Ka dy fenomene shumë të bujshme në bursë sot. Njëra është bota e kriptomonedhave; tjetra njihet si “kompani të posaçme për qëllime blerjeje”. Që të dyja duket se janë bërë popullore jo aq shumë për shkak të cilësive që kanë se sa për shkak të bollëkut aktual të parave në tregun financiar. E ardhmja do t’i klasifikojë këto të dyja si asgjë më shumë se sa investime spekulative.
Kam marrë një ofertë së fundmi; propozimi është që unë të krijoj një “kompani të posaçme për qëllime blerjeje” (SPAC sipas akronimit në anglisht), kompani që do të më sigurojë mua financime nga investitorë të ndryshëm, të cilët presin që unë të bëj blerje në biznese fitimprurëse, nga ato të llojit që nuk dëshirojnë të listohen në bursë. E imagjinova veten në këtë rol të ri dhe në mendje më shkoi menjëherë te ai që duket biznesi më interesant i momentit, blerja e kriptomonedhave. Ka pasur shumë lajme të bujshme nga kjo fushë; e pse të mos veproj?
Duke qenë një pjesëmarrës i regjur i tregjeve financiare, unë e refuzova ftesën. Popullariteti në rritje i SPAC dhe kriptomonedhave duket se nuk po reflekton cilësitë që kanë këto dy mjete për të bërë biznes por reflekton më së shumti tepricat monetare në kohës sonë, me bursa që po rriten në mënyrë spekulative, norma interesi shumë të ulëta dhe rritje në vlerë aksionesh të ushqyera nga pritshmëritë për politika ndihmuese në vitin pas ndalim-qarkullimeve të imponuara nga COVID-19.
Që të jem i qartë, në disa raste, krijimi i SPAC bën shumë sens në dëshirën për të realizuar fitime të shëndetshme mbi investimet. Por në fakt ka kaq shumë ente të tilla që po krijohen sa ne duhet të shqetësohemi disi nga rreziqet në rritje nga këto mjete.
Por sa i përket fenomenit të kriptomonedhave, unë jam përpjekur të mbaj mendjen të hapur por ekonomisti brenda meje e ka të vështirë të shohë kuptim te ky fenomen. Unë natyrisht që i kuptoj ankesat e zakonshme mbi monedhat kryesore fiat. Përgjatë karrierës sime si analist i shkëmbimit valutor, e kam gjetur shumë të lehtë të mos pëlqej një valutë të caktuar se sa të gjej një të tillë që të më pëlqejë.
Mbaj mend ende çfarë mendova në periudhën para hedhjes së euros në treg. Ekonomitë e përbashkëta të Evropës nën një monedhë të përbashkët, e cila do të eliminojë një nga faktorët kyçë të vetëpërmbajtjes në politikën monetare – Bankën Qendrore të Gjermanisë, Bundesbank – dhe kjo do të jetë një burim i ri rreziqesh në tregun botëror të valutës. Ky shqetësim më shtyu mua (përkohësisht) të investoja në ar. Por në kohën kur euro u hodh në treg në vitin 1999, unë e pata bindur veten se kjo monedhë kishte të mira kështu që investova në të. (Për disa vite, ky rezultoi një vendim i gabuar ndërsa më vonë, në terma afatgjatë rezultoi ndryshe).
Në mënyrë të ngjashme, unë kam shkruar apo lexuar aq shumë studime sa nuk mbahen mend mbi rrezikun e deficitit të llogarisë korrente të Shteteve të Bashkuara dhe rënien e pritshme të dollarit. Dhe e vërteta është se këto parashikime nuk kanë dalë të vërteta deri më sot. (Po kështu edhe frika mbi eksperimentin afatgjatë të Japonisë me zgjerim monetar). Dhe pavarësisht të gjitha këtyre gjykimeve të gabuara, unë vijoj edhe sot të mos jem shumë i ngacmuar nga ideja e Bitcoin dhe kriptomonedhave të tilla të ngjashme, si versioni modern i floririt. Në ekonomitë në zhvillim dhe ato “në ngritje” shumë shpesh njeriu nuk i beson dot bankës së vet qendrore dhe as nuk investon dot në monedha të huaja dhe në këto raste, mundësia për të maganizuar kursimet e tua në një monedhë dixhitale është dukshëm një mundësi që të josh.
