Opinion2 Oct 2018

Maqedonia duhet të marrë vendime të vështira pas referendumit zhgënjyes

Referendumi i ditës së dielë mund të ketë “dështuar” përsa i përket pjesëmarrjes, por qeveria duhet të vazhdojë ende të përpiqet të miratojë marrëveshjen me Greqinë dhe opozita duhet t’i japë fund qëndrimit të saj dhe ta mbështesë atë.

Autor: Ivana Jordanovska BIRN
Printo

Kryeministri Zoran Zeav gjatë fushatës “po” për referendumitn. Foto: BIRN.

Të dielën Maqedonia mbajti një referendum të shumëpritur mbi marrëveshjen e emrit të nënshkruar në qershor me Greqinë, e njohur si Marrëveshja e Prespës.

Ai u hartua me një sërë hapash për të bërë një kompromis mes kërkesave të të dyja palëve dhe për të ndërtuar një udhërrëfyes praktik për ratifikimin.

Fundi i rrugës ishte pranimi i Maqedonisë në NATO dhe BE, me Greqinë si një fqinjë përkrahëse, jo si një pengesë që vendos veton e saj.

Qeveria e Zoran Zaev organizoi një referendum mbi këtë çështje pas arritjes së një marrëveshjeje që i kishte shpëtuar të gjithë paraardhësve të tij. Pyetja ishte e përshtatur në lidhje me anëtarësimin eventual në NATO dhe BE, gjë që nuk mund të ndodhë për sa kohë që Greqia e kundërshton këtë gjë.

Qeveria doli dhe bëri fushatë, por referendumi dështoi. Ai nuk arriti shkallën e nevojshme të pjesëmarrjes prej 50 për qind që të ishte i vlefshëm, edhe pse një shumicë e qartë e atyre që votuan favorizuan marrëveshjen.

Arsyet për këtë dështim janë disa. Shifra prej 1.8 milionë votuesish, që nuk është reale.

Vendi nuk ka organizuar një regjistrim popullsie që nga viti 2002, por emigrimi masiv në Europën Perëndimore dhe gjetkë në vitet e fundit sugjeron se sot në vend ka shumë më pak se 1.8 milionë zgjedhës.

Disa sugjerojnë se vetëm rreth 1.4 milionë qytetarë jetojnë aktualisht në vend, ndërsa votimi jashtë vendit qe i mundur vetëm për ata që u regjistruan në fund të gushtit dhe ishin në gjendje të udhëtonin në një nga ambasadat ose konsullatat.

Partia kryesore e opozitës VMRO DPMNE gjithashtu shmangu përgjegjësinë e komunikimit me publikun të qëndrimit të saj. Disa anëtarë të shquar të saj dhe deputetë votuan në referendumin e së dielës, ndërsa të tjerë e bojkotuan atë.

Duke pasur parasysh historinë e bllokimit të votimit nga partitë në Maqedoni, efekti i këtij dështimi për të artikuluar një pozicion politik nuk vjen si befasi.

Një përpjekje për të organizuar një fushatë kundër votimit ndërkohë u organizua nga disa grupe dhe parti të vogla politike, disa me lidhje të qarta dhe financim nga Rusia.

Një përpjekje e butë për të përhapur lajme të rreme dhe propagandë ishte gjithashtu e dukshme, me disa politikanë pro-rusë nga Serbia fqinje që u bënë thirrje serbëve etnikë në Maqedoni që të bojkotonin votimin.

Së fundmi, fushata në favor të referendumit dështoi të arrinte dhe/ose bindte votuesit etnikë maqedonas, sidomos ata në zonat rurale në lindje dhe në jug të vendit.

Ndërsa shqiptarët etnikë votuan në numër të madh, një prirje diskriminuese mes maqedonasve etnikë tregoi se ata nuk ishin të bindur se marrëveshja ofron mbrojtje të nevojshme për identitetin e tyre.

Pra, po tani?

Është e rëndësishme të theksohet se referendumi ishte konsultues, jo ligjërisht i detyrueshëm. Suksesi i referendumit nuk është, pra, një kusht për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë.

