdhër për të siguruar që votat e vonuara të ndaheshin, në mënyrë që ato të mos numërohen. Pas këtij njoftimi, një konferencë do të mbahet në Nevada nga zyrtarët republikanë dhe avokatët, nga ku pritet që edhe Nevada t’i shtohet shpejt kësaj liste.

 

14:09- Nëpërmjet një deklarate në Twitter, kandidati demokrat Joe Biden theksoi të enjten se çdo votë në zgjedhjet presidenciale të së martës duhet të numërohet.

14:06 – Tregjet ndërkombëtare të aksioneve kanë shënuar rritje edhe pse SHBA po pret akoma rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. Pritet që indeksi S&P 500 të hapet të enjten me një rritje 2%, ndërkohë indeksi Stoxx Europe 600 u rrit me 1% të enjten.  Në gjermani indeksi Dax u rrit gjithashtu me 1.7% dhe ai CAC në Francë fitoi 1.1%.

10:32 – Biden ka ngushtuar diferencën e votave me Trump në shtetin jugor të Georgia-s ku numërimi vazhdon. Presidenti Trump e pa avantazhin e tij të mërkurën të ngushtohej nga + 100 mijë vota në 24 mijë vota, ose 0.5 % të elektoratit.

10:25 – Avantazhi i Joe Biden ngushtohet në Arizona. Të dhënat të mëngjesit të së enjtes tregojnë që Biden ka një avantazh prej gati 69 mijë votash në Arizona, pasi Trump e ngushtoi distancën me 11 mijë vota nga përditësimi i fundit në qarkun Maricopa. Në Arizona, Nevada, Pennsylvania, Georgia dhe North Carolina numërimi i votave nga zgjedhjet e së martës vazhdon, ndërsa Biden udhëheq Trump me 253 vota elektorale kundrej 214 tw presidentit republikan në detyrë. Për të fituar garën presidenciale nevojiten 270 vota elektorale.

E enjte, 5 nëntor 2020

22:30 – Sipas CNN Joe Biden ka fituar shtetin e Michigan duke e çuar totalin e tij të votave në Kolegjin Elektoral në 253. Sipas totalit të votave të numuruara, Biden ka një avatazh prej 60 mijë votash në Michigan.


Click the map to create your own at 270toWin.com

 

20:32 -Sipas Associated Press, Joe Biden është fitues në Uiskonsin; shteti i dytë pas Arizonës që kaloi nga Republikanët tek Demokratët. Uskinsin ka 10 vota elektrorale dhe shkurton rrugën e Biden për në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, drejtuesit e fushatës së Trump lajmëruan më parë se do të kërkonin “menjëherë” rinumërimin e votave në shtetin e Uiskonsin.

 

Shteti i vogël i Mejn i kalon Biden

18:03 – Media kryesore amerikane shënjoi shtetin e vogël të Mejnit në veri si zonë të fituar nga Joe Biden, duke rritur numrin e delegatëve të kandidatit demokrat në 227. Me më shumë se 77% të votave të numëruara, Biden dominon garën në këtë shtet me rezultatin 54/43%. Mejn ka 1.3 milionë banorë dhe 91 mijë kilometra katrorë dhe është një nga shtetet më të vogla të federatës. Mejn dërgon 4 delegatë në kolegjin që zgjedh presidentin e ardshëm. Aktualisht gara mbetet e ngushtë në pesë shtete, ku rezultati mund të ndryshojë. Biden kryeson në Arizona, Nju Meksiko, Uiskonsin dhe Miçigan, shtete që sëbashku kanë 43 vota, të cilat, nëse i fiton Biden, i japin atij në total 270 vota, pra fitoren në zgjedhjet presidenciale. Trump kryeson garën në Xhorxhia, Karolinën e Veriut dhe Pensilvanian, të cilat sëbashku me shtetet që ka fituar tashmë i japin atij 267 vota. Kjo do të thotë që Trump ka nevojë të përmbysë rezultatin e ngushtë në një nga shtetet e kryesuara nga Biden.