Ky ka qenë argumenti kyç për propozimet e bëra që kohë më parë për krijimin e një monedhe botërore apo për përmirësimin e asetit të rezervës së Fondit Monetar Ndërkombëtar, SDR, për të pakësuar disa nga rreziqet e lidhura me dollarin, euron, jenin, paundin apo çdo monedhë tjetër kombëtare. Kina sakaq ka krijuar një monedhë dixhitale të bankës së saj qendrore, me shpresë që të hedhë themelet për një sistem monetar global të ri dhe më të qëndrueshëm.
Por këto ide janë shumë të ndryshme nga një kriptomonedhë si Bitcoin. Libri i ekonomiksit fillestar thotë që një monedhë të jetë e besueshme, ajo duhet të shërbejë si mjet pagese, si magazinë vlere dhe si njësi matëse. Nuk është bindëse ideja që një kriptomonedhë arrin t’i plotësojë këto tre kushte përgjatë të gjithë kohës. E vërtetë, disa nga kriptomonedhat kanë demonstruar aftësinë pëpr të kryer disa nga këto funksione për disa kohë. Por çmimi i Bitcoinit, kriptomonedha fillestare, është kaq i luhatshëm sa është e pamundur të imagjinosh që ajo do të bëhet një magazinë e besueshme e vlerës apo një mjet pagese.
Për më shumë, ajo që mbështet këto tre funksione është politika monetare dhe kjo ka rol të rëndësishëm. Menaxhimi i valutës është një mjet i rëndësishëm i politikës makroekonomike. E pse duhet të dorëzojmë këtë mjet te ndonjë forcë anonime dhe amorfe të tillë si një regjistër llogarish i pacentralizuar, veçanërisht një i tillë që ka vendosur një tavan kufizuar për ofertën e valutës, gjë që garanton luhatshmërinë e saj të vazhdueshme?
Në çdo rast, do të jetë interesante të shohësh se çfarë do të ndodhë me kriptomonedhat kur bankat qendrore të fillojnë të rrisin normat e interesit pasi kanë mbajtur norma super të ulëta tashmë prej vitesh. Sakaq kemi parë se çmimi i Bitcoin ka tendencën të bie fort gjatë episodeve të “tërheqjes së investitorëve nga rreziku” kur tregjet zhvendosen papritur te asetet me siguri të lartë si titujt e borxheve. Në këtë drejtim, kriptomonedha ka të njëjtën sjellje si shumë aksione me rritje të shpejtë apo baste të tjera me normë të lartë spekulimi.
Për hatër të transparencës, më duhet të them se kam menduar të blej ca Bitcoin disa vite më parë, kur çmimi i tyre ra nga 18 mijë në 8 mijë dollarë në një periudhë prej më pak se dy muajsh. Disa miq të mi parashikonin se brenda dy vjetësh ajo do të rritej në mbi 50 mijë dollarë dhe kjo doli e vërtetë.
Në fund vendosa të mos i blej për shkak se kisha marrë sakaq shumë rreziqe në kompani të reja, të cilat zëvendësonin kriptomonedhën për qëllimin e dukshëm. Por nëse do të kisha investuar në Bitcoin, unë do ta bëja këtë si një bast spekulantësh, jo si një besim për ndryshim në të sistemin monetar.
Bastet e spekulantëve natyrisht që me raste dalin me fitim dhe unë i përgëzoj ata që investuan në Bitcoin që herët. Por kam të njëjtën këshillë për ta si edhe për çdo fitues lotarie. Mos lejoni që t’ju bjerë në kokë fitorja.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. The Bitcoin Lottery