Lajm5 Nov 2021

Llagami thotë se Ministria e Financave nuk u caktoi buxhet për vetingun

Paqartësia për mënyrën se si do të vazhdojë vetingu vitin e ardhshëm është transferuar edhe tek buxheti, pasi kryetarja e KLGJ-së tha në Komisionin e Ligjeve se Ministria e Financave nuk e kishte pranuar kërkesën e tyre për fonde shtesë.

Autor: Blerina Gjoka BIRN Tiranë
Printo

Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami dhe anëtarët e tjerë të Këshillit gjatë një mbledhjeje. Foto: LSA

Sipas parashikimit të Kushtetutës, afati i organeve aktuale të vetingut përfundon në qershor të vitit të ardhshëm dhe ky proces kalon në përgjegjësi të KLGJ-së dhe KLP-së. Socialistët kanë dorëzuar tashmë propozimin për zgjatjen e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik deri në dhjetor 2024 përmes ndryshimeve kushtetuese.

“KLGJ është e vetëdijshme për detyrimin që i buron nga Kushtetuta dhe kemi parashikuar dhe llogaritur kostot për vetingun për gjysmën e dytë të vitit,” tha Llagami në përgjigje të një pyetje nga Alibeaj.

Ajo shtoi se Ministria e Financave nuk e kishte përmbushur këtë kërkesë.

“Kur pamë buxhetin gjatë negociatave na rezultoi që kjo kërkesë nuk është marrë parasysh nga ministria e Financave,” tha Llagami.

Ajo theksoi se pavarësisht opinionit nëse duhet të jetë KLGJ apo jo që do të bëjë vetingun pas qershorit 2022, ky organ merr masat sipas detyrimit kushtetues. “Nesër, pasnesër nëse nuk ka vullnet politik, këshilli do gjendej para një situate të paprecedentë,” tha ajo.

Alibeaj i kërkoi sqarim përfaqësueses së Ministrisë së Financave në komision, Vilma Çausholli, për këtë situatë. “Me ç’të të drejtë nuk keni parashikuar efektin financiar për një detyrim kushtetues?” pyeti ai.

Çausholli sqaroi se fondi për vijimin e vetingut është parashikuar në buxhet, por është si zë buxhetor tek organet aktuale të vetingut, Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionit Publik. “Nga pikëpamja teknike nuk mund t’i ndajmë në dy tabela të ndryshme,” tha ajo, duke shtuar se do të bëhej rialokimi i tyre në momentin që do të jetë e nevojshme.

Ndërkohë, kryetarja e KLGJ-së shprehu shqetësimin për buxhetin e akorduar për sistemin gjyqësor nga ana e qeverisë, duke e cilësuar atë të pamjaftueshëm për problematikat me të cilat po përballen gjykatat, siç është dixhitalizimi i dosjeve, teknologjia e informacionit dhe nevoja për godina të reja për disa gjykata.

“Na është dhënë 4.5 miliardë lekë, 1 miliardë më pak se sa kemi kërkuar ne,” tha ajo, duke shtuar se me këtë buxhet nuk arrij qëllimi i KLGJ-së për projektimin e disa gjykatave që punojnë jashtë standardeve.

“Një zë tjetër ku nuk kemi gjetur mbështetje është dixhitalizimi i dosjeve,” tha Llagami, duke e cilësuar një “gangrenë” të gjykatave. “Po na zënë edhe ambjentet fizike të gjykatave,” tha ajo duke numëruar 1.3 milionë dosje nga të cilat vetëm 180 mijë janë tërhequr nga arkivi qendror.

Në projektvendimin e marrë në gusht të këtij viti për “Projekt-Buxhetin Afatmesëm 2022-2024 për Sistemin Gjyqësor”, KLGJ ka parashikuar edhe punësimin e 27 ekspertëve për të kryer procesin e rivlerësimit kalimtar për gjyqtarët dhe prokurorët pas qershorit të vitit 2022.

Ndërkohë mazhoranca socialiste në Kuvend ka dorëzuar nismën për ndryshimin e nenit 179 të Kushtetutës, duke kërkuar zgjatjen e afatit të funksionimit të këtyre organeve me 30 muaj, deri më dhjetor të viti 2024.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *