Investigim25 May 2016

Lufta e Kosovës Kundër Terrorit Shndërrohet në Farsë

Gjyqet e terrorizmit po rezultojnë në dënime të bazuara në prova joserioze apo inekzistente, duke ngritur dyshime për raste të motivuara politikisht për të pastruar imazhin e Kosovës në botë.

Autor: Ervin Qafmolla BIRN Prishtinë
Printo

Albert Berisha, 29 vjeç, pret të apelojë vendimin e gjykatës | Foto nga: Atdhe Mulla

Albert Berisha, 29 vjeç, pret të apelojë vendimin e gjykatës | Foto nga: Atdhe Mulla

Albert Berisha qëndron mendueshëm me filxhanin e kafes në dorë, here-herë duke parë me dyshim nga klientët përreth në një bar të veçuar të Prishtinës.

Biseda vërtitet rreth konceptit universal të drejtësisë, që sipas Berishës, një mysliman praktikant, nuk kufizohet në asnjë kulturë, besim apo rrethana të caktuara.

“E mira dhe e keqja janë më shumë se një vlerësim institucional, janë të ngulitura në thelbin e vlerave universale, janë pjesë e jona e pandarë”, vëren ai.

Në përputhje me këto shqyrtime filozofike, profili i tij në Facebook paraqet frymëzime nga Anonymous, citate nga Oscar Wilde dhe postime të ngjashme.

29 vjeçari, i cili është diplomuar në Universitetin e Prishtinës dhe ka kryer një Master në Universitetin e Tiranës për shkenca politike, u arrestua në vitin 2014.

Më 29 prill të këtij viti, gjykata e shpalli fajtor për pjesëmarrje në organizatë terroriste.

Gjatë gjyqit, Berisha pranoi se kishte udhëtuar në Siri nga 6 deri në 20 tetor 2013, për të ndihmuar opozitën siriane në përpjekjen ndaj regjimit të Bashar al-Asad, por tha se nuk ishte përfshirë asnjëherë në luftime.

 

Sipas prokurorisë, ai tha se ishte dërguar në një bazë pranë Alepos. “Kur më pyetën pse kisha shkuar aty, u thashë që doja të ndihmoja popullin sirian, por që nuk doja të isha pjesë e Al Kaedës”, ai i tha autoriteteve gjatë marrjes në pyetje.

Berisha tha se kur pjesëtarët e grupit që kontrollonin zonën dëgjuan përgjigjen e tij, ata qeshën dhe thanë: “Ne jemi të gjitha Al Kaeda këtu!”

Pasi kuptoi se kishte shkuar në vendin e gabuar, Berisha tha se ishte shtirur i sëmurë dhe kishte kërkuar të kthehej në Kosovë. Kërkesa iu refuzua dhe iu tha se duhet të qëndronte atje të paktën tre muaj.

“Sajova një SMS të rrejshëm në telefon ku thuhej se një i afërm ishte shumë sëmurë dhe kërkova të më kthehej pasaporta… e cila m’u dha”, Berisha u tregoi prokurorëve duke thënë se u kthye menjëherë në Kosovë.

“Qëndrova nëntë ditë në Siri dhe tani jam terrorist”, Berisha buzëqesh hidhur, duke parë nga filxhani i kafesë, tashmë i zbrazur. Ai thotë se masakrat dhe padrejtësitë e neveritshme ndaj civilëve sirianë e shtynë të udhëtonte drejt zonës së konfliktit.

“Mora një vendim emocional, dhe ndonëse nuk u mundova t’i bashkohem ndonjë grupi ekstremist, tani po paguaj një çmim të shtrenjtë”, tha ai, duke shtuar se ndjen neveri të thellë ndaj veprimeve të terroristëve në Siri.

Prokuroria pranon se Berisha kaloi vetëm pak ditë në Siri. Por kjo nuk i pengoi që ta akuzonin për pjesëmarrje në një organizatë terroriste, përkatësisht Al Nusra.