Rrugët e fitores së zgjedhjeve presidenciale amerikane

02:56 – Gjashtë shtete vijojnë të jenë pa rezultat të qartë ndërsa votat vijojnë të numërohen: Xhorxhia, Miçigani, Nevada, Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Uiskonsin. Biden ka nevojë të fitojë tre prej këtyre shteteve për të kapërcyer kuotën e 270 delegatëve ndërsa Trump ka nevojë të fitojë së paku katër prej tyre. Rezultati pritet të përcaktohet te pak milionë vota të hedhura në distacë, të njohura si “votë në mungesë” të cilat janë të parat që hidhen dhe të fundit që numërohen.

Aktualisht, (mesdita e së mërkurës) Biden ka avantazh të ngushtë në Nevada dhe Uiskonsin. Trump ka avantazh në Xhorxhia, Karolinën e Veriut, Pensilvani dhe Miçigan por ka ende dhjetëramijëra vota që pritet të numërohen në një numër zonash që janë tradicionalisht demokrate.

Pensilvania është rruga më e shkurtër e Trump për fitore. Ky është një shtet që e mbështeti atë më 2016. Nëse fiton Pensilvanian, atij do t’i nevojitet fitore edhe në tri shtete të tjera për të arritur kuotën e 270 delegatëve. Nëse humbet Pensilvanian, do të duhet të fitojë të pesta shtetet e tjera.

Rezultati paraprak i jep Trump 55% në krahasim me 43 të Biden me 75% të votave të numëruara por qytetet më të mëdha dhe tradicionalisht demokrate, Filadelsia dhe Pitsburgu kanë numrin më të madh të votve të mbetura për t’u numëruar, gjë që e mban garën të hapur.

Rezultati në Pensilvani pritet ndërkohë të vonojë për shkak se gjykatat e shtetit kanë urdhëruar zyrtarët të numërojnë votat e dërguara me postë të hedhura deri ditën e martë, me kushtin që posta t’i dorëzojë ato para së premtes.

Rruga më e shkurtër e fitores për Biden kalon përmes Nevadës dhe Uiskonsinit, ku ai ka një avantazh momenta të vockël. Nëse Biden i fiton këto shtete, i nevojitet edhe një nga shtetet e tjera për të fituar.

Rezultati në Nevada pritet të vonohet për shkak se zyrtarët e shtetit kanë njoftuar pushim në numërim deri të enjten në mëngjes.

14:31 -Momentalisht në 4 shtete, procesi i numërimit po shkon drejt fundit me 10% ose më pak vota të mbetura: Wisconsin, Georgia, North Carolina dhe Michigan. Nga këto, Trump mban një kryesim të mirë në Georgia dhe North Carolina. Gara në Wisconsin dhe Michigan është mjaft më e ngushtë. Trumpi kryeson Michiganin me vetëm 13,057 vota, ndërsa mbeten për t’u numëruar edhe 540 mijë të tjera. Biden kryeson në Wisconsin me vetëm 20,748 vota, ndërsa mbeten për t’u numëruar edhe 173 mijë vota. Nevada, Pennsylvania dhe Alaska janë gjithashtu të papërcaktuara, por shpallja e një fituesi pritet të marrë më tepër kohë.

14: 19– John Bolton, ish-këshilltari i Trump për Sigurinë Kombëtare i konsideroi komentet e Presidentit mëngjesin e së mërkurës si të papërgjegjshme në një bisedë me Sky News. “Mendoj se komentet e para disa orëve të Presidentit se ai ishte duke fituar, se kishte fituar, por tashmë po i vidheshin zgjedhjet janë disa prej komenteve më të papërgjegjshme që një President i Shteteve të Bashkuara ka bërë ndonjëherë. Ne nuk e dimë se cili do të jetë përfundimi. Është plotësisht e mundur që Trump të fitojë, por ai hodhi dyshime mbi të gjithë procesin zgjedhor, qartësisht për avantazhin e vet personal. Kjo është e turpshme,” tha Bolton.

13:40 – Votimi i hershëm në Arizona ka tejkaluar votën totale të shtetit në 2016. Arizona është shteti i katërt – pas Teksasit, Hawaiit dhe Nevadës – që kalon numrin e votave nga katër vjet më parë.

