Lajm11 Jul 2018

Maqedonia pret ftesën e shumëpritur nga NATO

Pas marrëveshjes historike të muajit të fundit me Greqinë fqinje, NATO pritet të ftojë Maqedoninë të nisë bisedimet e pranimit në samitin e Aleancës Perëndimore në Bruksel i cili nis të mërkurën.

Autor: Sinisa Jakov Marusic BIRN Shkup
Printo

Samiti i NATOS në Bruksel. 11 korrik 2018. Foto: (AP Photo/Francois Mori)

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha të martën në një konferencë për shtyp se Maqedonia do të ftohet të nisë bisedimet e pranimit në samit, por do të jetë në gjendje të bashkohet vetëm pas zbatimit të marrëveshjes së emrit me Greqinë.

“Sapo të finalizohet dhe të zbatohet marrëveshja e emrit, ne do të jemi në gjendje të ftojmë ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s me emrin e saj të ri, Republika e Maqedonisë së Veriut, një sinjal i fortë se dera e NATO-s është dhe mbetet e hapur,” tha Stoltenberg.

Në vitin 2008, Maqedonia humbi mundësinë për t’u bërë anëtare e NATO-s në samitin e Aleancës Ushtarake Perëndimore në Bukuresht, kur Athina vendosi veton ndaj ftesës së planifikuar për shkak të mosmarrëveshjes së gjatë të emrit.

Që atëherë, NATO ka vazhduar përsëritjen se ftesa do të parashtrohet në momentin kur vendi zgjidh mosmarrëveshjen e tij dypalëshe me Greqinë.

“Anëtarësimi në NATO është një shans historik që ne tani duhet ta përdorim,” tha të martën ministrja maqedonase e mbrojtjes Radmila Sekerinska.

“Anëtarësimi do të nënkuptojë stabilitet dhe siguri për Maqedoninë dhe qytetarët e saj, por gjithashtu do të sjellë një shans për një zhvillim më të shpejtë ekonomik dhe prosperitet,” shtoi Sekerinska.

Maqedonia dhe Greqia nënshkruan marrëveshjen historike të emrit më 17 qershor, pas një sërë bisedimesh të vështira të ndërmjetësuara nga OKB-ja.

Sipas marrëveshjes, Maqedonia do ta ndryshojë emrin e saj në Republika e Maqedonisë së Veriut me qëllim që të dallojë nga provinca veriore greke e cila gjithashtu quhet Maqedoni.

Por puna më e vështirë për Shkupin pritet ende të vijë, pasi autoritetet janë të detyruara të mbajnë një referendum për emrin në vjeshtë, në të cilin shumica e votuesve duhet ta mbështesin atë në mënyrë që të ndodhë një ndryshim kushtetues dhe marrëveshja të zbatohet plotësisht.

Autoritetet maqedonase shpresojnë që kjo do të jetë e mundur rreth fundit të këtij viti.