Megjithatë, ky është një kurth për koalicionin qeverisës. Qeveria ka ende nevojë për një shumicë prej dy të tretash në parlament për të miratuar ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga marrëveshja dhe nuk e ka këtë numër.

Një proces i vështirë negociues me opozitën dhe anëtarë individualë po zhvillohej tashmë. Por do të jetë shumë sfiduese të rezultojë i suksesshëm tani, pas rezultatit të së dielës. Pas përfundimit të votimit të dielën, Zaev deklaroi se do të përpiqet të sigurojë një shumicë prej dy të tretash në parlament për të ratifikuar marrëveshjen e emrit.

Një argument në favor të qëndrimit të qeverisë është se një shumicë e madhe e atyre që dolën për të votuar, mbi 90 për qind, mbështetën me shumicë dërrmuese marrëveshjen e emrit.

Do të ishte gjithashtu një pikëpamje e thjeshtë të supozojmë se shumica e qytetarëve që nuk kanë votuar janë kundër marrëveshjes.

Një deklaratë e tillë kategorike do të ishte e pasaktë. Dykuptimësia negative e VMRO DPMNE u pasqyrua qartë në votim. Por, siç u përmend më parë, një pjesë e konsiderueshme e shtetasve maqedonas kanë lëvizur jashtë vendit për një sërë arsyesh.

Që këta njerëz të votojnë, ata do të duhej të ktheheshin në vend ose të regjistroheshin për të votuar në një nga ambasadat ose konsullatat. Meqë Maqedonia ka vetëm një numër të kufizuar nga këto, nuk është me vend të mendohet se të gjithë ata që nuk votuan kundërshtojnë marrëveshjen e emrit.

Të thuhet se një shumicë e qartë e qytetarëve janë kundër marrëveshjes sepse nuk kanë votuar thjesht është një arsyetim i gabuar.

Sado e vështirë mund të jetë, duhet të ketë një shtysë përfundimtare për këtë marrëveshje në parlament.

Ndërkohë që deputetët e VMRO DPMNE zyrtarisht tregojnë në publik retorikën e tyre nacionaliste, shumica e tyre e kuptojnë se kjo marrëveshje është aq e mirë sa mund të jetë – kështu që përpjekja e tyre është për të kapërcyer dy pikëpamje.

Ata e dinë se VMRO DPMNE nuk ka për të ofruar asnjë alternativë të përshtatshme që do ta bënte vendin të siguronte një marrëveshje më të mirë me Greqinë, e cila mbetet “roje” për aspiratat e Maqedonisë për t’u anëtarësuar në BE dhe NATO.

Marrëveshja aktuale është treni i vetëm që çon në destinacionin e pranimit në BE.

Nëse ka ndonjë frymë reale patriotizmi në partinë VMRO DPMNE, ata do të marrin vendimin e vështirë politik për të mbështetur çështjen e emrit. Kjo duhet të jetë detyra e tyre morale.

Ideja e një referendumi mbi çështjen e emrit, në fund të fundit, e ka origjinën nga një qeveri e mëparshme e VMRO DPMNE në drejtimin e Nikola Gruevskit.

Gruevski e pa atë si një alibi të përshtatshëm për të justifikuar mosnënshkrimin e një marrëveshje, nëse ai do të ndihej i zënë ngushtë për këtë çështje nga komuniteti ndërkombëtar.

Socialdemokratët e Zaevit adoptuan një ide që tashmë ishte bërë një nga fushat kryesore të debateve mbi problemin me Greqinë. Pra, një “patate e nxehtë” e gatuar nga VMRO DPMNE dhe       që iu la atyre në dorë.

Rezultati i referendumit të së dielës ishte tepër zhgënjyes. Por mos ratifikimi i marrëveshjes do të mbyllë një dritare të një mundësie që sapo është hapur – për pak kohë.

Për të mirën e çdo qytetari të Maqedonisë që ka shpresuar ndonjëherë të ndërtojë një jetë normale në vend, shpresoj që vendimet e vështira, por të nevojshme, të merren dhe të justifikohen me guxim për publikun. Ka ikur koha e qëndrimeve partiake. Tani është koha për aftësi politike.

Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.