Aktakuza nuk përmban prova të tjera kundër Berishës përveç deklaratës së tij, e cila praktikisht mohon përfshirjen në grupe terroriste.

Në sistemin e drejtësisë në Kosovë është shumë e thjeshtë të shpallesh terrorist. Në disa raste majfton të akuzohesh si i tillë | Ilustrim nga picserver.org

Në sistemin e drejtësisë në Kosovë është shumë e thjeshtë të shpallesh terrorist. Në disa raste majfton të akuzohesh si i tillë | Ilustrim nga picserver.org

Në sistemin e drejtësisë në Kosovë është shumë e thjeshtë të shpallesh terrorist pavarësisht provave | Ilustrim nga picserver.org

Përndjekje masive dhe aktakuza boshe

Albert Berisha nuk është i vetëm në sprovën e tij. Deri më sot, Kosova mban rekordin evropian sa i takon masave të ashpra ndaj ekstremizmit të dhunshëm, me një total prej rreth 120 arrestimesh dhe afër 60 të dyshuar që po gjykohen.

Sipas autoriteteve të sigurisë, rreth 300 kosovarë udhëtuan drejt Sirisë dhe Irakut, dhe rreth 130 syresh janë kthyer në vendin e tyre.

Kosova miratoi një ligj në mars 2015 që e bën vepër penale luftimin në konflikte apo pjesëmarrjen në formacione ushtarake të huaja.

Megjithatë, duke qenë se pjesa dërrmuese e të dyshuarve që janë aktualisht në gjyq, akuzohen se kanë luftuar në Siri në 2013 dhe 2014, ata nuk mund të gjykohen sipas ligjit të ri.

Gjyqësori ka përdorur legjislacionin e mëhershëm të Kodit Penal të Kosovës që trajton terrorizmin, për t’i akuzuar dhe gjykuar këta të dyshuar.

Dhjetëra të dyshuar kanë pranuar fajësinë dhe kanë shprehur pendim, edhe pse numri i tyre ekzakt nuk dihet. Nga një grup prej 32 të akuzuarish që po gjykohen bashkë për vepra që lidhen me terrorizmin, 18 kanë pranuar fajësinë.

Disa të dyshuar dhe të paktën dy avokatë që kanë folur për Gazetën Jeta në Kosovë, kanë pohuar se zyrtarët e gjyqësorit kanë ushtruar presion të madh në mënyrë që ata t’i pranonin krimet e pretenduara në mënyrë që të liroheshin nga paraburgimi.

Aktualisht, të paktën 35 të dyshuar gëzojnë masa më të lehta të sigurisë, si arresti shtëpiak apo detyrimi për t’u paraqitur në stacionin policor.

I arrestuar në korrik të vitit 2014 dhe i akuzuar për ‘rekrutim për terrorizëm’ dhe vepra të tjera, Irfan Haqifi pranoi fajësinë dhe u vendos në arrest shtëpiak. Diçka e tillë ndodhi pavarësisht provave bindëse ndaj tij dhe lidhjeve familjare problematike.

Vëllai i Irfanit, Ridvani, një ish-imam nga Gjilani, paraqitet si komandanti i luftëtarëve shqiptarë në ISIS. Në qershor 2015, Ridvani u paraqit në një video propagandistike të ISIS, në të cilën ai u zotua të ndëshkonte jobesimtarët në Ballkan.

“Do të tmerroheni e të trishtoheni edhe në ëndrrat e juaja edhe atëherë kur ju flini. Do t’ju mbysim juve me lejen e Allahut”, deklaroi Ridvan Haqifi, duke nxitur Kosovën dhe Shqipërinë të rrisin nivelin e sigurisë.

Prokuroria Speciale nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN nëse kishin kryer ndonjë vlerësim për nivelin e rrezikut që të dyshuarit paraqitnin para se gjykata të vendoste për ndryshimin e paraburgimit dhe masave të tjera të sigurisë.

Ashtu si Irfan Haqifi, shumica e të dyshuarve janë liruar nga paraburgimi, por jo të gjithë prej tyre përballen me prova konkrete.

