IX. SINJALIZIMI

Vetëm gjatë pesë vjetëve të fundit, mijëra sekrete shtetërore janë publikuar falë guximit të sinjalizuesve që të publikojnë informacione. Edward Snowden zbuloi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin përgjuar masivisht qytetarët e tyre dhe disa liderë botërorë dhe Antoine Deltour bëri publike qindra marrëveshje që dëshmuan se autoritetet shtetërore në Luksemburg ishin përfshirë në skema të kompanive të mëdha për shmangie nga tatimi.

Përkundër rëndësisë së sinjalizimit, vetëm 10 nga 28 anëtarët e Bashkimit Europian rregullojnë sinjalizimin me legjislacion të veçantë (lex specialis). Tjerat shtete e kanë të rregulluar deri diku me ligje sektoriale, pra me ligje të ndryshme që përmbajnë nene për mbrojtjen e sinjalizuesve. [i] Bashkimi Europian ende nuk ka direktivë për mbrojtjen e sinjalizuesve mirëpo në fillim të vitit 2017 kanë filluar konsultime në mes të Komisionit Europian dhe shoqërisë civile për të kaluar legjislacion mbrojtës për sinjalizues.

Deri vonë nuk ekzistonin përkufizime universale për sinjalizimin që do të mund të përdoreshin në nivel Europian. Në vitin 2014 Këshilli i Europës nxori Rekomandimin cc/Rec(2014)7 të Komitetit të Ministrave për shtetet anëtare në mbrojtjen e sinjalizuesve. [ii] Rekomandimi ofron përkufizime bazike për sinjalizimin të cilat janë shfrytëzuar nga shtete të ndryshme gjatë hartimit të legjislacionit kombëtar.

Disa prej tyre janë të shpjeguar si në vijim:

  • ◊ Sinjalizues – është secili person që raporton [sinjalizon] ose zbulon informacion në lidhje me një kërcënim ose dëmtim të interesit publik në kontekst të marrëdhënies së punës, qoftë ajo në sektorin publik, a privat.
  • ◊ Zbulim apo raportim në interes publik është raportimi ose zbulimi i informacionit për veprime apo mosveprime që përbëjnë një kërcënim ose dëmtim të interesit publik.
  • ◊ Raportimi - është raportimi qoftë brenda apo jashtë organizatës ose tek një autoritet i jashtëm.
  • ◊ Zbulim -është bërja publike e informacionit.

Këto përkufizime vlejnë për të gjithë personat që punojnë qoftë në sektorin publik apo privat, pavarësisht natyrës së punës së tyre apo nëse paguhen ose jo. Po ashtu vlen edhe për personat të cilët kanë përfunduar angazhimin në punë dhe ata që janë në pritje të fillimit të angazhimit në punë.

9.1 Ligji shqiptar për sinjalizuesit

Sinjalizimi si një fenomen dhe proces ka ekzistuar gjithnjë dhe në raste të njohura është përdorur nga gazetarët dhe media, edhe pse rregullimi i tij me ligj është bërë vetëm së fundmi në Shqipëri.

Si koncept, ai nënkupton informimin lidhur me çështje serioze/afera korruptive që përbëjnë interes për publikun e gjerë.

Praktika e mirë është që gazetari t’i përmendë burimet në raportet e tij në mënyrë që audienca të gjykojë vetë lajmin, por ka raste komplekse kur një burim anonim përdoret për të bërë akuza serioze.

Në këto raste është shumë e rëndësishme që të merren masa për të mbrojtur identitetin e burimit. Gjithsesi audiencës i duhet dhënë mundësia të kuptojë sesi është situata, cilat janë informacionet dhe rëndësia e tyre.

Në këtë rast gazetari/editori duhet të marrë një vendim bazuar mbi disa kritere që lidhen me mbrojtjen e burimeve/sinjalizuesve:

  • ◊ Nëse historia ka interes publik
  • ◊ Nëse burimi është i besueshëm dje nëse është në pozitë për të siguruar informacion
  • ◊ Nëse ka probleme ligjore
  • ◊ Nëse ka shqetësime për sigurinë e burime, për shembull në rastin e bilbilfryrësve
  • ◊ Nëse ka shqetësime për sigurinë e burime, për shembull në rastin e bilbilfryrësve
  • ◊ Nëse ka çështje të ndjeshme apo personale

Ligji nr. 60/2016 për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve është miratuar në vitin 2016 dhe përcakton rregullat për sinjalizimin e një veprimi ose praktike të dyshuar korrupsioni nga sinjalizuesit në sektorin publik e privat, mekanizmat për mbrojtjen e sinjalizuesve.

