Ndërsa qeveria e Maqedonisë së Veriut përpiqet të miratojë në parlament një ligj që zgjeron punën e Prokurorisë Speciale, disa pretendojnë se ajo po bën shumë pazare politike me partinë kryesore opozitare.
Nëse qeveria e Maqedonisë Veriore ka më në fund atë që do, Prokuroria Speciale, SJO, së shpejti do të marrë një mandat të zgjeruar për të hetuar krimet e nivelit të lartë në vend duke u bërë pjesë e shërbimit të rregullt të prokurorisë.
Kjo është parashikuar në projektligjin e propozuar të qeverisë për prokurorinë që i dërgoi parlamentit të martën.
Megjithatë, për këtë qeveria e udhëhequr nga social demokratët do të ketë nevojë për mbështetjen në parlament të partisë opozitare VMRO DPMNE – shumë nga zyrtarët e të cilëve po hetohen nga SJO-ja.
Kryeministri Zoran Zaev dhe kreu i VMRO DPMNE, Hristijan Mickoski, në takimin e së dielës ranë dakord të formojnë një grup pune ndërpartiak në përpjekje për të zgjidhur çështjen.
“Unë pres që nëpërmjet bisedimeve në grupin e punës ne mund të arrijmë kushte që do të siguronin të ardhmen e Prokurorisë Speciale,” tha Zaev të dielën pas takimit me Mickoskin.
Nëse këto bisedime do të rezultojnë në një marrëveshje dhe nëse ligji do të miratohet në parlament para një pushimi më 1 prill, përpara zgjedhjeve presidenciale, kjo do të shtojë gjasat e vendit për të marrë një datë që bisedimet e pranimit në BE të hapen në qershor.
Përgjimet mund të mos përdoren më në gjykatë
Institucioni kryesor i vendit në luftën kundër krimit të nivelit të lartë u krijua në vitin 2015 si pjesë e një marrëveshjeje krize i ndërmjetësuar nga BE-ja.
Ajo u ngarkua me hetimin e akuzave për krime që kishin dalë në dritë nga bisedat e përgjuara të publikuara nga opozita e atëhershme e Zaevit Partia Social Demokrate, SDSM, e cila tashmë është në pushtet.
SJO-së iu dhanë pesë vjet kohë për të hetuar përgjimet. Por iu dhanë vetëm 18 muaj kohë për të ngritur akuza për ato raste. Ky afat përfundoi më 30 qershor 2017.
Qeveria e re që mori pushtetin në mes të vitit 2017 premtoi ta zgjidhte këtë dhe të zgjaste mandatin e SJO-së.
Projektligji i dërguar në parlament të martën kërkon të zgjidhë dilemat duke përfshirë SJO-në në prokurorinë e rregullt si një njësi autonome.
Ligji shfuqizon afatin e mëparshëm për të ngritur akuza të reja dhe zgjeron fushën e SJO-së, pasi nuk e kufizon më SJO vetëm për të hetuar bisedat e përgjuara.
Por ai thotë gjithashtu se kur bëhet fjalë për çështjet e ngritura dhe hetuara nga SJO-ja pas afatit të qershorit 2017, materialet e përgjuara nuk mund të përdoren më si prova.
SJO-ja ende mund t’i përdorë ato, megjithatë, si një bazë për hetime të mëtejshme.
Qeveria këmbëngul se kjo zgjidhje ka më shumë gjasa të kënaqë të gjitha palët politike, duke mos penguar SJO-në në punën e saj.
Por disa druhen se ndalimi i përdorimit të mëtejshëm të përgjimeve si dëshmi në gjykatë është një kurth i fshehur që do të ngadalësojë punën e SJO-së.
Profesori i jurisprudencës Gordan Kalajdziev tha se dyshonte se pas kësaj dispozite fshiheshin marrëveshje politike.
“I vetmi shpjegim është se e gjithë kjo është e bazuar në negociata politike; dikush ndoshta ka marrë garanci se në disa çështje të ardhshme gjyqësore, përgjimet nuk do të përdoren,” tha Kalajdziev.
