Lajm13 Jul 2018

Mali i Zi do t’i bashkohet misioneve të NATO-S në kufirin rus

Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi planifikon të kontribuojë në batalionet e NATO-s në Letoni dhe Poloni, të ngritura për të mbrojtur kufijtë e aleancës në lindje.

Autor: Dusica Tomovic BIRN Podgoricë
Printo

Ushtria e Malit të Zi. Foto: Ministria malazeze e mbrojtjes.

Mali i Zi do të dërgojë trupa në Poloni dhe Letoni deri në vitin 2019 në mbështetje të formacioneve të betejës të NATO-s në kufirin me Rusinë, sipas një dokumenti të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilën BIRN e ka siguruar.

Ai thotë se Mali i Zi do të dërgojë trupa në Letoni për t’u bashkuar batalionit të Ushtrisë Sllovene që ka qenë atje që nga viti 2017, me Kanadanë si vendi kryesor në operacion.

Në fillim të vitit 2019, Mali i Zi do të dërgojë edhe dy oficerë logjistikë për t’iu bashkuar Grupit të Betejës të NATO-s në Poloni.

Sipas dokumentit, oficerët malazezë do të jenë pjesë e një njësie të vendosur nga Garda Kombëtare e Marinës së Shteteve të Bashkuara, që ka qenë në partneritet me Malin e Zi që nga viti 2007.

Operacionet e Letonisë dhe Polonisë u krijuan si pjesë e përpjekjeve të NATO-s për të shtrënguar praninë e saj në kufijtë lindorë të aleancës me Rusinë.

NATO ka katër grupe luftarake shumëkombëshe në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni, që arrijnë në rreth 4,500 trupa, që funksionojnë që nga viti 2017.

Liderët aleatë vendosën në Samitin e Varshavës në vitin 2016 për të rritur praninë ushtarake të NATO-s në sektorin lindor të aleancës, të ashtuquajturin krahu Lindor, në përgjigje të një “mjedisi të ndryshuar sigurie” pas shpërthimit të konfliktit në Ukrainë.

NATO tha se të katër grupet luftarake ishin një nga përgjigjet e saj ndaj “përdorimit të forcës së Rusisë kundër fqinjëve të saj dhe pranisë së saj ushtarake në rajonin e Balltikut dhe më gjerë”.

Kanadaja kryeson grupin e betejës në Letoni, me kontribute nga Shqipëria, Italia, Polonia, Sllovenia dhe Spanja. SHBA-ja udhëheq grupin e betejës në Poloni, me kontributet nga Rumania dhe Britania e Madhe.

Sipas burimeve të BIRN-it nga Ministria e Mbrojtjes, plani për t’u bashkuar me trupat e NATO-s në Letoni dhe Poloni do të prezantohet në një takim të Ministrit të Mbrojtjes të Malit të Zi, Predrag Boskoviç, dhe Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA, James Mattis, në Zagreb, Kroaci, më 13 korrik.

Mattis po vjen në Kroaci në vizitën e tij të parë zyrtare në rajon. Ai do të kryesojë takimin SHBA-Kapitulli Adriatik, një nismë rajonale e ndërmarrë nga Kroacia, Shqipëria, Maqedonia dhe Shtetet e Bashkuara dhe të cilës iu bashkua edhe Bosnja dhe Mali i Zi në vitin 2008.

Qëllimi i Kapitullit është të ofrojë mbështetje për proceset euroatlantike në rajon dhe të përshpejtojë anëtarësimin në NATO të vendeve aspiruese të mbetura në Ballkan.

Një njoftim për shtyp nga Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë tha se zyrtarët e mbrojtjes do të flasin për “praninë e shtuar” të Shteteve të Bashkuara në rajon, situatën e sigurisë në përgjithësi dhe barrën e përbashkët të investimeve të mbrojtjes midis Shteteve të Bashkuara dhe Europës.

BIRN e pyeti Ministrinë e Mbrojtjes për planet e saj për të vendosur më shumë trupa në krahun lindor të NATO-s, por nuk mori asnjë përgjigje deri nnë kohën e publikimit të lajmit.

Ministria gjithashtu u pyet nëse priste një reagim negativ nga ky grup i madh malazezësh, shumica serbë etnikë, të cilët ushqejnë qëndrime pozitive ndaj Rusisë.

Shumica e shtetasve malazezë, sipas sondazheve të fundit, ende kundërshtojnë anëtarësimin e vendit në NATO, kryesisht për shkak të ndjenjave të tyre të ngrohta për Rusinë dhe zemërimit për bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi dhe rolin e saj në konfliktin e Kosovës në 1999.

Javën e kaluar, autoritetet malazeze u përballën me një reagim të ashpër pasi parlamenti miratoi vendimin për të dërguar dy oficerë ushtarakë në operacionin e përbashkët të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha më 8 korrik se gjesti nuk mund të konsiderohej miqësor ndaj Serbisë, pasuar nga fjalë të ngjashme nga ministri serb i mbrojtjes, Aleksandar Vulin, i cili tha se duke dërguar trupa, Mali i Zi donte të mbështeste pavarësinë e Kosovës.

Ministri malazez i Mbrojtjes Predrag Boskoviç u përpoq ta arsyetonte vendimin, duke këmbëngulur se me vendosjen e oficerëve në Kosovë, “Mali i Zi nuk e tradhtoi Serbinë”.