Parimet themelore i japin sinjalizuesit të drejtën e konfidencialitetit gjatë procesit të sinjalizimit, që përfshin, gjithashtu, mundësinë e sinjalizimit anonim të një veprimi ose praktike të dyshuar korrupsioni, ruajtjen e konfidencialitetit të burimit të informacionit të sinjalizuesit dhe mbrojtjen kundër hakmarrjes.

Përdorimi i informacioneve të siguruara nga bilbilfryrësit ose sinjalizuesit bëhet duke mbajtur parasysh parimin e mbrojtjes së të dhënave personale. Pra në çdo rast, përpunimi i të dhënave personale kryhet sipas parimeve dhe procedurave të legjislacionit në fuqi për këtë qëllim.

Në rastet kur në zbatimin e këtij ligji, konstatohet mosrespektim i legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, çështja mund ti referohet Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Po ky institucion përcakton me udhëzim të veçantë kushtet dhe kriteret e përpunimit dhe kohën e mbajtjes së të dhënave personale në fushën e mbrojtjes së sinjalizuesve, sipas ligjit.

Parimet e sinjalizimit

Mbrojtja e sinjalizuesve të veprimeve ose praktikave të dyshuara të korrupsionit, sipas këtij ligji, bazohet në parimet e:

  • a) ruajtjes së konfidencialitetit të informacionit të sinjalizimit dhe sekretit shtetëror nga njësia përgjegjëse dhe ILDKPKI-ja;
  • b) njohjes së identitetit të sinjalizuesit, përveç rastit kur ky ligj lejon pranimin e një sinjalizimi anonim;
  • c) sinjalizimit vullnetar të një veprimi ose praktike të dyshuar të korrupsionit;
  • ç) integritetit dhe paanshmërisë së njësisë përgjegjëse dhe ILDKPKI-së gjatë shqyrtimit të sinjalizimit;
9.2 Parimet ndërkombëtare për mbrojtjen e sinjalizuesve

Ka raste kur personat që punojnë në organizata, kompani dhe institucione bëhen dëshmitarë të parregullsive dhe shkeljeve ligjore me rrezik për interesin publik. Shpesh këta punëtorë shkurajohen nga raportimi i tyre nga frika e hakmarrjes ose mungesës së hetimit të mirëfilltë të parregullsive.

Shteti dhe punëdhënësi janë të obliguar që të ndërmarrin masa që të inkurajojnë sinjalizimin e parregullsive dhe të ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme të sinjalizuesve. Në këtë kontekst, Rekomandimi CM/Rec(2014)7 i Komitetit të Ministrave për shtetet anëtare të Bashkimit Europian në mbrojtjen e sinjalizuesve parasheh disa parime bazike për mbrojtjen e sinjalizuesve.

  • ◊ Interesi publik – koncepti i interesit publik në rastet e sinjalizimit duhet të kuptohet dhe të përfshijë veprime që kontribuojnë në mirëqenien e publikut dhe të shoqërisë.
  • ◊ Detyrime kontraktuale – punëdhënësi nuk duhet të shfrytëzojë detyrimet kontraktuale për të penguar sinjalizuesit që të sinjalizojnë informata që janë në interes publik. Punëdhënësi nuk duhet të vendosë sanksione ndaj punëtorit për shkak të sinjalizimit.
  • ◊ Kanalet e raportimit – sinjalizuesi duhet të ketë mundësinë të sinjalizojnë brenda organizatës ku punon, tek një autoritetet i jashtëm dhe tek publiku përmes gazetarëve ose deputetëve të parlamentit. Nëse punëdhënësi ka të rregulluar sinjalizimin e brendshëm dhe ai është efektiv, sinjalizuesi inkurajohet që të përdorë sinjalizimin e brendshëm.
  • ◊ Konfidencialiteti – sinjalizuesit duhet të kenë të drejtën që të raportojnë në mënyrë anonime dhe të kërkojnë ruajtjen e identitetit të tyre ashtu siç garantohet në procese të rregullta gjyqësore.
  • ◊ Hetimi i sinjalizimeve – sinjalizimet e bëra nga sinjalizuesit duhet të hetohen menjëherë nga punëdhënësi, agjencitë për zbatimin e ligjit dhe institucionet tjera relevante. Sinjalizuesit duhet të informohen për rezultatin e hetimeve.
  • ◊ Mbrojtja nga veprimet hakmarrëse - sinjalizuesit duhet të mbrohen nga çdo formë e hakmarrjes direkte apo indirekte që mund të vijë nga punëdhënësi apo ndonjë person tjetër që vepron në emër të punëdhënësit për shkak të sinjalizimit.
9.2.1. Raste gjyqësore në GjEDNj

