Kundërshtimi i Francës për zgjerimin e mëtejshëm ka vënë në rrezik ndikimin e mbetur të BE-së dhe aftësinë e saj për të formësuar zhvillimin strategjik dhe stabilitetin në Europën Juglindore.
Vendimi i njëanshëm i presidentit të Francës Emmanuel Macron për të bllokuar hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe – me vetëm mbështetjen e Danimarkës dhe Holandës – Shqipërisë, ka befasuar shumë njerëz që punojnë me BE-në. Kjo erdhi si një tronditje e rëndë për rajonin e Ballkanit, i cili shpresonte të riafirmonte perspektivën e tij në BE.
Franca fillimisht bllokoi hapjen e bisedimeve të pranimit me të dy kandidatët në qershor 2018. Në atë kohë, u arrit një kompromis për një shtyrje një vjeçare, bazuar në kushte të mëtejshme. Shumë vëzhgues besuan se ngurrimi i Francës për hapjen e negociatave të anëtarësimit u nxit nga çështja e zgjedhjeve të Parlamentit Europian që do të mbaheshin në maj.
Këtë herë, megjithatë, Macron e bllokoi nisjen e bisedimeve të pranimit pa parë as të dhënat e vendeve kandidate për kushtet e përcaktuara vitin e kaluar.
Vëzhguesit tani duhet të përballen me faktin se ngurrimi francez është i rrënjosur thellë në një ide se Europa tashmë është mjaft jofunksionale në konfigurimin e saj aktual. Franca beson se BE-ja nuk mund të mirëpresë anëtarë të rinj dhe njëkohësisht të thellojë integrimin që beson se kërkon shpresa për një rritje të mëtejshme.
Macron ka paraqitur argumentin thelbësor që i gjithë procesi i zgjerimit të BE-së duhet të reformohet para se Franca të lejojë çdo vend të fillojë negociatat e pranimit, gjë e cila do të zgjasë më pas për të paktën një dekadë.
Ai nuk ka dështuar vetëm në ofrimin e ndonjë qasje alternativë për BE-në në Ballkanin Perëndimor, por nuk ka arritur të sqarojë se cilat masa specifike të brendshme duhet të merren për ta përgatitur BE-në për përfshirjen e anëtarëve të ardhshëm.
Qëndrimi i Macron prish strategjinë e BE-së për Ballkanin, gjë e cila vjen me një kosto shumë të lartë për rajonin. Franca po luan me ndikimin e mbetur të BE-së në pragun e saj dhe me aftësinë e saj për të formësuar zhvillimin strategjik dhe për të promovuar stabilitetin politik në Europën juglindore.
Franca u bë kohë që mendon se zgjerimi është thelbësisht i papajtueshëm me integrimin më të thellë europian. Rritjet e përçarjeve me Europën Lindore për emigracionin dhe çështjet që lidhen me sundimin e ligjit dhe mbrojtjen – si dhe menaxhimi i dobët të krizave të euros dhe refuzimi i hapur i të gjitha propozimeve për thellimin e bashkimit të monedhës – kanë ngulitur mendimin francez se cikli i zgjerimit i vitit 2004 ishte një gabim i tmerrshëm. Kjo e margjinalizoi Francën dhe bllokoi integrimin e mëtejshëm.
Por gatishmëria e Francës për të sakrifikuar Maqedoninë e Veriut, e cila tani udhëhiqet nga një qeveri pro-BE, e orientuar drejt reformave nën drejtimin e Zoran Zaev, do të vërehet nga të gjithë liderët e tjerë në këtë rajon të pas konfliktit.
Disa do ta shohin atë si një justifikim për një strategji alternativë që luan gjeopolitikë me fuqitë jo-BE dhe merret me mosmarrëveshje të pazgjidhura bilaterale jashtë kornizës së integrimit në BE.
Pse, për shembull, kryeministri shqiptar Edi Rama duhet të heqë dorë tani nga strategjia e tij etno-integruese me Kosovën – edhe nëse më vonë kjo mund të bëjë që vende të tjera fqinje, pjesë të të cilave janë shqiptarët etnikë, të shkëputen më vete? Pse presidenti serb Aleksandër Vuçiç duhet të rrezikojë telashe të brendshme duke arritur një marrëveshje kompromisi që njeh pavarësinë e Kosovës?
