Gjykata e Posaçme i njoftoi anëtarit të KPA masën e pezullimit nga detyra, por avokatët e tij thanë se do ta ankimojnë vendimin dhe se ai mund të pezullohej nga detyra vetëm me vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci u paraqit mesditën e të dielës në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ku ju komunikua masa ndaluese e pezullimit të ushtrimit të detyrës. I shoqëruar nga mbrojtësit e tij ligjorë, avokatët Andi Durraj dhe Jordan Daci, anëtari i KPA Luan Daci i paraqiti gjykatës versionin e tij lidhur me akuzën falsfikimit të dokumenteve e ngritur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
SPAK, njoftoi të mërkurën më 20 maj se, Luan Daci ka falsifikuar dokumentet gjatë aplikimit të tij për pozicionin si gjyqtar KPA-së. Sipas SPAK, nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë procedim penal është provuar se Daci në aplikimin e kryer prej tij në datën 03 shkurt 2017 për t’u emëruar në funksionin e mësipërm, ka paraqitur rrethana të rreme, duke mos deklaruar faktin se ndaj tij është marrë masa disiplinore ″largim nga puna” në vitin 1997.
SPAK e akuzon Dacin për falsifikim të dokumenteve, ndërkohë që një masë sigurie për pezullimin e tij nga detyra në KPA u miratua po më datë 20 maj nga Gjykata e Posaçme.
Pas përfundimit të seancës së komunikimit të masës së sigurisë që zgjati një orë e gjysmë, Luan Daci nuk dha komente lidhur me akuzën e ngritur ndaj tij. “Nuk mund të jap shpjegime për shkak të pozicionit që kam”, u shpreh Daci.
Ndërkohë, avokatët Durraj dhe Daci e cilësuan si të paligjshme akuzën dhe masën e sigurisë të caktuar ndaj anëtarit të KPA, Luan Daci. “Në radhë të parë një gjyqtar që ka statusin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të pezullohet dhe është jashtë kritereve. Këtë pezullim mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese ose Kolegji i Posaçëm i Apelimit”, tha avokati Jordan Daci.
Sipas tij anëtari i KPA nuk kishte pasur detyrim të deklaronte arsyet e largimit nga detyra dhe se masa disiplinore ishte shuar. “Nga ana tjetër, masa për të cilën ai është larguar nga puna është shuar me disa ligje, me ligjin e 2008-ës për gjyqësorin, por edhe me ligje të tjera më parë, pra nuk egzistonte dhe për rrjedhojë nuk ka asnjë vepër penale. Ai kishte detyrim për të deklaruar ato çfarë i kërkonte formulari. Formulari thotë, a keni masë në fuqi. Në vlerësimin tonë ai nuk ka pasur dhe nuk ka masë në fuqi”, shpjegoi avokati Jordan Daci.
Ai shtoi se nuk ishte në dijeni të procesverbalit të Komisionit Ad Hoc të Kuvendit të vitit 2017, kur Daci kishte deklaruar se ishte larguar nga puna në vitin 1997 me dorëheqje. Avokati tha se nuk kishte dijeni as për skualifikimin e Luan Dacit nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë në vitin 2016 nga gara për një pozicion si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës për shkak të shkarkimit të tij nga detyra në 97-ën.
Avokati Andi Duraj theksoi se nuk kishte prova që Daci të kishte deklaruar se ishte larguar në vitin 1997 me dorëheqje. “Nuk i është bërë asnjëherë kjo pyetje. I kemi kërkuar sistemin audio të regjistrimit këtij komisioni, por fatkeqësisht nuk egziston. Ndërsa vendimi i KLD-së nuk i është bërë ndonjëherë i ditur Luan Dacit”, tha avokati Durraj.
Seanca për komunikimin e masdës së sigurisë u caktua të zhvillohej të premten, por u shty për të dielën pasi përfaqësuesi ligjor i Dacit, avokati Andi Durraj, paraqiti një raport mjekësor dyjavor sipas të cilit anëtari i KPA i ishte nënshtruar një ndërhyrje kirugjikale.
Gjyqtari i pezulluar i Kolegjit, Luan Daci arriti të kalonte filtrat e Avokatit të Popullit, ONM-së dhe Kuvendit vetëm një vit pasi ishte skualifikuar nga një garë për gjyqtar në KLD për shkak të shkarkimit të vitit 1997 – duke siguruar një post në institucionin më të lartë të vetingut.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se zgjedhja e Luan Dacit në kundërshtim me kriteret formale në Kolegjin e Apelimit u bë vetëm një vit pasi atij iu refuzua një kërkesë për t’u emëruar në Gjykatën e Tiranës nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me arsyen se ai ishte shkarkuar më parë nga gjyqësori.
Në aplikimin për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Daci akuzohet se ka fshehur periudhën që ka punuar si gjyqtar në vitet 1994-1997 si dhe masën disiplinore të largimit nga detyra. Ndërsa në një seancë dëgjimore me komisionin Ad Hoc në Parlament, ai deklaroi se ishte larguar me dorëheqje për shkaqe politike.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit i tha BIRN se ishte njohur më 20 maj me masën e pezullimit nga detyra të gjyqtarit Luan Daci si dhe ishte njoftuar prej këtij të fundit që do të ndiqte të gjitha rrugët ligjore të ankimit ndaj këtij vendimi.
Kolegji thotë se do të presë vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për çështjet ku Daci është anëtar i trupës gjykuese, ndërsa do të vijojë punën me çështjet ku ai nuk është anëtar i trupës gjykuese.