Disa prej aktakuzave do të kishin qenë argëtuese nëse të prekurit do të ishin personazhe imagjinare. Përderisa të akuzuarit janë persona të vërtetë, aktakuzat ndaj tyre mundet vetëm të konsiderohen brengosëse.

Jeton Hajdini nga Mitrovica, gjithashtu në gjyq se i është bashkëngjitur organizatës ISIS, përballet me aktakuzë që është vetëm një paragraf e gjatë.

Aty shkruhet se pasaporta e tij kishte kaluar në aeroportin e Prishtinës dhe atë të Stambollit, dhe se fotografi të Bin Laden dhe të vetë të dyshuarit duke mbajtur armë (në një vend të panjohur dhe pa emblema) ishin gjetur në telefonin e tij.

Hajdini, i cili i mohon akuzat, thotë se pasaporta i kishte humbur dhe se nuk kishte dalë jashtë vendit që prej shumë vitesh.

“Kur i zhvendosa sendet e mia në shtëpinë e re, vura re se disa prej tyre mungonin. Nuk ka humbur vetëm pasaporta por edhe sende të tjera”, tha ai.

Ai shtoi se e kishte sfiduar prokurorinë që të kontrollonte filmimet e kamerave të sigurisë në aeroport për të vërtetuar nëse kishte qenë ai apo dikush tjetër që kishte përdorur pasaportën.

Hajdini, një veteran i UÇK-së, gjithashtu këmbëngul se fotografitë e gjetura në telefonin e tij me armë të ndryshme ishin shkrepur në Kosovë, kur bashkë me shokët kishte pozuar me armë në pyll.

Provat e dobëta të prokurorisë e bëjnë akuzën se i dyshuari ka luftuar në Siri, një qitje shumë të largët.

Një pyetje tjetër, është përse ai u akuzua që i ishte bashkuar ISIS dhe jo Al Nusra, për shembull, apo edhe “Harausham” – një organizatë terroriste për të cilën një hulumtim i mëparshëm i BIRN zbuloi se nuk ekziston, pavarësisht se dy kosovarë u gjetën fajtorë dhe u dënuan për pjesëmarrje në këtë grup terrorist imagjinar.

Prokuroria mund ta kishte akuzuar se kishte pasur të bënte me cilindo grup terrorist, përderisa gjithçka që gjetën ishin foto të Bin Laden dhe të ndonjë kallashnikovi.

Hajdini u arrestua në gusht 2014 dhe u lëshua nga paraburgimi në maj 2015, pasi kaloi nëntë muaj pas hekurave.

Ai pretendon se autoritetet i kishin ushtruar presion të pranonte akuzat që ta lejonin të dilte nga paraburgimi. Ai thotë se nuk u përkul: “Nuk do pranoj kurrë diçka që nuk e kam kry”.

Një i dyshuar tjetër, Jetmir Bushi nga Hani i Elezit, i cili gjithashtu akuzohet se i është bashkuar ISIS, ka një aktakuzë më të “fortë” – në kuptimin që është disa paragrafë e gjatë, jo veç një.

Prova kyçe ndaj tij përbëhet nga një numër mesazhesh SMS që dyshohet se i ka marrë ndërsa ishte duke luftuar në Siri.

Në këto mesazhe ai ftohet që t’i bashkohet xhihadit dhe ‘mirësive që vijnë nga kjo’ vepër, si dhe propagandë të ngjashme.

Aktakuza nuk përmban përgjigje të tij ndaj këtyre mesazheve.

Kjo është prova me të cilën akuzohet Enis Begolli. Udhëtimi në Siri nuk është vepër e kundërligjshme në legjislacionin Kosovar | Foto nga aktakuza e prokurorisë

Kjo është prova me të cilën akuzohet Enis Begolli. Udhëtimi në Siri nuk është vepër e kundërligjshme në legjislacionin Kosovar | Foto nga aktakuza e prokurorisë

Enis Begolli nga Mitrovica, i cili është dënuar me katër vjet burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë në prill të këtij viti, gjithashtu akuzohet se i është bashkuar ISIS.

