Lajm9 Aug 2018

Maqedonia kritikohet për progres “zhgënjyes” në korrupsion

Organi anti-korrupsion i Këshillit të Europës, GRECO, i bëri thirrje Maqedonisë të rrisë përpjekjet e saj për të frenuar korrupsionin midis deputetëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke thënë se progresi deri më tani ka qenë zhgënjyes.

Autor: Sinisa Jakov Marusic BIRN Shkup
Printo

Ndërtesa Agora e Këshillit të Europës në Strasburg, qendra e Sekretariatit GRECO. Foto: Adrian Grycuk/Wikimedia.

Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit, GRECO tha në raportin e dytë të publikuar të enjten se Maqedonia nuk ka bërë përparim të rëndësishëm në zbatimin e rekomandimeve për parandalimin e korrupsionit midis deputetëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Duke e quajtur performancën e vendit në këtë fazë “shumë zhgënjyese”, GRECO u kërkoi autoriteteve maqedonase të ndërmarrin masa më të vendosura dhe të fokusuara për të zbatuar rekomandimet e tij për të luftuar korrupsionin që u dhanë katër vjet e gjysmë më parë.

GRECO konstatoi se asnjë nga përmirësimet e tij të rekomanduara në luftën kundër korrupsionit midis deputetëve nuk është zbatuar as pjesërisht.

Përjashtimi i vetëm ishte progresi i bërë në vënien në zbatim të një kodi të ri sjelljeje për ligjvënësit, i cili po zbatohet përsëri tani pasi projekti ndaloi në fund të vitit 2016.

Në sistemin gjyqësor, raporti vuri re “progres të kufizuar”, duke përmendur miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Gjyqësor në dhjetor 2017 dhe maj 2018.

Raporti tha gjithashtu se nuk kishte “asnjë zhvillim të rëndësishëm” që synonte forcimin e sistemit të deklarimit të pasurive dhe interesave për zyrtarët përmes Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, SCPC.

“Për më tepër, SCPC u përfshi edhe vetë së fundmi në polemika serioze, gjë që solli edhe dorëheqjen e shumicës së anëtarëve të saj mes akuzave për keqmenaxhim të pasurive,” vuri në dukje raporti.

Maqedonia këtë verë mori një rekomandim të kushtëzuar për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE.

Me kusht që vendi të bëjë progres në disa çështje kyçe, përfshirë luftën kundër korrupsionit, mund të shpresojë të nisë bisedimet e pranimit verën e ardhshme.