Lajm17 Jul 2017

Mali i Zi zotohet të heqë monumentin e vrasësit

Autoritetet malazeze janë zotuar të heqin një monument në nder të Punisa Raciç - deputeti nacionalist serb që vrau liderin kroat Stjepan Radiç në parlamentin jugosllav në vitin 1928.

Autor: Dusica Tomovic BIRN Podgoricë
Printo

Raciç (majtas) vrau Stjepan Radiç, themelusi i Partisë së Fshatarëve Kroatë. Foto: Wikimedia Commons

Zyrtarë të Malit të Zi kanë urdhëruar Komunën e Andrijevicës të heqë një monument të ngritur për Punisa Raciç, njeriun që vrau liderin kroat Stjepan Radiç në parlamentin jugosllav në vitin 1928 – duke hapur rrugën për rënien e demokracisë parlamentare në Jugosllavi pak kohë më pas (mbreti shpalli shpejt një diktaturë).

Megjithatë, pasardhësit e Raciç thonë se monumenti është ndërtuar mbi një pronë private dhe se familja do të bëjë gjithçka për të parandaluar heqjen e tij.

Raciç, një serb nga Mali i Zi dhe deputet në parlament, qëlloi për vdekje tre deputetë kroatë në parlament në vitin 1928 dhe u dënua me 14 vjet burg.

Përveç rrëzimit të sistemit parlamentar në Jugosllavi, vdekja e Radiçit ndihmoi gjithashtu në ngritjen në Kroaci të lëvizjes ekstreme nacionaliste dhe fashiste ustashe.

Pas vendosjes së pllakadës të mërkurën e kaluar në vendlindjen e tij në Slatina, një fshat në veri të Malit të Zi, qeveria malazeze dhe ajo kroate e dënuan të dyja këtë vendim.

Këshilli Kombëtar Kroat në Mal të Zi, i cili përfaqëson komunitetin e vogël kroat në vend, theksoi: “Kroatët e mbajnë mend Punis Raciçin vetëm për veprat e tij të këqija.”

Ministria e Jashtme kroate i dha ambasadorit të Malit të Zi në Zagreb, Boro Vuciniç, një letër proteste, duke thënë se priste që institucionet relevante malazeze të distancohen nga ky veprim në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Qeveria në Podgoricë reagoi menjëherë, duke e quajtur zbulimin e monumentit përkujtimor një “akt retrograd individual”.

Pllakada “ngre lart karakterin dhe punën e vrasësit të mbretit Nikolla dhe vrasësin e deputetëve kroatë në Asamblenë e atëhershme të Mbretërisë së Jugosllavisë” dhe u ngrit “pa dijeninë e qeverisë dhe autoriteteve shtetërore të Malit të Zi,” tha Ministria e Jashtme malazeze.

(Raciç u përfshi në fillim të jetës së tij në një përpjekje të dështuar për të vrarë mbretin Nikolla të Malit të Zi.)

Megjithatë, të afërm të Raciç dhe disa shoqata më të vogla të serbëve në Mal të Zi thanë gjatë fundjavës se ata nuk do të lejojnë që monumenti të hiqet, duke pretenduar se autoritetet lokale ishin në dijeni të planit dhe nuk e ndaluan këtë gjë.

“Ne do të përkrahim mbrojtjen e monumentit përkujtimor sepse mendojmë se të çdo njeri duhet të ketë një varr. Për më tepër, ai është ndërtuar në një pronë private. Në fund të fundit, askush nuk na paralajmëroi të mos e bënim këtë, edhe pse autoritetet ishin të vetëdijshme se kjo gjë po bëhej,” mediat lokale cituan të ketë thënë Miroslav Dukiç, nga komiteti organizativ.

Shoqata Vaso, e cila e mbështeti gjithashtu ngritjen e monumentit, e quajti zotimin e qeverisë për ta hequr atë si “hipokrit” sepse ajo nuk dërgoi një letër të ngjashme proteste në Kroaci për inaugurimin e një monumenti në nder të Miro Baresiç, i cili vrau ambasadorin jugosllav Vladimir Roloviç në vitin 1971 në Suedi.

Një monument për Baresiçin, i cili vdiq duke luftuar në luftën kroate për pavarësi 20 vjet më vonë, u inaugurua në Kroaci gushtin e kaluar.

“Ngritja e monumentit për Baresiçin u mirëprit nga Këshilli Kombëtar Kroat në Mla të Zi,” u ankua organizata.

Deri kur u vra, Radiç ishte bashkëthemeluesi dhe lideri i Partisë Fshatare Kroate dhe qëndrimi i tij luftarak ndaj autoriteteve në Mbretërinë e Jugosllavisë me shumicë serbe kishte zemëruar shumë nacionalistë serbë.