Begollin e zunë kur një i akuzuar tjetër, pranoi se kishin udhëtuar bashkë në kufirin me Sirinë, prej ku kishin marrë rrugë të ndryshme.

Dëshmitari gjithashtu citohet në aktakuzë se ka thënë: “Nuk di çka ndodhi me të [Begollin] pasi u ndamë”.

Gabime në luftën kundër terrorit

Ka të paktën 10 aktakuza të Prokurorisë Speciale si këto, nga rreth 60, që mbështeten me prova ngjashmërisht të dobëta.

Në disa raste, të pandehurit akuzohen që i janë bashkuar njëkohësisht ISIS edhe Al Nusrës – dy grupe ndërluftuese në Siri – pa ndonjë provë konkrete.

Gjatë muajve të fundit, prokuroria ka injoruar ose ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjeve lidhur me këto aktakuza.

Kreshnik Gashi, ekspert ligjor për raste penale dhe prezantues i emisionit Drejtësia në Kosovë, thotë se nëse prokuroria do kishte dashur vërtet që të luftonte terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, ata duhet të kishin siguruar prova konkrete në rolin e të dyshuarve në konfliktet në Siri dhe Irak.

“Duhej të ishin siguruar prova të qarta për të vërtetuar nëse ata ishin të përfshirë në konflikte të armatosura, në propagandë terroriste, në ofrimin e logjistikës për grupet, apo kanë qenë njerëz që vërtet kanë kaluar në Siri por nuk ka qenë qëllimi i tyre të përfshihen në aktivitete terroriste,” tha Gashi.

Gashi argumenton që ky nuk është rasti për një numër aktakuzash që ai i ka parë vetë, të cilat ishin joadekuate apo që në disa raste, “nuk vërtetonin diçka përpos mungesës së provave”.

“Në vend të kësaj, prokuroria e ka marrë rrugën më të lehtë, me aktakuza që mbështeten nga të dhëna nga policia turke që thonë që të pandehurit kanë kaluar kufirin me Sirinë, deklaratat e të dyshuarve ose ndonjë fotografi, por pa ofruar detaje për aktivitetet e tyre në Siri,” tha ai.

Shumica e të pandehurve akuzohen se kanë qenë pjesë e ISIS edhe pse për një së rastesh prokuroria nuk ka dhënë asnjë provë konkrete | Foto nga materiale propagandistike të ISIS

Shumica e të pandehurve akuzohen se kanë qenë pjesë e ISIS edhe pse për një së rastesh prokuroria nuk ka dhënë asnjë provë konkrete | Foto nga materiale propagandistike të ISIS

I pyetur për këto raste, Shpend Kursani, autor i një hulumtimi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë për shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak, tha që nuk mund të kuptojë veprimet e autoriteteve të Kosovës sa i përket rasteve të lidhura me terrorizmin.

“Nuk arrij të kuptoj mekanizmin mendor të institucioneve të drejtësisë në Kosovë, është mjaft çështje interesante që meriton studim të thellë”, thotë ai me ironi.

Kursani tha se ndërkohë që disa ekstremistë të dhunshëm vërtet u arrestuan gjatë procesit, të tjerë u paraburgosën shpejt dhe pa shumë prova. Ai beson që motivi për këtë fushatë me shumë gabime ishte politik.

“Politikanët e Kosovës duan të krenohen ndërkombëtarisht si kampionë të luftës kundër terrorizmit, prandaj kemi arrestimin e një numri kaq të madh të personave, me shumë ngut dhe pak prova,” tha Kursani.

Më 17 shtator 2014, kur bastisjet e Kosovës në terroristë të supozuar ishin në kulmin e tyre, ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, në një deklaratë në Twitter, ka përshëndetur Kosovën për “qasjen e saj proaktive kundër luftëtarëve të huaj dhe ekstremizmit.”