Mesazhi i Francës për liderët e Ballkanit është i qartë: Nuk ka rëndësi nëse vendet tuaja ndjekin këshillat e BE-së, pavarësisht rrezikut të destabilizimit të rëndë në rajon.
Vendimi i BE-së për t’i mbajtur dyert e saj të mbyllura për dy vendet e Ballkanit ka bërë që rajoni të kuptojë se nuk mund të mbështetet vetëm te fqinjët e saj perëndimorë. Presidenti serb Vuçiç tha se refuzimi i BE-së për të hapur bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë përligjte politikën e tij për krijimin e lidhjeve më të ngushta me Kinën dhe Rusinë. Në fund të tetorit, Beogradi nënshkroi një marrëveshje tregtie të lirë me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik, një bashkim doganor i drejtuar nga Moska.
Presidentja e emëruar e Komisionit Europian, Ursula Von den Leyen, ia ofroi portofolin e ri të zgjerimit të fqinjësisë një kandidati nga Hungaria, një pararendës për sa i përket prapambetjes demokratike dhe autoritarizmit brenda BE-së.
Të marra së bashku, vendimi i saj dhe ai i presidentit Macron për të bllokuar negociatat, do të inkurajojnë më shumë sjellje transaksionare, aventurizëm politik dhe pasiguri – si dhe më pak parashikueshmëri – në lagjen e BE-së.
Pritja e re për zgjerimin do të parandalojë liderë të caktuar të institucioneve të BE-së, përfshirë Përfaqësuesin e Lartë të Politikës së Jashtme Josep Borrell, të ushtrojnë ndikim në kryeqytete të Ballkanit që në të kundërt do të kishte qenë e mundur.
Për të kufizuar dëmin, BE-ja duhet të bëjë si në vijim. Ato vende që mbështesin zgjerimin e Ballkanit duhet të angazhohen politikisht me vendet e anëtarësuara dhe kandidatët shpresues. Një rol të veçantë këtu mund të marrin Austria, Gjermania, Greqia, Italia dhe Suedia, si dhe vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.
Së dyti, takimi i Këshillit Europian në dhjetor duhet të ketë një diskutim të thelluar mbi të ardhmen e zgjerimit dhe ta detyrojë Presidenten e Komisionit të përgatisë një qasje të re.
Së treti, Komisioni Europian duhet t’i kundërvihet Francës duke hartuar një rrugë drejt integrimit më të thellë politik. Konferenca për të ardhmen e Europës e propozuar nga Macron mund të jetë një prelud i konventave dhe reformave të reja. Në fakt, vendimi i Mbretërisë së Bashkuar për të dalë nga BE-ja dhe krizat në zonën e euros kanë konfirmuar nevojën që BE-ja të rishikojë thelbin e saj institucional dhe të marrë në konsideratë një formë më fleksibile dhe të diferencuar të integrimit.
Ndërkohë që kjo do të kërkonte reforma institucionale, padyshim që do të trajtonte nevojën për një integrim më të fortë fiskal dhe politik të zonës së euros, si dhe do të lehtësonte pranimin e një shtrese të dytë integrimi ekonomik dhe rregullator të ndërtuar rreth tregut të vetëm dhe një shtresë të tretë rreth një bashkimi doganor.
Këto hapa duhet të plotësohen nga një grup marrëveshjesh vullnetare mbi mbrojtjen, emigracionin dhe çështje të tjera kyçe. Ndërtimi i këtij kuadri të ri institucional me shumë shtresa nuk është i domosdoshëm vetëm për të mbrojtur arritjet e integrimit europian deri më tani. Kjo është gjithashtu mënyra e vetme për të pajtuar nevojën për integrimin e mëtejshëm të BE-së me nevojën për zgjerim dhe për të mbajtur gjallë një perspektivë europiane për Ballkanin. Pa këtë, ruajtja e paqes dhe stabilitetit atje, apo edhe joshja nga ndikimit e jashtme në rritje, do të jenë të vështira të ruhen.
Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BE-së.