Shërbyesit civilë gëzojnë të drejtën e lirisë së shprehjes

Testi prej gjashtë hapash - nëse kishte interes publik në zbulimin e informacionit, nëse ekzistonin kanale alternative të zbulimit të informatës, nëse informatat apo dokumentet e zbuluara ishin vërteta dhe autentike, nëse ishte dëmtuar imazhi i institucionit, nëse punëtori kishte vepruar në mirëbesim dhe në fund çfarë sanksioni ishte shqiptuar dhe pasojat e tij.

Guja kundër Moldavisë


Drejtori i Zyrës për Komunikim me Media të Prokurorisë së Përgjithshme të Moldavisë, [iii] Iacob Guja ishte larguar nga puna për shkak të rrjedhjes së dy letrave nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm. Disa ditë më vonë, Guja ia dha gazetës Jurnal de Chişinău dy letra të pranuara nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të cilat dëshmonin ndikimin e parlamentit në prokurorinë e vendit.
Ai u largua nga puna kur u kuptua se kishte rrjedhur letrat në fjalë për shkelje të rregullores së brendshme, nën arsyetimin se kishte dështuar të merrte aprovim nga mbikëqyrësit e tij për të publikuar letrat. Gjykatat vendore nuk e kthyen në punë dhe ai iu drejtua GjEDNj-së nën pretendimin se i ishte shkelur e drejta e lirisë së shprehjes.
Sipas GjEDNj-së neni 10 zbatohet edhe në vendin e punës dhe shërbyesit civilë gëzojnë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe në vlerësimin e proporcionalitetit të një ndërhyrjeje në të drejtën e lirisë së shprehjes së shërbyesve civilë, duhet të merren parasysh disa faktorë: nëse ka interes publik në zbulimin e informacionit, nëse informatat apo dokumentet e zbuluara janë të vërteta dhe autentike, nëse është dëmtuar imazhi i institucionit, nëse punëtori ka vepruar në mirëbesim dhe në fund çfarë sanksioni është marrë dhe pasojat e tij.
Në rastin konkret, sa i përket interesit publik, letrat e rrjedhura nga parashtruesi, autenciteti i të cilave nuk ishte kontestuar, trajtonin çështjen e ndarjes së pushteteve, sjelljes së gabuar të politikanëve të rangut të lartë dhe qasjes së qeverisë ndaj brutalitetit të policisë. Nuk kishte dyshim që këto ishin çështje të rëndësishme që bien në sferën e debateve politike në një shoqëri demokratike, për të cilat publiku ka interes legjitim që të jetë i informuar. Interesi i publik për t’u informuar për ndikimet e ushtruara në zyrën e prokurorit ishin aq të rëndësishme në një shoqëri demokratike, sa tejkalonin interesin për të mbajtur besimin e publikut në pavarësinë dhe paanshmërinë e prokurorisë së shtetit. Qëllimi i Gujës ishte të kontribuonte në luftën kundër korrupsionit dhe se ai kishte vepruar në mirëbesim. Në fund, sanksioni i shqiptuar kundër parashtruesit ishte i ashpër dhe përveç ndikimit që mund të kishte në karrierën e tij, ai mund të kishte efekt frenues në zyrtarët e tjerë të prokurorisë dhe t’i shkurajonte ata nga raportimi i parregullsive. Rrjedhimisht, gjykata vendosi në favor të Iacob Guja.


Dënimi me burg me kusht mund të prodhojë efekt frenimi

Dënimi me një vit burg [edhe pse me kusht] për shpifje gjatë debatit me interes publik, edhe pse asnjëherë nuk u ekzekutua, mund të kishte efekt frenimi në diskutimet publike.