Disa ditë më vonë Ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme dhe zëvendës kryeministër, Hashim Thaçi, tani Presidenti i Kosovës, publikoi një opinion me titullin “Kosova mbështet plotësisht luftën e Amerikës kundër ISIS”.

Thaçi shkroi që sulmet e fundit ndaj Kosovës erdhën nga ata që pretendojnë që vendi është bërë një strehë e sigurt për radikalizmin islamik dhe një eksportues i luftëtarëve të huaj në Irak dhe Siri, duke thënë që: “Këto pretendime janë larg së vërtetës”.

“Në dy aksione të ndara të policisë, ne kemi arrestuar 45 militantë të dyshuar si dhe imamë që sponsorizojnë, avokojnë ose mbështesin ekstremistët”, shkroi Thaçi.

Ai vazhdoi duke thënë që edhe pse shumica e popullatës në Kosovë “e deklarojnë veten si myslimanë”, dashuria e tyre për Amerikën është e patundur.

“Kosova është një nga vendet më pro-Amerikane në botë. Duke vozitur nga aeroporti i Prishtinës deri te zyra ime në qendër të qytetit, duhet të kaloni përmes bulevardit Bill Clinton, rrugës George Bush dhe rrugës Bob Dole”, shkruan Thaçi.

ISIS-FIGHTER-FONTSi (mos) ta Kapësh ‘Pataten e Nxehtë’

Vehbi Bushati, nëndrejtor i antiterrorit në Shqipëri, thotë se një nga sfidat kryesore në trajtimin e ekstremizmit të dhunshëm, është që të mos “sulmohen islami dhe myslimanët”.

“Ne kemi goditur krerët e rekrutimit [për terrorizëm] pas një monitorimi të ligjshëm dhe pasi u grumbulluan prova të forta. Gjithçka u bë sipas ligjit”, tha ai për BIRN.

Në mars 2014, autoritetet shqiptare arrestuan nëntë të dyshuar për rekrutimin e rreth 70 shqiptarëve për të luftuar në konfliktin në Siri.

Në maj 2016, Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë i shpalli fajtorë të dyshuarit, duke i dënuar nga 12 në 18 vjet.

Bushati ngjan si mishërimi i policit të fortë. Me pamje të prerë, nofulla të forta dhe sy depërtues, ai mban një cigare të hollë mes dhëmbëve.

Autoritetet në Shqipëri nuk kanë arrestuar luftëtarët e kthyer por vetëm rekrutuesit

“Shumë prej të kthyerve [luftëtarëve] janë viktima të manipuluara nga rekrutuesit dhe propaganda e organizatave terroriste, ndaj dhe ne i kemi përfshirë disa prej tyre si bashkëpunëtorë të drejtësisë”, shpjegoi ai.

Bushati shpjegoi se duke qenë se disa prej këtyre personave paraqesin rrezik të mundshëm për sigurinë, ata po monitorohen nga autoritetet, por nuk kanë arrestuar ndonjë nga luftëtarët e kthyer, edhe pse rreth 100 shtetas shqiptarë i janë bashkuar konfliktit në Siri, sipas autoriteteve.

Zyrtari i antiterrorit thotë se burgosja e luftëtarëve të kthyer që nuk paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë nuk sjell përfitime, dhe se masa rehabilituese duhen ndërmarrë, krahas një ndërgjegjësimi gjithëpërfshirës kundër ekstremizmit të dhunshëm.

“Masa të gjera nga institucionet kompetente dhe shoqëria janë të domosdoshme për të luftuar ekstremizmin dhe radikalizimin. Nëse kjo çështje u lihet vetëm institucioneve të sigurisë, ne do të dështojmë”, theksoi ai.

“Por çfarë ndodh nëse ai radikalizon një vrasës me pagesë në burg?”

Një zyrtar i gjyqësorit në Shqipëri, i cili foli në kushte anonimati, tha se thejsht futja e ekstremistëve fetarë në burg nuk e zgjidh problemin dhe mund të ketë rezultate të rënda.