Të enjten Zaev mohoi se do të bëjë lëshime për të miratuar ligjin. Ai këmbënguli se projekti nuk ishte përshtatur për të adresuar nevojat e veçanta të partnerit të tij të vogël të koalicionit, Bashkimit Demokratik për Integrim, BDI. Kryetari i saj, Ali Ahmeti, është subjekt i një hetimi për korrupsion të nivelit të lartë.
“Provat në përgjime ekzistojnë dhe nuk mund të shkatërrohen apo të fshihen,” vuri në dukje Zaev, duke iu referuar ndalimit të planifikuar për përdorimin e përgjimeve në gjykatë.
Para përfundimit të afatit të saj, SJO kishte ngritur akuza në rreth 20 raste të profilit të lartë.
Pjesa më e madhe e tyre kishin të bënin me ish-anëtarë të partisë tashmë opozitare VMRO DPMNE, të cilët qeverisën vendin për 11 vjet përpara se të rrëzoheshin nga pushteti në vitin 2017.
BDI ishte partner i koalicionit i VMRO DPMNE gjatë qeverisjes së saj nën drejtimin e ish-kryeministrit Nikola Gruevski.
Disa nga 20 hetimet e hapura nga SJO-ja kanë lidhje me anëtarët e lartë të BDI-së.
Partia etnike shqiptare ndërroi anë pas zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme të vitit 2016 dhe siguroi mbështetje të rëndësishme për formimin e qeverisë aktuale të udhëhequr nga social demokratët.
Ndalimi mund të dëmtojë shumë raste
SJO nuk e ndali punën pas skadimit të afatit dhe hapi dhjetëra hetime dhe raste të reja të profilit të lartë, edhe pse qeveria e re social demokrate u zvarrit shumë për zgjatjen e punës së saj.
Por disa nga këto raste mund të rrezikohen nga ndalimi i përdorimit të mëtejshëm të përgjimeve si dëshmi në gjykatë.
Një është hetimi i koduar me emrin “njehsimi”. Kjo po vepron bazuar në dyshimet se politikanët kryesorë kanë humbur paratë e buxhetit duke dëmtuar qëllimisht censusin kombëtar të 2011-ës.
Rasti ka lidhje me kreun e BDI-së Ahmeti dhe ish-kreun e VMRO DPMNE-së dhe ish-kryeministrin Gruevski, ndër të tjerë.
Një hetim tjetër i ngritur në vitin 2018, që ka të bëjë me BDI-në, ku përdorimi i përgjimeve nuk do të lejohet tani, është emërtuar me kod “Pacienti”.
Ky rast, që heton korrupsionin e mundshëm në ministrinë e shënd3etësisë, ka të bëjë me zv/kryeministrin e BDI-së Bujar Osmani, i cili shërbeu si ministër i shëndetësisë në qeverinë e udhëhequr nga VMRO DPMNE.
Të mërkurën, kryeprokurorja speciale Katica Janeva tha se në shumë raste që janë në vazhdim e sipër SJO kishte mbledhur prova të mjaftueshme për të provuar rastin e saj në gjykatë, pa asnjë nevojë për përgjime.
Por ajo nuk e mohoi faktin se tani disa të dyshuar mund t’i shpëtojnë drejtësisë për shkak të kësaj dispozite.
“Disa nga të dyshuarit mund të shpëtojnë, por disa të tjerë mund të marrin akuza shtesë,” sugjeroi Janeva.
Ndërkohë që shmangu komentin e drejtpërdrejtë mbi projektligjin në tërësi, ajo tha se dispozitat për rritjen e juridiksionit të SJO-së mbi rastet e tjera të korrupsionit ishin të kënaqshme.
“Ndoshta tani do të hapim raste shumë më të mëdha se ato ekzistuese, ” tha Janeva.
Ndër rastet për të cilat Janeva tha se SJO kishte mbledhur mjaftueshëm prova është një i koduar me emrin “Talir”.
