Lajm7 Nov 2018

Magjistratja Miranda Nakaj përballet pa probleme me vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi ditën e mërkurë seancën dëgjimore për kandidaten për gjyqtare  Miranda Nakaj e cila aktualisht shërben si ndihmëse ligjore pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Seanca dëgjimore për magjistraten Miranda Nakaj. Foto: BIRN

Treshja gjykuese e përbërë nga Roland Ilia si kryesues, Brunilda Bekteshi relatore dhe Xhensila Pine anëtare, kanë vlerësuar Nakajn për të tre kriteret, atë të deklarimit të pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aspektin profesional.

Relatorja e çështjes, Brunilda Bekteshi theksoi se, veç raportimeve nga autoritetet e specializuara lidhur me tre kriteret e vetingut, komisioni ka kryer një hetim administrativ të pavarur për magjistraten Nakaj. Sipas raportit të paraqitur pranë KPK nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave(ILDKPKI), deklarimi për pasurinë i kandidates për gjyqtare, Miranda Nakaj nuk është i saktë, por ka burime të ligjshme, nuk ka deklarime të rreme apo fshehje të pasurisë dhe nuk ka konflikt interesi. Lidhur me pasaktësinë, ILDKPKI I është referuar mosdeklarimit të adresave për periudhën 2010-2013 kur ajo ka punuar si avokate.

Në muajin gusht 2012 ajo rezulton të jetë veçuar nga familja dhe rezulton të jetojë e vetme. Pasuria e saj rezulton të jetë zero, ndërsa të ardhurat nga pagat janë 5.900 milionë lekë. Ka rezultuar të ketë marrë një kredi konsumatore në vlerën e 810 mijë lekëve në Raiffeisen bank, një tjetër kredi prej 510 mijë lekësh në nBKT dhe një overdraft prej 78 mijë lekësh në BKT.

Komisioni ka vlerësuar se Nakaj ka qenë bashkëpunuese gjatë procesit të hetimit administrativ. Nga hetimi i pavarur I KPK, ka rezultuar se kandidatja për gjyqtare ka kryer deklarim të saktë, edhe lidhur me adresat, pasi  deklarimet e subjektit kanë rezultuar të njëjta me provat e siguruara nga hetimi. Kjo, pasi nuk ka rezultuar të jenë ngritur dyshimet për pasuri në pronësi apo me qira në adresat e deklaruara nga Nakaj. Adresat e deklaruara prej saj kanë qenë apartamente në pronësi të të atit.

Nga hetimi është konstatuar deklarim i saktë edhe për një hua prej 150 mijë lekësh e marrë nga shtetasi B.B në vitin 2015 dhe e shlyer nga të afërmit e magjistrates.

Lidhur me pastërtinë e figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar(DSIK) ka vlerësuar përshtatshmërinë e kandidates për gjyqtare, Miranda Nakaj, për vazhdimin e detyrës.

Për sa i përket aspektit profesional, KLD i ka dërguar komisionit raportin për verifikimin e tre dosjeve të sugjeruara nga subjekti dhe pesë dosjeve të përzgjedhura në mënyrë rastësore. Në tre dokumentet e sugjeruara nga magjistratja komisioni ka konstatuar se Nakaj ka kryer përshkrim të plotë dhe ka argumentuar arsyetimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, por nuk ka shprehur zgjidhjen e çështjes. Ndërkohë, lidhur me pesë dosjet e përzgjedhura në mënyrë rastësore, dy gjyqtare që kanë drejtuar çështjet kanë dhënë vlerësime të kundërta për Nakajn, njëra pozitiv dhe tjetra negative.

Shkolla e Magjistraturës ka njoftuar komisionin se Nakaj në testimin e parë ka marr 61 pikë nga 100 të mundshme, ndërsa në testimin e dytë 139 pikë nga 200 të mundshme. Nisur nga këto rezultate, subjekti ka të drejtë të ndjekë trajnimin pranë Shkollës së Magjistraturës, thuhej në raportin e kësaj të fundit.

Në fund të seancës dëgjimore, magjistratja Miranda Nakaj është shprehur se është dakord me procedurën e rezultatet e hetimit dhe se u qëndronte shpjegimeve që kishte dhënë më parë për komisionin. Ajo kërkoi konfirmimin në detyrë dhe vazhdimin e trajnimit në Shkollën e Magjistraturës.

Nakaj ishte e shoqëruar edhe nga mbrojtësja ligjore Brunilda Kullani.