Maqedonia do të paraqesë një kërkesë ekstradimi për ish-kryeministrin e arratisur Nikola Gruevski, pavarësisht nëse autoritetet hungareze i kanë dhënë apo jo atij azil politik, tha ministrja e drejtësisë.
Maqedonia ka përgatitur kërkesën për ekstradim për ish-kryeministrin Nikola Gruevski dhe me gjasa do ta dërgojë atë në Hungari deri në fund të ditës së martë, tha ministrja maqedonase e drejtësisë Renata Deskoska për mediat.
“Kërkesa jonë do të përfshijë jo vetëm dënimin në lidhje me çështjen “Tanku”, por edhe të gjitha akuzat e tjera ekzistuese kundër Gruevskit, të gjitha hetimet dhe para hetimet,” tha Deskoska.
Njoftimi vjen pasi gazeta hungareze pro-qeveritare Magyar Idok publikoi raportime të pakonfirmuara se Gruevskit tashmë mund t’i jetë dhënë azil politik në Hungari.
Duke komentuar mbi raportimet, Deskoska tha se Maqedonia do të dërgojë kërkesën e saj për ekstradim pavarësisht nëse ato janë të vërteta apo jo.
“Procedurat e azilit në Hungari zgjasin shumë, ka shembuj që zgjasin për disa muaj, me përjashtim të rastit kur ata kanë kryer ndonjë procedurë më të shpejtë,” tha Deskoska.
Zyra e shtypit e qeverisë maqedonase tha për BIRN të martën se nuk ishte në gjendje të konfirmonte ose mohonte nëse kërkesa për azil e Gruevskit ka qenë e suksesshme apo jo.
Gruevski duhet të raportojë për fillimin e dënimit të tij me dy vjet burg më 9 nëntor, por nuk e bëri këtë. Më 13 nëntor, një postim në llogarinë e tij zyrtare të Facebook njoftoi se ai ishte në Budapest dhe se po kërkonte azil politik pasi kishte marrë kërcënime të shumta për jetën e tij.
Autoritetet hungareze, të cilat kanë konfirmuar se Gruevski është në territorin e tyre, këmbëngulën se kërkesa e tij për azil është një çështje ligjore dhe jo politike.
Ata deklaruan se kërkesa e Gruevskit ishte ngritur bazuar në pretendimet e tij se jeta e tij ishte nën kërcënim dhe se nëse ai do të kthehej në Maqedoni, sistemi gjyqësor nuk do të ofronte një gjykim të drejtë.
Hungaria pohoi gjithashtu se nuk kishte të bënte me largimin e Gruevskit nga Maqedonia dhe se ata thjesht i kishin ofruar ndihmë atij që të paraqiste kërkesën drejtpërsëdrejti në Budapest, për arsye sigurie, por vetëm pasi ai shprehu vullnetin e tij për ta bërë këtë një nga avanpostet diplomatike të Hungarisë.
Ndërkohë që nuk dihet ende saktësisht se ai doli nga Maqedonia, policia shqiptare ka konfirmuar se ish-kryeministri i arratisur kaloi territorin e saj për të shkuar në Mal të Zi duke thënë se ai ka udhëtuar si pasagjer në një makinë në pronësi të ambasadës hungareze në Tiranë.
Policia e Malit të Zi më vonë konfirmoi se Gruevski udhëtoi me makinë drejt Serbisë më 11 nëntor, me kryeministren e Serbisë që njoftoi se ai kishte arritur në Hungari nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Tompa-Horgos-Roszkes më 12 nëntor.
Zyrtarisht, Hungaria e konsideron Maqedoninë një vend të sigurt, ku mbizotëron sundimi i ligjit.
Zyrtarët hungarezë këmbëngulën se duke pranuar dhe vlerësuar kërkesën për azil të Gruevskit, ata në asnjë mënyrë nuk veprojnë duke paragjykuar institucionet maqedonase.