“Problemi im i vërtetë nuk është një mendjelehtë që u radikalizua dhe mësoi në Siri sesi përdoret kallashnikovi dhe u pastaj u kthye i zhgënjyer, por çfarë ndodh nëse ai radikalizon një vrasës me pagesë në burg”, tha zyrtari.

“Ky është një skenar i tmerrshëm, një mundësi që nuk e pranoj dot; këta kriminelë të karrierës kanë njëkohësisht urrejtje për institucionet shtetërore dhe aftësitë për të shkaktuar dëme serioze”, shpjegoi ai.

Institucionet e drejtësisë në Kosovë mund të kenë bërë komplet të kundërtën, duke mbajtur dhjetëra individë të dyshuar se kanë marrë pjesë në konfliktin në Lindjen e Mesme, për periudha të gjata në paraburgim.

Disa janë mbajtur në paraburgim për më shumë se një vit, duke ndarë hapësira të përbashkëta me të dyshuar të tjerë, disa prej të cilëve akuzohen për krime serioze.

Skender Perteshi, studiues dhe zyrtar projekti në QKSS, më parë i ka thënë BIRN se kishte indikacione se disa ish-luftëtarë që janë kthyer të zhgënjyer po radikalizoheshin përsëri pasi ishin vendosur në paraburgim, ndërsa dyshohet se disa prej tyre mund të kenë frymëzuar të tjerë.

“Ky është një problem i vërtetë. Nevojitet një plan konkret për t’u përballur me luftëtarët e kthyer. Burgu nuk është një zgjidhje universale për këtë problem dhe në disa raste kjo mund të rezultojë të jetë kundër-produktive”, paralajmëron ai.

Një aktivist politik, i cili kërkoi që emri i tij të mos përmendet, dhe i cili ka qenë disa herë në paraburgim për përfshirjen e tij në protestat e opozitës në Prishtinë disa vite më parë – dhe i prangosur përsëri gjatë trazirave të fundit të 2015 – fillimit të 2016 – tha se kishte vënë re një rritje të shprehive fetare dhe personave me mjekër në paraburgim.

“Nuk kam asgjë kundër islamit apo çfarëdolloj praktike fetare, por më shqetësoi të shihja të akuzuar për krime të rënda të shndërruar në praktikantë fetarë ndërsa shoqëroheshin me të dyshuar për terrorizëm”, tha ai.

Qeveria e Kosovës publikoi një strategji zyrtare kundër ekstremizmit, – për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që Shpie në Terrorizëm 2015-2020 – në shkurt të këtij viti, e cila prezanton një sërë objektivash dhe qasjesh të arsyeshme.

“Ia lënë fajin kryesisht fesë, a thua se Islami ka lindur në 11 shtator”

Ndërsa propozimet përfshijnë edhe masa jashtë institucioneve të zbatimit të ligjit për të trajtuar radikalizmin, përfshirë edukimin fetar dhe fushatat e ndërgjegjësimit, një plan konkret veprimi nuk rezulton të jetë publikuar.

Kursani është pesimist mbi aftësinë e qeverisë për ta zbatuar këtë strategji, apo çfarëdo mase domethënëse të ç’radikalizimit.

“Nuk kam shumë shpresa që ky plan i qeverisë do të funksionojë sepse ende nuk e kanë kuptuar problemin si duhet, dhe nga sa i kam përcjellë, kanë një qasje shumë sipërfaqësore në diskutimet që bëjnë, duke i ndarë praktikantët në ata me mjekra dhe ata pa mjekra, dhe duke ia lënë fajin kryesisht fesë, a thua se Islami ka lindur në 11 shtator”, tha Kursani.

Ai shtoi se qasja e institucioneve është e gabuar dhe e shohin problemin në mënyrë të cekët, duke “ngritur çështje të gabueshme, të cilat Evropa i ka tejkaluar që në vitet ’70”.

‘Drejtësia do të vendoset’

“Në emër të popullit…”– gjykatësja Afërdita Bytyqi fillon solemnisht leximin e aktgjykimit në një rast të lidhur me terrorizmin në Gjykatën Themelore të Prishtinës, më 29 prill.