Roemen dhe Schmit kundër Luksemburgut

Parashtruesi i kërkesës, Mykhaylo Marchenko, ishte mësues dhe kryetar i sindikatës së shkollës ku punonte. [iv] Pas disa akuzave që kishte ngritur për keqpërdorimin e pronës së shkollës, disa përfaqësues të sindikatës organizuan një protestë në zyrën e administratës lokale me parulla që akuzonin drejtoreshën për sjellje të pahijshme. Drejtoresha inicioi ndjekje penale privatisht kundër Marchenkos për akuza të rrejshme për krime serioze [shpifje] dhe fyerje. Në vitin 2001 ai u shpall fajtor duke u dënuar me një vit dënim me burg me kusht dhe gjobë për akuzat publike dhe të pabazuara kundër drejtoreshës. Marchenko u ankua në GjEDNj, ndër të tjera, se dënimi i tij për shpifje ishte në kundërshtim me nenin 10 të Konventës.

GjEDNj-ja ritheksoi se sinjalizimi në sektorin publik për sjellje të kundërligjshme, ose parregullsi gëzonte mbrojtje. Mirëpo, edhe pse ai ishte përfaqësues i sindikatës së shkollës dhe i përfshirë në një çështje me interes publik, parashtruesi kishte obligim të respektonte reputacionin e të tjerëve, të drejtën e prezumimit të pafajësisë dhe obligohej të ishte besnik dhe diskret ndaj punëdhënësit të tij.
Po ashtu, zbulimi i informacionit duhej fillimisht të bëhej te mbikëqyrësi ose autoriteti kompetent dhe vetëm si alternativë e fundit te publiku. Bazuar në këto parime, Gjykata vlerësoi se fakti që ai kishte paraqitur kallëzime penale kundër drejtoreshës nuk nënkuptonte se ai kishte vepruar në keqbesim, sepse kishte vepruar në emër të sindikatës dhe po ashtu ai posedonte disa prova. Rrjedhimisht, ndërhyrja e bërë për shkak të paraqitjes së kallëzimeve penale nuk ishte e nevojshme në një shoqëri demokratike.
Sa i përket dënimit të parashtruesit për pjesëmarrje në protestën në fjalë, gjykata tha se as parashtruesi e as mbështetësit e tij nuk kishin përdorur masat procedurale në dispozicion për të sfiduar paefektshmërinë e hetimeve. Mirëpo në rastin konkret, dënimi me një vit burg [edhe pse me kusht] për shpifje gjatë debatit me interes publik, nuk mund të justifikohej. Vetë natyra e sanksionit të tillë, edhe pse asnjëherë nuk u ekzekutua, mund të kishte efekt frenimi në diskutimet publike. Për këto arsye, gjykatat vendore kishin tejkaluar ndërhyrjen e nevojshme në të drejtën e lirisë së shprehjes së parashtruesit.


Tolerohet një shkallë ekzagjerimi dhe përgjithësimi

Në temat e rëndësishme dhe me interes publik tolerohet një shkallë ekzagjerimi dhe përgjithësimi.

Kudeshkina kundër Rusisë


Parashtruesja e kërkesës, Olga Kudeshkina, në atë kohë kishte qenë gjykatëse. [v] Rasti kishte të bënte me pretendimet e gjykatëses Kudeshkina se më 2004 ajo ishte larguar nga sistemi gjyqësor për shkak se kishte akuzuar publikisht zyrtarë të lartë gjyqësorë për ushtrim të presionit tek ajo në një rast penal të profilit të lartë.
Ajo ishte larguar nga puna nën arsyetimin se sjelljet e saj e kishin fyer sistemin gjyqësor, mund të nënvlerësonin autoritetin e gjyqësorit dhe se kishte zbuluar informacione rreth rastit të hetuesit Zaytsev. Ankesat e saj kundër këtij vendimi ishin hedhur poshtë. Për këtë arsye ajo iu drejtua GjEDNj-së nën pretendimin se largimi i saj nga gjykata për shkak të deklaratave të bëra ishte në kundërshtim me nenin 10 të Konventës.
Gjykata ritheksoi se neni 10 aplikohet edhe në vende të punës dhe se shërbyesit civilë gëzojnë të drejtën e lirisë së shprehjes. Lidhur me pretendimin se parashtruesja kishte zbuluar fakte rreth rastit gjyqësor, autoritetet vendore nuk ishin bazuar në ndonjë deklaratë specifike dhe Gjykata nuk vërejti asgjë në intervistat e përmendura që mund të konsiderohej si “zbulim i informacionit”.
Sipas Gjykatës, parashtruesja kishte kritikuar publikisht sjelljen e disa zyrtarëve dhe pretendonte se presioni mbi gjyqtarë ishte praktikë e zakonshme në gjykatat ruse dhe kjo përbënte padyshim një temë të rëndësishme dhe me interes publik. Rrjedhimisht, tolerohej një shkallë ekzagjerimi dhe përgjithësimi, pasi komentet e saj ishin të bazuar në fakte dhe përmbanin opinion. Përfundimisht, largimi nga shërbimi gjyqësor ishte sanksion joproporcional që mund të shkaktonte efekt frenues në gjykatës të tjerë të cilët mund të dëshironin të kontribuonin në diskutime publike rreth efikasitetit të sistemit gjyqësor.