13:38 – Joe Biden mori të pesë votat e hedhura për president në Dixville Notch, një qytezë e vogël e New Hampshire, përgjatë kufirit SHBA-Kanada që është ndër vendet e para në vend që ka bërë të njohur preferencën e saj në zgjedhjet presidenciale.

13:28 – Më shumë se 100 milion amerikanë votuan në të gjithë vendin përpara se të hapen qendra zgjedhore të martën, duke përfaqësuar më shumë se 47% të votuesve të regjistruar

13:23 – Aktorja me origjinë shqiptare, Eliza Dushku i bën thirrje bashkëqytetarëve të saj amerikan që të votojnë.

13:11 – Lady Gaga të hënën dha një mesazh të ndjerë mbështetje për Joe Biden ndërsa Amerika po drejtohet në qendrat e votimit, duke iu referuar historisë së Donald Trump dhe deklaratave tw tij seksite dhe akuzave nga gra tw ndryshme pwr sulmeve të pretenduara seksuale nga presidenti.

“Votoni sikur jeta juaj varet nga kjo, ose votoni ashtu sikur të varet jeta e fëmijëve tuaj, sepse ashtu është”, tha ajo në një tubim në Pensilvani. “Të gjithë, pavarësisht se si identifikoheni, tani është shansi juaj të votoni kundër Donald Trump, një burrë që beson se fama e tij i jep të drejtën t’u fusë duart vajzave, motrave, nënave dhe grave. Votoni për Joe. Ai është një person i mirë. ”

12:00-Kandidatët për Presidentë, Joe Biden dhe Donald Trump shpërndanë mesazhe të ndryshme përmes llogarive të tyre në Twitter këtë mëngjes. Biden  theksoi se do të punonte njësoj si për mbështetësit, ashtu edhe për ata që nuk e mbështesin, ndërsa presidenti Trump falenderoi bazën e mbështetësve të tij.

11:10- Sa amerikanë kanë votuar deri më tani?

Sipas US Election Project, gati 100 milionë amerikane shfrytëzuan votimin e hershëm deri më 3 Nëntor, fizikisht ose përmes postës. Zgjedhjet presidenciale të këtij viti janë të parat në histori ku më shumë njerëz votuan përpara sesa ditën zyrtare të zgjedhjeve. Kalifornia është shteti me numrin më të madh të votuesve të hershëm deri më tani, ku 11 milionë qytetarë llogaritet të kenë votuar deri më 2 Nëntor. I dyti në radhë është Teksasi me 9.7 milionë votues të hershëm, i ndjekur nga Florida me 8.7 milionë votues.

 

11:06-Qytetarët amerikanë do të vendosin sot më 3 nëntor nëse Donald Trump do të vazhdojë ose jo të drejtojë Shtetet e Bashkuara për një mandat të dytë 4-vjeçar. Sfidanti i tij në këto zgjedhje është demokrati Joe Biden –i angazhuar në politikë prej viteve ’70, por i njohur më së shumti si zv.president i Barack Obamës. Zgjedhjet amerikane konsiderohen si ngjarja më e madhe politike e vitit, por ato po zhvillohen mes  një shpërthimi të ri të infektimeve me COVID-19 si dhe shqetësimeve për ekonominë. Sondazhet kombëtare i kanë dhënë epërsi kandidatit demokrat Joe Biden, por gara pritet të jetë e ngushtë dhe të përcaktohet nga pak shtete të lëkundura.

10:38 – Zgjedhja e presidentit dhe zv/presidentit të Shteteve të Bashkuara është një zgjedhje indirekte në të cilën qytetarët e Shteteve të Bashkuara të cilët janë regjistruar për të votuar në një nga pesëdhjetë shtetet e SHBA-së ose në Uashington, DC, votojnë për anëtarët e Kolegjit Zgjedhor. Këta anëtarë të kolegjit më pas hedhin vota të drejtpërdrejta, të njohura si vota elektorale, për president dhe për zv/president. Kandidati që merr një shumicë absolute të votave elektorale (të paktën 270 nga 538) zgjidhet. Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën absolute të votave për president, Dhoma e Përfaqësuesve zgjedh kandidatin më të kualifikuar për presidencën; nëse askush nuk merr shumicën absolute të votave për zv/president, atëherë Senati e zgjedh atë.