Në këtë rast, ish-liderët e partisë VMRO DPMNE dyshohen se gjejnë rrugë për të financuar ilegalisht partinë e tyre. Ky rast pritet të fillojë në gjykatë këtë muaj.
Janjeva tha se ndalimi i përdorimit në të ardhmen të përgjimeve në gjykatë ndoshta nuk do të ndikonte në rezultatin e një rasti të koduar me emrin “Perandoria”.
Kjo çështje përqendrohet te perandoria e biznesit e manjatit Orce Kamcev dhe në marrëdhëniet e tij me ish-shefin e policisë sekrete Saso Mijalkov, i cili ishte eminence grise i ish-kryeministrir Gruevski gjatë sundimit 11-vjeçar të partisë VMRO DPMNE.
Së bashku me disa të tjerë, ata dyshohen për “shoqëri kriminale, mashtrim, pastrim parash” dhe krime të tjera që pretendohet se janë kryer midis viteve 2002 dhe 2013, ku bëhet fjalë për miliona euro.
Frikë për lëshime të tjera
Pas bisedimeve midis Zaevit dhe kryetarit të VMRO DPMNE të dielën, Mickovski bëri të qartë se arritja e një marrëveshjeje nuk do të ishte e lehtë.
Ai konfirmoi se partia e tij ishte gati “në parim” për të folur për bashkimin e SJO-së me prokurorinë e rregullt, por shtoi se ata do të dëshironin të shihnin kreun e SJO-së Katica Janeva dhe të gjithë ekipin e saj të prokurorëve të shkarkoheshin.
“Kjo prokurore speciale dhe ekipi i saj e kanë humbur të gjithë besueshmërinë profesionale,” tha Mickoski, duke shtuar se juridiksioni dhe përgjegjësitë e “SJO-së së re”, siç e quajti ai, duhet të jetë një çështje negociatash.
Kjo është në kontrast të fortë me pikëpamjen e kryeministrit i cili pas takimit tha se SJO-së, “e udhëhequr nga Janeva dhe i gjithë ekipi i saj, duhet t’i jepet një shans për të vazhduar punën e saj”.
Që projektligji të miratohet në parlament, ai ka nevojë për mbështetjen e dy të tretave të deputetëve, që do të thotë të paktën 80 nga 120 deputetët.
Aleanca në pushtet kontrollon 68 deputetë; ata mund të mbështeten edhe tek disa deputetë të tjerë të cilët nuk janë pjesë e koalicionit qeverisës, por zakonisht mbështesin politikat qeveritare.
Por një faktor i ndërlikuar është se deputetët e VMRO DPMNE tani praktikisht ndahen në dy blloqe, një grup më i madh besnik ndaj kryetarit të partisë dhe një grup disident i përbërë nga tetë deputetë.
VMRO DPMNE përjashtoi shtatë prej këtyre tetë deputetëve vitin e kaluar për mbështetjen e marrëveshjes së propozuar të qeverisë me Greqinë, e cila përfshinte ndryshimin e emrit të vendit.
Në këmbim të mbështetjes së tyre, qeveria ra dakord për një amnisti për ata që kishin marrë pjesë në sulmin në parlament në prill 2017 për të mos lejuar marrjen e detyrës nga ana e Zaevit. Ligji u miratua në dhjetor.
Avokati Aleksandër Tortevski tha se druhej se ishin në rrugë e sipër lëshime të tjera politike.
“Nuk jam në dijeni të marrëveshjeve politike të mëparshme kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjit penal, por ne tani kemi parë se kjo është e mundur,” tha ai.
“Nuk mund të supozoj se sa larg mund të shkojnë tani marrëveshjet politike, por duhet të supozoj se opsionet janë të pakufizuara,” shtoi ai.
Ai shprehu shqetësime në lidhje me një marrëveshje nën tavolinë për të ngadalësuar të gjithë ritmin e procedimeve penale, gjë që do të bëjë që çështjet të zvarriten aq ngadalë, saqë të bëhen të vjetëruara.
Ndërkohë, kryeministri mbetet optimist. Ai thotë se shpreson se ligji për Prokurorinë Speciale do të miratohet me një konsensus.