Informata për trajtimin e pacientëve ishte në interes publik

Kallëzimi penal i paraqitur nga parashtruesja kualifikohej si sinjalizim.

Heinisch kundër Gjermanisë


Parashtruesja e kërkesës, Brigitte Heinisch, në atë kohë punonte si infermiere në një kompani të specializuar për kujdes shëndetësor dhe përkujdesje ndaj të moshuarve dhe shumica e saj ishte në pronësi të shtetit. [vi] Ajo së bashku me kolegët e saj e kishin informuar rregullisht menaxhmentin se ishin të mbingarkuara me punë. Një inspektim në shtëpinë e pleqve gjeti mangësi serioze. Ajo kishte ushtruar edhe kallëzim penal. Kompania e largoi nga puna pa njoftim paraprak. Parashtruesja nuk pati sukses me paditë e saj në gjykata vendore me të cilat kërkonte kthim në vendin e punës. Ajo iu drejtua GjEDNj-së nën pretendimin se largimi nga puna përbënte shkelje të nenit 10 të Konventës.
Sipas GjEDNj-së, informacioni i zbuluar ishte padyshim në interes publik. Parashtruesja i kishte informuar disa here mbikëqyrësit e saj për parregullsi. Ajo kishte fakte dhe nuk kishte raportuar informacione të pasakta. Edhe pse në formulimin e kallëzimit penal kishte një shkallë ekzagjerimi dhe përgjithësimi, akuzat e saj nuk ishin tërësisht të pabazuara në fakte dhe nuk përbënin sulm personal kundër punëdhënësit të saj.
Interesi i publikut për të qenë i informuar për parregullsitë në ofrimin e shërbimeve për të moshuarit nga një kompani shtetërore ishte aq i rëndësishëm sa tejkalonte interesin e kompanisë për të mbrojtur reputacionin e saj. Në fund, sa i përket sanksionit, parashtruesja ishte dënuar me dënimin më të rëndë sipas ligjit të punës. Prandaj, largimi i nga vendi i punës pa paralajmërim ishte joproporcional.


Informacioni nuk mund të raportohej tek punëdhënësi

Parashtruesi mund të kishte informuar vetëm mbikëqyrësit e tij, mirëpo parregullsitë që ai kishte zbuluar kishin të bënin me ata.


Bucur and Toma kundër Rumanisë


Parashtruesit e kërkesës, Constantin Bucur dhe Mircea Toma janë shtetas rumunë. [vii] Më 1996 Bucur punonte në Departamentin për Monitorimin e Komunikimit në Agjencinë Rumune të Inteligjencës (SRI) me bazë në Bukuresht dhe ishte përgjegjës për përgjime. Ai vërejti që disa gazetarë, politikanë dhe biznesmenë po përgjoheshin në mënyrë të paligjshme. Bucur-i njoftoi mbikëqyrësin e tij për parregullsitë e evidentuara, por u qortua nga ai.
Ai pastaj kontaktoi një deputet që ishte edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e SRI-së dhe sëbashku mbajtën konferencë për media ku publikuan 11 audiokaseta që përmbanin komunikime telefonike të disa gazetarëve dhe politikanëve. Konferenca u raportua nga mediat botërore. Bucur u dënua me dy vjet burg për vjedhje dhe publikim të paligjshëm të informatave sekrete.
Bazuar në nenin 10, Bucur-i u ankua së dënimi i tij përbënte shkelje të këtij neni. Dy parashtruesit tjerë, gazetari Mircea Toma dhe vajza e tij Sorana Toma, duke u bazuar në nenin 8 u ankuan për përgjim të bisedave të tyre.
Në SRI nuk ekzistonte asnjë procedurë zyrtare për raportimin e parregullsive. Parashtruesi mund të kishte informuar vetëm mbikëqyrësit e tij, mirëpo parregullsitë që ai kishte zbuluar kishin të bënin me ata. Prandaj, vështirë se një ankesë e brendshme e parashtruesit do të rezultonte me hetim apo ndalim të praktikave të paligjshme. Rrjedhimisht, zbulimi i informacioneve drejtpërsëdrejti në publik justifikohej. Gjykata më tutje vërejti se komunikimet telefonike kishin një rëndësi të veçantë në shoqëri, e cila gjatë regjimit komunist ishte mësuar me një politikë të fshehtë të përgjimit nga shërbimet sekrete.
Sa i përket dëmit ndaj institucionit, interesi i përgjithshëm në aktivitetet e paligjshme të shërbimit të inteligjencës ishte aq i rëndësishëm në një shoqëri demokratike sa tejkalonte interesin e ruajtjes së besimit të publikut në atë institucion. Po ashtu, nuk kishte arsye të besohej që parashtruesi ishte i shtyrë nga motive tjera përveç bërjes publike të shkeljeve ligjore. Rrjedhimisht, ndërhyrja në të drejtën e parashtruesit për liri të shprehjes, sidomos në të drejtën e tij për të dhënë informacione nuk ishte e nevojshme në një shoqëri demokratike.