Atë ditë, gjykata dënoi nëntë të dyshuar për krime të lidhura me terrorizmin, pjesë e një grupi më të madh prej 32 të dyshuarve që po gjykohen bashkë.

Albert Berisha ishte mes të dyshuarve. Ai qëndroi i palëvizshëm ndërkohë që gjykatësja lexonte emrin e tij dhe shqiptonte dënimin: tre vjet e gjysmë burg.

Para dënimit të burrave, zyra e gjykatëses Bytyqi publikoi një orar të seancave në mars, ku shkroi emrin e veprës si “ISIS-at” – një term nënçmues që ofendon të dyshuarit dhe tregon mospërfillje ndaj parimit të prezumimit të pafajësisë. Dënimet ishin nga gjashtë muaj deri në katër vjet e gjysmë burg.

Eksperti ligjor Kreshnik Gashi thotë që në mungesë të provave, gjykatat japin dënime të ulëta ose absurde për të pandehurit, disa prej të cilëve kanë pranuar që kishin qenë në Siri por pa marrë pjesë në aktivitete terroriste.

I njëjti zell nga institucionet gjyqësore, nuk është vërejtur në raste tjera penale në Kosovë. Ndërkohë që BE propozoi liberalizimin e vizave për Kosovën më 4 maj, gjithashtu u sigurua të imponojë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si kusht kyç për ndryshim në regjimin e vizave.

Një monitorim i gjyqësorit të Kosovës nga BIRN, gjeti që duzina raste të korrupsionit ishin lënë për t’u parashkruar në 2015 sepse janë lënë prapa, për shkak të vonesave nga prokuroria dhe gjykatat.

Prandaj, dënimi i 15 të dyshuarve për terrorizëm deri tani duket si një sukses i jashtëzakonshëm për gjyqësorin e vendit, duke konsideruar që nga rreth 60 të dyshuar që po gjykohen, ka pasur një aktgjykim fajësie për çdo katër të pandehur.

Të tjerët po presin vendimet e gjykatave, por deri tani asnjë i pandehur nuk rezulton të jetë shpallur i pafajshëm në akuzat për terrorizëm.

Shpesh të akuzuarit për terrorizëm kanë pohuar se avokatët kanë këmbëngulur që ata të pranojnë fajësinë, pavarësisht provave të dobëta

Por, provat e ngathëta ose jo-ekzistuese në aktakuzat e prokurorisë dhe aktgjykimet pasuese të gjykatave janë vetëm një pjesë e problemit.

Sipas disa të pandehurve, avokatët – shumica prej të cilëve janë avokatë sipas detyrës zyrtare (të paguar nga shteti) – në shumicën e rasteve janë munduar t’i bindin klientët e tyre që të deklarohen fajtorë, pa marrë parasysh provat.

Plogështia e tyre në mosvënien në pikëpyetje mungesën e provave dhe mospërputhjet e prokurorisë, gjithashtu, krijoi një terren perfekt për dënimin e lehtë të disa të dyshuarve.

Albert Berisha po pret ta apelojë aktgjykimin, por thotë se edhe pse besimi i tij në sistemin gjyqësor të vendit është thyer tashmë, ai nuk e ka humbur besimin te drejtësia si vlerë.

Ndërkohë që lë sallën e gjykatës i vetmuar, disa shtrëngojnë duart me të duke i shprehur keqardhje. “Nuk e kam humbur besimin… në një mënyrë apo tjetër, në këtë botë apo tjetrën, drejtësia do të vendoset,” tha ai, duke u dalë nga ndërtesa.

Postimet e tij në Facebook tashmë janë shndërruar nga aktivizmi politik në diçka më të errët. Një figurë kërcënuese duket sikur del nga një poster digjital përballë shikuesit. Aty shkruan: “Nëse më hidhni mes ujqve do të kthehem duke udhëhequr kopenë”.

 

Marrë nga Jeta në Kosovë, publikim i BIRN Kosova