Obligimi kontraktual për konfidencialitet vlen më pak për gazetarët

Nëse merret parasysh roli që gazetarët luajnë në një shoqëri demokratike dhe përgjegjësitë e tyre që të kontribuojnë dhe të inkurajojnë debatin publik, kufizimet rreth konfidencialitit dhe obligimi për diskrecion nuk mund të zbatohen njëjtë ndaj tyre si ndaj të gjithë punëtorëve tjerë, pasi që është në natyrën e tyre të japin informata.


Matúz kundër Hungarisë


Parashtruesi i kërkesës, Gábor Matúz, ishte punësuar për kohë të pacaktuar në televizionin shtetëror hungarez Magyar Televízió Zrt (MTZ). [viii] Në atë kohë ai ishte redaktor dhe moderator i një emisioni kulturor dhe kryesues i Sindikatës së Shërbimit për Transmetuesin Publik.
Pas ardhjes së drejtorit të ri të programit gazetari ishte censuruar disa herë, gjë që ishte raportuar në media. Tutje, ai shkroi një libër ku botoi fragmente nga intervista të pabotuara dhe letra të brendshme të shkëmbyera në mes të gazetarit dhe drejtorit. Si pasojë, gazetari u largua nga puna nën arsyetimin se ai kishte shkelur konfidencialitetin profesional. Të gjitha ankesat e parashtruesit kundër largimit nga puna ishin të pasuksesshme dhe për këtë arsye ai iu drejtua GjEDNj-së nën pretendimin se largimi nga vendi i punës për shkak të botimit të librit përbënte shkelje të nenit 10 të Konventës.
Sipas GjEDNj-së, nëse merret parasysh roli që gazetarët luajnë në një shoqëri demokratike dhe përgjegjësitë e tyre që të kontribuojnë dhe të inkurajojnë debatin publik, kufizimet rreth konfidencialitit dhe obligimi për diskrecion nuk mund të zbatohen njëjtë ndaj tyre si ndaj të gjithë punëtorëve tjerë, pasi që është në natyrën e tyre të japin informata.
Autenticiteti i dokumenteve të publikuara nga parashtruesi nuk ishte vënë asnjëherë në pyetje. Edhe pse publikimi i dokumenteve në librin e parashtruesit përbënte shkelje të konfidencialitetit, përmbajtja e tyre veçse ishte bërë e qasshme për publikun përmes artikullit të botuar më herët online. Mirëbesimi i tij nuk ishte vënë asnjëherë në pyetje gjatë proceseve gjyqësore vendore. Libri ishte publikuar vetëm pasi parashtruesi i kërkesës ishte munduar të adresonte censurën tek punëdhënësi i tij. Sanksioni i imponuar – ndërprerja e marrëdhënies së punës - ishte sanksioni më i rëndë. Gjykatat vendore kishin vendosur kundër parashtruesit duke u bazuar vetëm në arsyetimin se publikimi i librit shkelte obligimet kontraktuale, pa e trajtuar argumentin e tij që ai po ushtronte të drejtën e lirisë së shprehjes dhe interesin publik të përfshirë. Rrjedhimisht, ndërhyrja në të drejtën e lirisë së shprehjes së parashtruesit nuk ishte e nevojshme në një shoqëri demokratike.